Anjëherë më parë nuk e kam menduar veten si pjesëmarrës në politikë, saqë sa herë që diskutohej mes meje dhe bashkëmoshatarëve të mi për votën që do të jepnim në të ardhmen, tërhiqesha, duke dashur që të lejoja të tjerët të zgjidhnin pa mua. Nuk i besoja politikës dhe për këtë arsye gjithnjë kam menduar jo për kë të votoj, por çfarë mund të shkruaj në fletën e votimit për të shfaqur këtë mosbesim. Nuk kisha besim sepse i dëshiroj vetes një të ardhme. Dhe kur shihja gjithnjë që një pjesë e konsiderueshme e të ardhmes po thellonte cekëtinë e politikanëve, si mund të mendoja t’u mbushja atyre babëzinë elektorale me një votë më shumë?
Sot mendoj se një populli politikëdashës si Shqipëria mund t’i bëhet mirë duke i paraqitur një lëvizje të re politike e cila është gjithëpërfshirëse dhe e besueshme. Dhe pikërisht për këtë arsye e mbështes këtë lëvizje... sepse dua që edhe unë të jap sado pak kontribut në këtë mundësi të re për shqiptarët, e cila për mua është më e mira.
Është më e mira për disa arsye, por ajo që më prek mua si të ri, është grupmosha ku bëj pjesë dhe nga e cila nuk dua të dal. Për partitë sot nuk ka rini. Ka forume rinore të cilët janë si backvokale të asaj çka u thotë lideri i tyre.
Unë kam ëndrra. Besoj se çdo i ri ka ëndrra. Një popull ku të rinjtë nuk kanë ëndrra është një popull i destinuar për të vdekur. Por për të realizuar këto ëndrra çfarë po bëjmë ne sot? Po rrijmë duarkryq teksa shohim se si na gllabërohet ose e ardhmja duke hapur e mbyllur regjistrimet në universitete, ose e tashmja ekonomike duke synuar të na bindin të shkojmë tek universitetet private? Apo po bëjmë backvokale të liderëve? Nëse ëndrra e dikujt është të jetë backvokal, le të vazhdojë. Ëndrra ime nuk është kjo. Ëndrra e të rinjve që janë këtu mes nesh nuk është kjo. Ëndrra jonë është që ta nxjerrim rininë nga pylli ku jehon vetëm zëri i liderit nëpërmjet një shtegu të cilin ne e kërkuam gjatë dhe tani e gjetëm te kjo lëvizje të cilën ne bashkarisht me ju po e mbështesim.
Kjo Lëvizje e re politike nuk ka solistë dhe backvokale, por ka një kor i cili dirigjohet nga kryetari që vetë zgjedh. Një kor ku të gjithë janë të barabartë në sugjerimin e ideve për të përmirësuar Shqipërinë. Unë këtë dua. Një mundësi ku të shfaq ëndrrën time për një tjetër Shqipëri.