STATUTI
I ORGANIZATËS POLITIKE “LISTA E BARABARTË“
(LIBRA)
Neni 1
Parimet themelore
- LIBRA është një organizatë politike në formën e partisë, e ndërtuar si bashkim shtetasish shqiptarë me bindje, ide dhe pikëpamje të përbashkëta, e strukturuar në bazë vullnetare, me synimin për të ushtruar ndikimin e vet në të mirën e zhvillimit të vendit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në organet e zgjedhura të pushtetit.
- LIBRA mbështetet në parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Neni 2
Qëllimi dhe Fusha e Veprimtarisë
Qëllimi dhe Fusha e Veprimtarisë
- LIBRA ka për qëllim ushtrimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet: ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike, evidentimit dhe aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme e vendore me kandidaturat e saj.
- LIBRA ka për qëllim të kontribuojë në ndërtimin dhe forcimin e shtetit të të drejtës, demokracisë dhe në mbrojtjen e parimeve themelore të të drejtave dhe lirive të njeriut.
- LIBRA ka për qëllim realizimin e programit të saj politik me mjete kushtetuese, ligjore, demokratike dhe në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Neni 3
Programi
Programi
- LIBRA ka programin e saj politik, i cili është një akt që përfaqëson qëndrimet për zhvillimin e çdo sektori të jetës në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese.
- LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, racës, gjinisë, moshës, bindjes fetare apo statusit politik e social.
- Libra mbështet dhe zbaton parimet e barazisë gjinore.
- LIBRA do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj.
Neni 4
Emri, Selia, Statusi, Vula, Simbolet
Emri, Selia, Statusi, Vula, Simbolet
- Emri i Partisë është “LISTA E BARABARTE”, me akronim (brevetatis causa) LIBRA. Për efekte të përfaqësimit mund të përdoren si emri i plotë ashtu edhe akronimi.
- Selia është në adresën: Rr.”Sami Frashëri”, Tiranë. LIBRA ka të drejtë të ketë shtrirje të saj në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Libra ka statusin e personit juridik. Ajo ka vulën e vet. Vula e LIBRA-s përcaktohet nga Bërthama.
- Simbolet e LIBRA-s janë:
LIBRA ka si simbol një katror të verdhë, mbi të cilin shkruhet Lista e Barbartë, ndërsa brenda tij me gërma kapitale të zeza shkruhet LIBRA.
Neni 5
Anëtarësia
Anëtarësia
- Mund të jetë anëtar i LIBRA-s çdo shtetas shqiptar mbi 16 vjeç, që pranon Statutin, Kodin e Etikës dhe Rregulloret e Brendshme. Anëtarë të LIBRA-s mund të jenë edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri.
- Nuk mund të jetë anëtar i LIBRA-s një person që është anëtar i një partie tjetër politike.
- Anëtarët e humbasin anëtarësimin:
- Nëse kërkojnë të largohen me vullnetin e tyre të lirë;
- Me vendim të Komisionit të Etikës, si pasojë e shkeljeve të përcaktuara në Kodin e Etikës, Statutit apo Rregulloreve të Brendshme.
- Anëtari, përveç të drejtave ligjore, gëzon të drejtë:
- Të ketë pjesëmarrje aktive në jetën e LIBRA-s, të zgjedhë dhe të zgjidhet lirisht në të gjitha forumet drejtuese, në nivel lokal dhe qendror, pa kufizime;
- Të paraqesë kandidaturën për t’u zgjedhur në të gjitha organet e LIBRA-s;
- Të paraqesë kandidaturën për zgjedhje qendrore apo lokale, sipas parashikimeve statutore dhe ligjit;
- Të marrë pjesë në diskutime dhe vendimmarrje të LIBRA-s në të gjitha nivelet, përmes standardeve më të larta të demokracisë së brendshme;
- Të shprehë lirisht pikëpamjet e tij;
- Të njihet me të gjitha vendimet dhe qëndrimet e LIBRA-s në çdo nivel;
- Anëtari, përveç sa ligji parashikon, ka detyrim:
- Të kontribuojë aktivisht në organizimin dhe funksionimin e LIBRA-s;
- Të paguajë tarifën vjetore të kuotizacionit;
- Të gjithë anëtarët kanë të drejta dhe liri të barabarta brenda LIBRA-s.
Neni 6
Natyra, lloji dhe mjetet e veprimtarisë politike
Natyra, lloji dhe mjetet e veprimtarisë politike
- Veprimtaria politike e LIBRA-s është e hapur, demokratike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. LIBRA ushtron veprimtari politike me synimin që vetëm në mënyrë demokratike të përfaqësohet në organet e zgjedhura, duke zbatuar programin e saj.
- LIBRA, në ushtrimin e veprimtarisë së saj përdor mjete demokratike dhe ligjore. LIBRA ushtron veprimtarinë e saj nëpërmjet edukimit politik, nxitjes së pjesëmarrjes në ushtrimin e të drejtave politike në zgjedhje, si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje.
- LIBRA realizon programin dhe qëllimet e veta me këto mjete:
- nëpërmjet veprimtarisë publike në popull dhe media;
- nëpërmjet fushatave elektorale dhe pjesëmarrjes në zgjedhje në shkallë kombëtare dhe vendore;
- nëpërmjet ushtrimit të pushtetit qendror dhe lokal, ose veprimtarisë si opozitë;
- nëpërmjet përfaqësimit të saj në organizatat e nivelit ndërkombetar, ku ajo merr pjesë.
Neni 7
Organet dhe organizimi i LIBRA-s
Organet dhe organizimi i LIBRA-s
- LIBRA është e organizuar sipas ligjit.
- Organet e LIBRA-s janë:
- Forumi
- Koordinatori
- Këshilli
- Bërthama
- Komisioni i Etikës
- Komisioni i Garancive
- Kryetari
Neni 8
Forumi
Forumi
- Forumi është mbledhja e të gjithë anëtarëve të LIBRA-s.
- Forumi është organi më i lartë vendim-marrës i LIBRA-s.
- Forumi mblidhet të paktën një herë në vit.
- Mbledhja thirret nga Kryetari, nga 1/3 e Bërthamës ose me kërkesë të 10 përqind të anëtarëve të LIBRA-s. Me thirrjen e Forumit përcaktohet edhe rendi i ditës.
- Forumi ka të drejtë dhe merr këto vendime:
- Zgjedh Kryetarin
- Zgjedh Bërthamën
- Zgjedh kandidaturat e përfaqësimit politik për zgjedhjet e përgjithshme apo vendore
- Miraton programin dhe të gjitha platformat politike dhe programet zgjedhore të LIBRA-s
- Miraton buxhetin vjetor
- Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij.
- Vendimet e Forumit merren me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij. Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e Forumit është shumica e anëtarëve të LIBRA-s. Në rast se ky kuorum nuk arrihet, Forumi mund të marrë vendime në një mbledhje të dytë brenda 5 ditëve në vijim, pa pasur kuorum detyrues.
- Votimet në Forum drejtohen nga Komisioni i Garancive, i cili organizon votimin dhe shpall rezultatin e votimit.
Neni 9
Koordinatori
Koordinatori
- Grupi është njësia bazë organizative. Koordinatori është organizatori i Grupit.
- Grupi ngrihet në nivel bashkie, përveç qytetit të Tiranës, ku Grupi ngrihet në nivel njësie administrative.
- Në Grup bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e LIBRA-s, banorë të bashkisë/njësisë.
- Grupe ngrihen edhe nga anëtarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë.
- Koordinatori zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarët e Grupit.
- Koordinatori zgjidhet me votim të fshehtë dhe ka mandat 1 vjeçar. I njëjti koordinator Grupi nuk mund të ketë më shumë se tre mandate.
- Koordinatori është njëri nga përfaqësuesit e Grupit në Këshill.
- Përveç koordinatorit, Grupi zgjedh me votim të fshehtë edhe një përfaqësues tjetër të tij në Këshill. Ky përfaqësues ka mandat 1-vjeçar.
- Brenda secilit Grup mund të ketë organizime të brendshme.
Neni 10
Këshilli
Këshilli
- Këshilli është organ kolegjial që përbëhet nga mbledhja e të gjithë përfaqësuesve të Grupeve, si dhe nga anëtarët e Bërthamës. Anëtarësia e LIBRA-s jashtë Shqipërisë, pavarësisht numrit, ka rezervë statutore përfaqësimi në Këshill me jo më pak se 10% të numrit të anëtarëve të Këshillit.
- Këshilli mblidhet minimalisht një herë në tre muaj.
- Kryetari i Këshillit është Nënkryetar i LIBRA-s.
- Mbledhja e Këshillit thirret nga Kryetari i Këshillit, Kryetari i LIBRA-s ose nga 1/3 e Këshillit. Organi që e thërret përcakton edhe rendin e ditës.
- Këshilli i merr vendimet me shumicë të thjeshtë.
- Këshilli ka këto kompetenca dhe funksione:
- Merr vendime për çështje politike, organizative dhe të administrimit të LIBRA-s, në zbatim të Vendimeve të Forumit;
- Zgjedh Kryetarin e Këshillit. Mandati i Kryetarit të Këshillit është 2 vjeçar. I njëjti kryetar këshilli nuk mund të ketë më shumë se tre mandate;
- Zgjedh anëtarët komisioneve të Etikës dhe Garancive;
- Miraton Rregulloret e Brendshme;
- Miraton Kodin e Etikës.
Neni 11
Bërthama
Bërthama
- Bërthama është organ drejtues, i cili zgjidhet nga Forumi.
- Bërthama është organi përgjegjës për drejtimin e aktivitetit të përditshëm të LIBRA-s. Bërthama përbëhet nga 31 anëtarë, që zgjidhen me votë të fshehtë nga Forumi.
- Kryetari i LIBRA-s është anëtar dhe drejtues ex-officio i Bërthamës. Pjesa tjetër e anëtarëve të Bërthamës ruan barazinë gjinore 50%-50% midis të dy gjinive.
- Mbledhja e Bërthamës thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e Bërthamës. Me thirrjen e Bërthamës përcaktohet dhe rendi i ditës.
- Bërthama ka këto përgjegjësi:
- Zbaton platformat, programet dhe qëndrimet politike të përcaktuara nga Forumi dhe Këshilli;
- Përcakton dhe zbaton agjendën e aktiviteteve politike;
- Përgatit projekt-buxhetin e LIBRA-s dhe kontrollon shpenzimet;
- Miraton kuotën vjetore të anëtarësisë;
- Përcakton listat e përfaqësimit politik në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore, duke marrë në konsideratë rezultatet e votimit nga Forumi.
- Zgjedh Administratorin e LIBRA-s.
- Bërthama ka mandat 2 vjeçar.
- Bërthama i merr vendimet me shumicë të thjeshtë.
Neni 12
Komisioni i Etikës
Komisioni i Etikës
- Komisioni i Etikës përbëhet nga 5 anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Këshilli.
- Komisioni mblidhet minimalisht një herë në tre muaj.
- Komisioni i Etikës është organi përgjegjës për:
- Verifikimin e zbatimit të standardeve etike, në çdo nivel;
- Menaxhimin dhe vlerësimin e konfliktit të interesit;
- Sigurimin e respektimit nga ana e çdo anëtari, të parimeve etike të përfshira në Kodin e Etikës.
- Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.
- Çdo anëtar i LIBRA-s mund t’i drejtohet Komisionit të Etikës lidhur me çështjet në kompetencë të tij.
- Komisioni i Etikës mund të japë sanksionet e mëposhtme:
- Vërejtje;
- Përjashtim, i cili miratohet vetëm me votim unanim.
- Vendimet e Komisionit të Etikës në çdo rast janë transparente për anëtarët e LIBRA-s.
Neni 13
Komisioni i Garancive
Komisioni i Garancive
- Komisioni i Garancive përbëhet nga 5 anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Këshilli.
- Komisioni i Garancive është organi përgjegjës për:
- Respektimin e procedurave dhe procesve të votimit;
- Besueshmërinë e platformave elektronike të votimit dhe diskutimit.
- Komisioni shqyrton dhe vendos për të gjitha ankesat e anëtarëve në lidhje me votimet.
- Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.
- Anëtarësia në Komision e Garancive është e papajtueshme me çdo funksion tjetër.
Neni 14
Kryetari
Kryetari
- Kryetari zgjidhet nga Forumi, ndërmjet anëtarëve të LIBRA-s, me shumicë të votave të Forumit.
- Kryetari ka këto kompetenca:
- Përfaqëson ligjërisht LIBRA-n për palë të treta;
- Thërret dhe drejton mbledhjet e Forumit;
- Thërret dhe drejton mbledhjet e Bërthamës;
- Vendos për çështje politike dhe të organizimit elektoral të LIBRA-s.
- Mandati i kryetarit është dy vjet. I njëjti kryetar nuk mund të ketë më shumë se tre mandate.
Neni 15
Vendim-marrja dhe votimet
Vendim-marrja dhe votimet
- Vendimarrja në LIBRA është në çdo rast në përputhje me statutin dhe ligjin.
- Vendimet janë transparente dhe në çdo rast iu bëhen të ditura të gjithë anëtarësisë.
- Vendimet në organet e LIBRA-s merren me shumicë votash dhe kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjeve është më shumë se gjysma e anëtarëve të organit kolegjial. Vendimi i Forumit për ndryshime në statut kërkon miratimin me 2/3 e anëtarëve të pranishëm.
- Votimi në LIBRA është i lirë, demokratik dhe në asnjë rast nuk mund të kufizohet. LIBRA zbaton votime të brendshme për çdo çështje, duke aplikuar standardin me të lartë të demokracisë së brendshme.
- Votimi për zgjedhje individësh dhe për çështje të caktuara, kur kërkohet nga të paktën 10% e anëtarëve të organit, është i fshehtë. Mënyra e votimit është me fletë votimi ose me mjete elektronike që garantojnë në mënyrë të certifikuar fshehtësinë e votimit.
- Mbledhjet e Forumit duhet të thirren minimalisht një muaj përpara datës së mbledhjes.
- Mbledhjet e Këshillit duhet të thirren minimalisht shtatë ditë përpara datës së mbledhjes.
- Çdo anëtari të organit që mblidhet i dërgohet njoftimi për mbledhjen, rendi i ditës dhe nëse është rasti, materialet përkatëse për shqyrtim.
- Të gjithë të zgjedhurit i nënshtrohen votëbesimit nga zgjedhësit e tyre.
- Kryetari dhe anëtarët e Bërthamës i nënshtrohen votëbesimit nga anëtarësia e LIBRA-s. Të drejtën e nisjes së mocionit të mosbesimit e kanë 1/3 e anëtarëve të LIBRA-s.
- Koordinatori dhe përfaqësuesi në Këshill i nënshtrohen votëbesimit nga anëtarësia e Grupit përkatës. Të drejtën e nisjes së mocionit të mosbesimit e kanë 1/3 e anëtarëve të Grupit.
Neni 16
Transparenca
Transparenca
- LIBRA, në të gjithë veprimtarinë, vendim-marrjen dhe organizimin e saj aplikon parimin e transparencës ndaj të gjithë anëtarëve të saj.
- Çdo vendim iu bëhet i ditur anëtarëve.
- Për çdo vendim-marrje, organet drejtuese konsultohen me anëtarësinë.
- LIBRA, në vendim-marrjet e saj, organizon konsultime me grupet e interesit dhe shoqërinë civile.
- LIBRA ka faqen e vet web, ku bën transparente aktet dhe aktivitetet e saj.
Neni 17
Burimet Financiare
Burimet Financiare
- Burime financiare te LIBRA-s janë kuotat e anëtarësisë; çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; fondet publike duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime, nga individë, persona juridikë apo fizikë, organizata e fondacione politike, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe sipas procedurave ligjore përkatëse. LIBRA nuk mund të pranojë dhurata nga persona juridikë apo fizikë, që mund të ndikojnë në veprimtarinë e saj.
- Menaxhimi i burimeve financiare do të kryhet në përputhje me standardet ligjore të kontabilitetit dhe sipas parashikimeve statutore, të Rregulloreve apo legjislacionit përkatës në fuqi.
- Veprimtaria financiare ushtrohet sipas legjislacionit përkatës dhe atij financiar në fuqi. LIBRA kryen auditim të veprimtarisë financiare përkatëse sipas ligjit dhe miraton pasqyrat financiare sipas ligjit. Viti financiar është 1 Janar-31 Dhjetor dhe në çdo rast sipas legjislacionit në fuqi.
- Administratori është përgjegjës për menaxhimin dhe funksionimin financiar të LIBRA-s.
Neni 18
Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme
Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme
- Ky statut mund të ndryshohet nga Forumi, me kërkesën e të paktën 30 përqind të anëtarëve të Bërthamës ose 10 perqind të Forumit dhe nevojitet të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Forumit. Kuorumi i mbledhjes është shumica 50%+1.
- Rregulloret e brendshme të LIBRA-s përgatiten nga Bërthama dhe miratohen nga Këshilli.
Neni 19
Dispozita kalimtare për zgjedhjet e organeve të para
Dispozita kalimtare për zgjedhjet e organeve të para
- Organet e para drejtuese zgjidhen nga mbledhja e parë e anëtarëve themelues-nismëtarë. Mandati i organeve të para drejtuese është njëvjeçar. Brenda afatit njëvjeçar nga themelimi, LIBRA do të organizojë zgjedhjet e para.
- Mandati i organeve të para drejtuese nuk llogaritet në numrin maksimal të mandateve të lejuara nga nenet e mësipërme të këtij Statuti.
Neni 20
Praktikat e mira politike dhe zgjedhore
Praktikat e mira politike dhe zgjedhore
-
LIBRA zbaton në çdo rast praktikat më të mira politike dhe zgjedhore, bazuar në parimet e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe standardeve më të larta të përfaqësimit dinjitoz.
-
Listat e përfaqësimit politik të LIBRA-s në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore respektojnë barazinë gjinore 50%-50%.
-
Për sa nuk është parashikuar në Statut, zbatohet legjislacioni në fuqi dhe praktikat më të mira të gjithë pranuara.