Elton Dono
Udhëtuam dje drejt Matit dhe Kamzës ku takuam disa prej anëtarëve më të zellshëm Libra. Sigurisht nuk janë të shumtë në këtë fazë organizimi ku ndodhemi, por janë të pastër, të ndershëm, me vlera e dëshirë për të ndryshuar njëherë e mirë realitetin ku ndodhemi.
Për shumëkënd që është i lodhur me të drejtë nga politika sfilitëse 26-vjeçare, këto takime janë thjesht premtimet e radhës për të marrë votat e për të vijuar rrënimin e Shqipërisë nga parti që kanë ardhur me stof të ri e bosh përbrenda.
Por për ne secili prej matjanëve e kamzalinjve që na mikpritën është i respektuar me dinjitet si individ, që përfaqëson vlera pavarësisht prejardhjes, pasurisë, shkollimit e moshës.
Takuam të rinj, edhe të vjetër; na pritën minatorë e arsimtarë; gjimnazistë e studentë.
Banorët janë harruar, janë tradhtuar nga disa hajna që kanë kapur pushtetin e po e mjelin çdo ditë si ta kishin pronën e tyre private.
Në Mat takuam Bleonën, prindërit e së cilës janë me paaftësi fizike e nuk marrin ndihmën ekonomike që u takon se i kërkojnë rryshfet.
Takuam minatorë që i kanë braktisur në fatin e tyre me kushte skandaloze pune nën diktatin e mafiozëve.
Takuam Vladimirin në fshatin Kurdari që na hapi derën e shtëpisë për të na rrëfyer hallet e problemet e përditshme të mbijetesës.
Mësuam se mijëra familje jetojnë si në mesjetë pa dritë elektrike sepse ua kanë prerë për 100 mijë lek të vjetra debi, duke u detyruar që edhe për të karikuar telefonin duhet të bënin disa kilometra drejt Burrelit.
Në ato anë, askush nuk denjon të shkojë, përveçse kur troket fushata e ujqërit turren të babëzitur.
U larguam nga Mati drejt Kamzës ku takuam njerëz mikpritës, të varfër por të ndershëm qe kanë shpresë, edhe pse politika e papërgjegjshme i ka detyruar të mbijetojnë me vështirësi.
Takuam qytetarë me bindje të djathta e të majta që dëshirojnë të mposhtin arrogancën pushtetare, varfërinë e ulur këmbëkryq në sofra, njerëz me shpirt të lirë e të pastër që pyesin për çdo detaj për t'u siguruar se nuk po futen në qorrsokak ashtu si i kanë futur deri më tash partitë politike që përfaqësojnë veten e tyre e jo njeriun.
U kthyem nga Mati e Kamza me reflektime e detyra ndaj vetes, për t'u rikthyer e ripjekur mendimet përsëri me matjanët e kamzalinjtë e ndershëm e punëtorë që duan ta ndryshojnë kursin e shkatërrimit të vendit njëherë e mirë.
Do të shkojmë dalëngadalë në çdo cep të Shqipërisë, atje ku maskarenjtë e politikës së sotme kanë shkuar për t’u tallur e për të marrë votat.
Për ta ju jeni vota, për ne jeni njerëz.
Për ta ju jeni numra, për ne jeni individë me emër e mbiemër të respektuar.
Për ta ju jeni skllevër, për ne jeni shqiptarë me dinjitet.
Për ta vlen pasurimi në kurrizin tuaj, për ne vlen sakrifica në emrin tuaj.
Një erë e re ndihet në gërmadhat e politikës shqiptare.
Do ta bëjmë bashkë Shqipërinë!