Ergest Lekdushi
Ti që pret të festosh fundin e vitit në vendin e punës; Ti që shpreson që për pak vite do kesh një shtepi dhe familje tënden; Ti operator që me arritjen e target-it do shijosh pak nga rinia e bllokut. Ti operator që mban dhe familjen me ato pak lek që të mbeten nga shpenzimet e Tiranes, ku qeraja, dritat, uji, taksat, ushqimi të detyron shpesh herë të marresh edhe Lek borxh. Po të drejtohem ty operator, kësaj here ki pak durim të më degjosh, Ti nuk do të ma mbyllesh telefonin.
Do jem i drejtëpërdrejtë sepse dua thjesht të të informoj se puna jote, sakrifica dhe ambiciet e tua sot janë vënë në rrezik.
Më lejo fillimisht të prezantohem, Unë jam LIBRA! Mbase nuk ke dëgjuar shumë për mua, mbase ndonjë shok të ka folur për mua në atë pak kohë që keni tek tymosni një cigare ne ballkonin e sallës, apo ndonjë notification të ka mbetur ende në smartfonin tënd.
Disa muaj më parë shokët e tu të vendit mik, vetëm një det larg, u veshën si çdo mëngjes jo për të vajtur në punë. Ndryshe nga rutina e përditshme kësaj here u nisën të vendosur ta kërkonin të drejtën e tyre për punësim me modesti, dhimbje të përzjerrë me nervozizëm. Në Maj të këtij viti rreth 2,500 punonjës të Almaviva Italia Call Ceter, rrezikonin vëndin e punës. Rruget e Romës institucionale gumëzhinin atë ditë. Përpara Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Italian filloi protesta lidhur me shkurtimet e vëndeve të punës, e drejtë që kushtetuta e tyre u njeh që nga viti 1947.
Sot, gjashtë muaj më vonë, qeveria Italiane reagoi me masa shtrënguese lidhur me de-lokalizimin e këtij aktiviteti në vëndet jashtë komunitetit. Parë nga pikpamja politike, mendoj se kjo do ishte manovra që çdo qeveri e përgjegjshme do të ndërmerte përbri krizës së punësimit. Kjo është motoja që çdo forcë politike, në qeverisje apo në opozitë, trumbeton sot në Evropën ku edhe ne kërkojmë të integrohemi.
Mik i dashur, sot e ardhmja jote është në rrezik!
Qeveria Italiane pas protestave të operatorëve vendosi me urgjencë të miratoj dekretin për konkurueshmërinë si pjesë integrale e Projekt Buxhetit 2017. Për historik, ky dekret flinte në sirtarët e Parlamentit Italian që nga viti 2012, por ja që do duhej protesta, zeri i 2,500 punonjësve që ta zgjonte këtë dekret duke vënë keshtu në dileme të ardhmen tënde profesionale.
Sot në Shqipëri të punësuarit në këtë sektor janë rreth 30,000 vetë, një industri e mirëfilltë për vetë stukturen ekonomike. Ky sektor ka patur një rritje të vazhdueshme gjatë ketyre viteve të fundit, duke e bërë atë prioritar, kryesisht për punësimin e rinisë.
Sot dhe vetëm sot, pas thirrjeve alarmate të Libra-s, një jave përpara miratimit përfundimtar të ligjit Italian për delokalizimin e këtij sektori, u zgjua nga letargjia e pazarit të ditës Ministria jonë përgjegjëse për zhvillimin ekonomik dhe ajo e mirëqenies sociale. Një takim i vonuar ky, organizuar me punëdhënësit tuaj. Konkluzioni i takimit konfirmoji edhe njëherë paaftësinë, disinteresimin, mosnjohjen e problematikës si dhe mungesën e përgjegjshmërisë të kësaj klase drejtuese. Nga fjala e dy drejtuesve të Insitucioneve u lexua qartë abandonimi i anijes ku Ju kishit thurrur të ardhmen tuaj. Për të qënë edhe më i qartë me kronikën, u deklarua se Ministria po studion Legjislacionin e BE-së dhe se Ambasada Italiane është sinjalizuar për problematikën.
Me padurim prisja që nga tryeza e djeshme të kishte një përgjigje zyrtare lidhur me këtë shqetësim, një reagim dinjitoz siç i shkon për shtat çdo klase drejtuese kur cënohen interesat e qytetarëve të saj. Por ajo çka ndodhi dje ishte vërtet e turpshme, tallëse, fyese për të gjithë ne. Për ta punësimi jonë nuk përbën proiritetin por taksiratin, ne nuk jemi deti por shkëmbi, si konkluzion edhe këtë herë ne jemi jashtë axhendës së tyre.
Zhgënjimi tanimë u bë i prekshëm, pritshmëria për një lobim të mundshëm nga ana e qeverisë lidhur me këtë problematik edhe kësaj here nuk mori një përgjigje.
Mik i dashur, reagimi i 2,500 punonjësve të Almaviva-s duhet të jetë shëmbulli jonë. Është koha ti kërkojmë kësaj klase drejtuese të dalin nga zyrat e errëta të Ministrive, ti shkundim nga poltronat komode për të parë në sy 30,000 të rinj, të dëgjojnë zërin tonë me shpresën se ka ende një mundesi për ta evituar këtë kolaps.