Ngjarje

Silva Loka

Varfëria mund të perceptohet në shumë këndvështrime e, si e tillë, mund të gjykohet në disa aspekte  qё  prekin  mënyrën se si ajo ndikon në mbijetesën dhe cilësinë e jetës së njeriut. Por ka vetëm një mënyrë për ta perceptuar varfërinë për se si ajo ndikon mbi zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve: VARFËRIA është një kërcënim real i  jetës së fëmijëve, VARFËRIA është forma më e rëndë e dhunës ndaj fëmijëve, VARFËRIA e fëmijëve është hipoteka që garanton trashëgimin e statusit ‘I VARFËR’ nga njëri brez tek tjetri.

Sot po jetojmë ditë në të cilat po fillon të flitet, mё nё fund, për Minimumin Jetik si mënyra e duhur për të garantuar të drejtat themelore të njeriut. Për detyrimin që një shtet duhet të ndjejë për të siguruar që ҫdo shtetas, të ketë të garantuar një shumë të ardhurash në mënyrë që të plotësojë kërkesat minimale të qenieve njerëzore, kërkesat fizike dhe sociale. 

Sot po jetojmë ditë në të cilat, përtej shifrave dhe retorikës, diskutimi për Minimumin Jetik duhet të kthejë vëmendjen tek rëndësia e jetës, tek nevoja që kemi të gjithë për të besuar se jeta e njeriut dhe garantimi i saj, është misioni më i madh i një shteti dhe prova më e pakundërshtueshme e suksesit të tij. 

Pasqyra e vërtetë e një vendi janë fëmijët e tij, shëndeti dhe siguria e tyre, mirëqënia e tyre materiale, arsimi dhe shoqërizimi, gjallëria dhe gëzimi i tyre, liria dhe vlerësimi që ata gëzojnë në familjet e tyre dhe në shoqëri. Dhe varfëria i kërcënon fëmijët në të gjitha këto dimensione. 

Sot, 1 në katër familje jeton nën nivelin e varfërisë relative. Thuajse 50% e fëmijëve, nuk jetojnë në mënyrë të shëndetshme. Vetëm 44.4 % e fëmijëve arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit në pesë ditë të javës, ndërsa vetëm 30.7 % e fëmijëve kryejnë aktivitete fizike. Si përkthehet kjo? Fëmijë të pazhvilluar, të lodhur pa e filluar ende ditën, të prirur për t’u sëmurur, të deprivuar nga aktivitet fizike dhe sociale, të destinuar me një jetë të cunguar prej të rrituri.

Sot, vetëm gjysma e fëmijëve frekuentojnë arsimin parashkollor dhe atë të mesëm në shkallë vendi. Si përkthehet kjo? Fëmijë të paarsimuar, të prirur të mendojnë se ata nuk mund t’ia dalin mbanë, të nxitur të besojnë se shkollimi nuk është mënyra e duhur për të dalë nga varfëria, të drejtuar drejt tregut të punës si shpresa e vetme për të mbushur barkun, të destinuar të mbeten jashtë shkollimit dhe edukimit në vazhdim përgjatë gjithë jetës së tyre. 

Sot, 20%  e fëmijëve të moshës 15/17 vjeccare nuk marrin pjesë as në arsim, as në punësim, as në trajnim. Kjo do të thotë se 20% e fëmijëve të kësaj moshe nuk është aktiv në shoqëri. Si përkthehet kjo? Fëmijë pa interesa për veten dhe jetën, të prirur drejt sjelljeve të rrezikshme për shëndetin dhe shoqërinë, të pamotivuar për të ndryshuar situatën e tyre. 

Dhe ndikimi veҫse negativ i varfërisë ndaj zhvillimit të fëmijëve bëhet edhe më alarmant po të konsiderojmë nivelin e vdekshmërisë foshnjore dhe fëmijnore, numrin e fëmijëve të lindur nën 2500 gr, numrin e fëmijëve familjet e të cilëve jetojnë nën skemën e ndihmës ekonomike për të paktën tre vjet, etj, etj.

A është garantimi i Minimumit Jetik një zgjidhje? Sigurisht që zgjidhja e përkryer do të ishte eliminimi i plotë i varfërisë, por garantimi i Minimumit Jetik do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. 

Minimumi Jetik do të garantonte mirëqenien materiale, shëndetin dhe sigurinë, arsimin dhe zhvillimin social, strehimin dhe mjedisin e shëndetshëm për të gjithë fëmijët, duke kapërcyer varfërinë, duke kapërcyer pabarazinë sociale. Kjo do të thotë fëmijë të shëndetshëm, të arsimuar, të qetë, të mbështetur. Kjo do të thotë një hap më afër fëmijëve të lumtur. 

LIBRA po i jep Minimumit Jetik vëmendjen që do të duhet të kishte prej kohësh. LIBRA e ka Minimumin Jetik kryefjalën e saj. LIBRA do ta bëjë garantimin e Minimumit Jetik kryeveprimin e saj. Sepse për njerëz që besojnë se pasqyra e një shteti janë fëmijët, në këtë rast, të thënën nga e bëra nuk e ndan asgjë.

Marrё nga “Varfёria e fёmijёve ne Shqipёri” Observatori pёr tё drejtat e fёmijёve, mbёshtetur nga Unicef