Probleme migjeniane - Engjell Luci
Përditë shoh qartë e ma qartë
E vuej thellë e ma thellë…
Këto ishin fjalët e fundit, të atij që theu tabutë në letërsinë shqipe, të Migjenit, ndërsa jepte shpirt nga tuberkulozi në një nga sanatoriumet e Torinos së Italisë. I frymëzuar nga realiteti i dhimbshëm deri në ekstrem, i dha një grusht të fuqishëm miteve romantike për Shqipërinë e kohës.
Edhe sot, pas gati 79 vjetësh nga vdekja e tij (1938-2017), mua lexuesit dhe pëlqyesit të filozofisë së tij, më kumbojnë akoma në vesh e tru, teksa eci rrugës, metaforat tmerrësisht dhimbëse të tij. Eci mes rruginash të një lagjeje të varfër ku valojnë trishtueshëm flamuj melankolie. Pas çdo hapi që hedh, fytyra të zbehta, sy të jeshilta, shtrijnë duart e mpira në kërkim të një lëmoshe për të siguruar ditën. Vazhdoj rrugën me dhembjen që më ther në gjoks… Buzë trotuarëve gëlojnë pijetoret, i vetmi melhelm për të mbytur paksa helmet e lagjes së varfër. Diku më tej është një shkollë. Ja, prej së largu shoh një Lul të vocërr, që, me tollumbat e tij gojë-balenë, mezi qëndron në këmbë para mësuesit, e tollumbat e tij sikur duan ta hanë mësuesin. E ëma e pret diku më larg. Ajo shet ç’të mundet aty! Sa të mbajë frymën gjallë dhe të voccrin Lul, se për lekët e librave të shkollës, as që ia mban kurrizi! Kaloj kryqëzimin. Aty brinjazi, mure të lartë të rrethuar me tela me gjemba, e brenda tyre, po përsëri mure me ca dritare pa xham, vetëm me hekura. Pas mureve ngërthehen si në ngërç, fuqishëm, ca palë duar njerëzish, sytë e të cilëve u janë ngulur një aeroplani që moskokëçarës çan kaltërsinë e qiellit. Shumë prej tyre, të burgosur “elektrik’. Me këmbët e lodhura, jo prej rrugës, po prej ç’ka parë syri e menduar mendja, vendos të eci më tej. Reklamat e një banke shfaqen në horizont. Në dyert e saj kilometri i radhës nuk ka të sosur. Shumë duan kredi të ringrenë pullazin që i ra nga kalbësira e kohës dhe nga pesha e qiellit. Pas bankës, ca metra më tutje, derrat e kënaqur me fytyrë Sokrati, rehatojnë mollaqet e tyre në karriget e pushtetit. U përplasin derën në fytyrë këngëtarëve të mjerimit, dhe djallëzisht u bien daulleve duke bërë show nëpër ekrane. Sokrat ziu, rri jashtë e vuan. Tashmë, me errësirën e natës mbi shpinë, kthehem drejt strehëzës sime. Ca fëmijë rendin me vrap për të trokitur në një portë për të lypur bukë, vaj, kripë. E i trokituri në portë, me dhembje në shpirt, u thotë: “Zoti të dhëntë!” Sapo kaloj pragun, rehatohem dhe pregatitem për të ngrënë darkë. Hap televizorin dhe përsëri r njëjta pamje… derri i kënaqur, këngëtarët e mjerimit dhe Sokrati. Një mendim më shkreptin në mendje, i fundit flamur shprese:
“Në zyrë duhet të vijë Sokrati!”