Nga Jak Perpalaj
Pranvera e ngrirë e Shqipërisë
KOHA
Koha është ngarkuar tepër rëndë
Jepjani dorën ndershmërish
Merrini nga supet ç‘mund të ngreni vetë.
Ndihmojeni të shkundet
T’i hedhë përtokë
Të strukurit në trupin e sajë
E të shpejtojë.
Koha rreth njeriut sillet!…
Botuar te gazeta “Drita” 23 tetor 1987
Në muajin tetor të vitit 1985 u mbajt një Konferencë Kombëtare për talentet e rinj në letërsi dhe arte në teatrin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit( atë ditë u shkruajt kjo poezi) .
Fjala e mbajtur nga Ismail Kadare asokohe, duke krijuar një gjendje pezullie e heshtje, për të mos humbur asnjë fjalë pa u endur jehuese në gjykimet e të pranishmëve, që ndienin të ishte krijuar në krye një shtresë, më e pakta bllokuese e shtypse, si e askujt tjetër, me ngjiti në kujtesë për ta sjellë shpesh në mendime në vitet që erdhën më pas.
Fjala e tij ishte frymë lirie. Shkrimtari kritikoi fort kohën e ngrirë në letërsi, ndër të tjera tha se redaksitë i ka zënë myku, të rinjëve të talentuar u krijohen shumë pengesa. Në sallë ra heshtje, aty në presidium qenë ulur Nexhmije Hoxha dhe Foto Çami, ndërsa kishin ulur kokat dhe ishin errur në fytyrë. Si dolëm në pushim, Kadare po ecte i zymtë, ndoshta duke endur nëpër mend ato çka kishte kumtuar duke lënduar udhëheqësit e partisë dhe krijuesit servilë të regjimit. Aty përjashta me Muj Buçpapajn , Spase Thanasin, Marash Mirashin e Shefqet Mekon siç po bisedonim për kurajon e tij, e ftuam dhe bëmë disa foto. Dhe sërish vazhdoi konferenca ku do ta kritikonin ashpër Kadarenë, dikush drejtpërdrejt e dikush pa i thënë emrin, por kuptohej qartë kujt i drejtoheshin. Askush tjetër aty, në dy ditë as që guxoi të kritikonte pengesat që nxirrnin redaksitë, as që u tha dikça tjetër që gërvishte sadopak burokracinë e mykur botuese. Kadare ngjallte shpresë dhe e bënte më të tretshme ngurtësinë e kohës. Natyrisht që ishte e rrezikshme.
Ne studentët që pëlqenim letërsinë dhe lexonim veprën e tij, aty kishim gjetur atë lëndë që tejkalonte perden e regjimit dhe na printe drejt lirisë shpirtërore. Kjo pëshpëritej në rrethet e ngushta kudo e ndërkohë ndihej edhe shtypja e rretheve të ideologjizuara që e njihnin veprën e Kadaresë por ishin të përkushtuar ndaj regjimit, të tjerë që lexonin volumet e Enver Hoxhës me zell, por as mund të shijonin këtë vepër, biles e shihnin me dyshim si të rrezikshme nëse partia nuk e mbante nën kontroll.
Vepra e Kadaresë gërmonte ngurtësinë nga brenda, e zgjeronte shikimin por edhe ndeshte kumbuese me muret e kohës, çka e bënte edhe më ndikuese pasi krijohej aty brenda sitemit të mbyllur, në praninë tonë. Në ndërgjegjen e të rinjëve dhe atyre që ndienin shtypjen e lirisë, asaj shtrese që ishte më e vetdijshme, ndihej ngrirja e frymmarrjes në një hapsirë të kufizuar si prej qelqi të ftohtë dhe lënda më e mundshme me dalë përjashta ishte letërsia, ajo e larta të shpinte më larg e të bënte me ëndërrue më tepër e më qartë, çka të bënte me dallue edhe maskën ideologjike e ndërkohë me shque edhe plasaritjen e ngricës. Fije bari përmes saj, kishin sythue. Mjeshtria, shija e hollë, cilësia e lartë e bëjnë veprën, kundërshtare të ideologjsë e të shtypjes. Natyrisht që Kadare nuk qe i vetmi, por të shumtit nga idealistët gjendeshin në varrburgun e regjimit dhe nuk mund t’i përcillnin mendimet te ne.
***
Koha e ngrirë, shkriu me lëvizjen e dhjetorit, një dallgë e zjarrtë shpirtërore u shpërnda në mbarë vendin, rinia priu me energjitë e zgjuara në ëndërra të mundshme . Të zgjedhurit si krushqit e prirjes së demokracisë, nuk qenë aq idealistë. Ata e ngjyen idealin e rinisë dhe të mendjeve të ndritura me shijen e përfitimit material dhe nëpër rrugëtim zunë ngrica të reja, u rënduan dhe u mpinë nga gjymtyrët dhe nga të menduarit, e shkuemja brenda tyre zuri me përtëri filizat e egër në nënshartesë dhe frytet e tyre i thartuen tej mase.
…Tani krushqit kanë ngrirë, po kush i ka ngrirë krushqit tanë, çfarë sëmundje i ka zënë kaq e rëndë?! Nusja ka mbetur në rrugë, ndërsa shtëpia ku duhet të mbërrijnë së bashku me nusen është Evropa. Atje përpara, ajo pret … por asnjë hap i plotë. Në çdo hap ka marrëmendje, një sëmundje e rëndë trullosje, kanë humbur drejtimin.
Tani tjetërkush duhet t’ua shkëputë nga kthetrat …. Në këtë çerek shekulli , ata e kanë çveshur nusen dhe nuk mund ta shpien atje( në Evropë) ashtu të shpërfytyruar. Kanë frikë të afrohen, shmangen ashtu me ngathtësi, se mund edhe të dalë e vërteta se si ia kanë futur duart. I kanë marrë dhuratat,semraldet, unazat, varset e florinjëta, si dhe e kanë tërhequr e mënjanuar rrëzave e skutave dhe e kanë përdhunuar. Mundet edhe t’i gjykojnë… ndërkohë që, ata e duan për vete, për epshet e tyre të panginjura. Megjithse ju dërgojnë here pas here lajmësa, qartësues të rrugës, mbështetës, akujshkrirës… ata sillen rrotull. Çfarë magjie e zezë i ka zënë?!.. Ka shumë gjykime e hamendje por ajo çfarë është më e dukshmja janë dehur e kanë kalue në dalldi. Ndoshta ai që u ka dhënë nusen u ka hedhur diçka në pije se ashtu ia ka dashur puna, ata mandej janë hedhur në valle të harbuar e rrugën e kanë marrë mendjeçakërdisur. Po pse të ketë ndodhur kështu?!... E duan për vete nusen, me çdo kusht…Krushqit, bile edhe janë përleshur por edhe janë pajtuar, janë pra në udhëkryq të një moti të lig. Andaj ka shterruar entuziazmi e është tretur nga pritja e tepërt, tejpritja, është shtuar mërzia, është shfaqur ankthi, po tretet në hirin e vet edhe shpresa. Thonë se… çfarë nuk thuhet," nusen ua kanë marrë banditët pasi u zunë pusi", thonë se " krushqit janë turpëruar dhe sillen pyllit të lemeritur" . ..
Atje përpara dritat janë duke llamburitur, hajdeni u thonë ; vijnë nga shtëpia e dritës së Evropës e ju japin dorën për t’i ringjallur, për t’i bërë të zotët për rrugë por asgjë nuk ndodh, ata sillen rrotull nëpër ngrirjen e tyre, herë me frikë kur shkrijnë pakëz, herë në lumturinë e ngrirjes.
Gjendja po rëndohet, pranvera erdhi, atje në mal, ku kanë mbetur, moti shkrin ngadalë, bile në atë lugajë mbrapshtie ndodh të shkojnë pranvera e vera e të mbeten borëra të pashkrira dhe ata krushqit e ngrirë ngjajnë si të gjallë, por nëse kjo verë do të vijë e ngrohtë, do të tretet bora dhe krushqit e ngrirë do të dalin në krye dhe do të rrëzohen në kalbësinë e tyre. Ata e dinë, janë më mirë të ngrirë se sa të kalbur. Oh kalbësia, është çlirim, është nënshtresim. ..nuk e durojnë dorzimin si kalbësi.
…Dritat ndriçojnë përpara , nusja është e zemëruar, përpiqet të dalë nga qerthulli i ngricës, t’i lërë krushqit e rrëmbyesit mbrapa e të arrijë atje. E presin, i kanë ndriçuar rrugën, po lufton… Thonë se krushqit i ka rrënuar shëndoshja, dhjami, yndyra e dhjamit i ka mveshur dhe u ka zënë sytë e nuk shohin vetëm aty rrotull, nuk i dallojnë stinët, u ka zënë veshët leshi i dhjamtë, nuk i dëgjojnë cicërimat e zogjëve, gjethet njomzake ndër lisa, veçse kanë instikte. U ka rënë te këmbët dhjami, që ngrin e shkrin. E kanë të pamundur të ecin.
***
Që prej atij ndryshimi të nëntëdhjetës, u zgjuen enregjitë që thuajse kishin ngrirë në hullitë e mugesës,me euforinë e bymimit,shoqëria u shkëput nga gjendja në të cilën ishte ndodhur. Shumkush me dëshirë e guxim, dikush me pahir, u shkundën, gjendjet e fjetura në shtypje u përtërinë, dhe sekush u veçue apo u përshtat në rrjedha a grupime dhe zuri me u afrue aty ku mendonte me gjetë vetveten në parti a shoqata, biznese a grupime letrare e artistike.Ndërkohë shpejt u shfaqën edhe nga ata që i preku hieja e dyshimit se diçka e mbrapshtë po zinte fill dhe shoqëria nuk po futej në normalitetin e një konkurence vlerash dhe humanizmi. Kanë qënë "demokrafikasit"djathtas- majtas që i kishin shërbyer regjimit që u shemb, bash sevilët, lëpirësit ata që ndërkomunikuan dhe u ndërfutën nëpër shërbimet përfituese me zell e që frymëzuen më të parët, më të ligën. Në këtë amulli ringritje që shkonte edhe duke lulëzuar prej çlirimit të sistemit të rrëzuar, herë me gjëmbaçë e herë me lule, po bëhej përherë e më e vështirë për të mbërritur ëndrrat.Idealistët u shmangën, duke përdorur të gjitha ligësitë. Dhe vera nuk erdhi kurrë për t’i pjekë frutat që priteshin. Po çfarë kishte ndodhur?! Ja që dikush në përpjekje për të thithur lëndën e të tërës u çmend, dhe e la stinën pa ardhë në kopshtin e përbashkët. Mori ujrat, mori dherat, mori diellin. Ne nuk mund t’i shijojmë stinët… fruta tona nuk mund të hyjnë në stinën e pjekjes. Po kush është kaq i uritur, a thue i shtohet uria dhe është bër i pangopshëm?! Moti ynë po i krimb dhe po i han lulet e frutat, pasi i mbulon me brymë.Të shohim këtë verë, shoqëria shqiptare është në rënie, koha ka ngrirë, krushqit e ngrirë janë aty ndër sytë tanë, aty gumëzhin një gjendje e rënduar, gjendemi të marrë peng dhe kërkojmë mëshirë nga krushqit, pengmarrsit e nuses tonë. Ata kërrleshen, bërtasin: kush do ta mbajë këtë katër vitësh, kush do të na shalojë në sheshin e shtetburgut?! Po, po, ky është territori i burgut, veç kemi dal nga varrburgu dhe gjendemi në rrethimin përjashtë qelive. Çudi, të pranojë një popull I tërë të bjerë në gjunjë në këtë më mënyrë?! Çudi të ketë kaq shumë shërbëtorë regjimesh?!
Atdheu im… tashmë kam bindjen se ky vend ka aq shumë lakenj, sa mund të mbajë në këmbë çdo diktaturë, nëse nuk do të ishte faktori Euroamerikë. Vërej me trishtim të njohur që u lëpihen krahëve të politikes dhe ndërkohë edhe shtiren si mbrojtës të demokracisë, nuk besoj të jenë kaq të marrë, por janë lëpirës ... Kjo gjendje është fytyra tjetër e regjimit të shkuar, ka një shprishje të mahnitshme që po i shërben të keqes ...ka përpjekje për të fundosur çdokënd që nuk është pajtuar e nuk pajtohet me këtë gjendje. Vetëm të qenurit brenda këtyre rrathëve që vijnë duke u shtrënguar të mbron të bën e zhbën… është vuajtje...Koha e ngrirë e Shqipërisë...ka një heshtje ndaj të vërtetës thelbësore, po gjymtohet ndërgjegjia që u zgjua në nëntëdhjetën, dikush kontrollon gjithçka në bashkpunim me ata që ne i zgjedhim.Po përse i zgjedhim dhe mandej i mallkojmë?! …
Është e pabesueshme, kjo pjellë politike të jetë kaq e uritur sa të mbrapshtojë për një çerekshekulli, ta çorientojë e t’i rrënojë çdo shpresë normalitetit, të mbështesë horrat e lakejtë e këtij vendi, bile t’i kultivojë e shtojë ata, të cilët me ato çka kanë bërë këtu, kanë tejkalue pushtimin e ushtrive të luftës së dytë botrore.
Tashmë është e besueshme se në Shqipëri është banka e errët e krimit që kontrollon gjithçka. Nga çdo e ardhur që futet në buxhetin e shtetit e ndërkohë që nxirret prej tij është dora e zezë që vjedh. Në çdo rrugë, shkollë, spital, urë, fasadë të rikonstruktuar,konçension ka vjedhje tronditse ndërsa një pjesë e konsiderueshme vidhet pa u futur në buxhet, në dogana, tatime, energji elektrike,miniera, naftë e pyje. Në Shqipëri nuk ka kurrfarë mafje përveç asaj të krijuar nga vetë qeveritarët, këta, kur ua don puna, kur i zen halli apo interesi kapin edhe hajdutin më të rëndomtë bile krijojnë edhe hajdutë të paqënë.
Çdo njeri dinjitoz do të pranonte të dilte para togës së pushkatimit, por jo t’i bënte popullit të tij këtë poshtrim. Urrejtja, shpërfillja është e pamëshirë ndaj vlerës, në çdo anë të vendit janë celulat që vijnë duke u ndërlidhur deri në krye të qeverisë. Çdo individ që ka krijuar, investuar, punuar për të formuar në vetvete vlera dhe nuk përkulet, nuk nënshtrohet e nëse je dikush, për të mbetur njeri i pazhbërë… duhet ta lërë Shqipërinë ose të struket. Piramida zë fill që në skutën më të largët, kudo janë rrjetat që kontrollojnë e përthithin çdo individ, duke mbajtur kapur e nën vemendje me lupat që varen në rrjetën e krimit. Kjo vazhdon gjatë gjithë kohës. Janë krijuar intelektualë kukullecë, shërbëtorë të pushtetit pusht, kjo lëndë intelekti e fryrë më qelb shërben duke u njomur me majmëri. Është sëmundja e mjeranmediokërve të vetëshpallur intelektualë, shpurë e ndikimit mbi masën e gjerë. Ka ndodhur ajo më e rënda, shtresimi në krye të shoqërisë e asaj nënshtrese mediokre e nënmediokre dhe kriminale si membranë mbështjellse e paralizuese, çka ka bërë të krijohet një kupolë në krye të çdo vlere duke e shtypur e rrënuar atë që është e epërmja. Fjala e intelektuale të vlerave të larta nuk përfillet qoftë të gjendur këtu apo jashtë Atdheut.Një mendim i rrafshët qerthullon e sundon kudo përmbi jetën tonë.
Ndoshta e shkuara më vonë do të vjellë gjatë mbi ndërgjegjien tonë me këtë lëndë të kalbur, ata pinjollë të mbështetjes të së ligës, një vjellje që do të na shkaktojë shumë dhimbje, për ta nxjerrë nga stomaku.
Në këto rrethana, nëse klasa politike do pranonte këshillat e mendjendriturve brenda e jashte atdheut( natyrisht pa mendjen e ndritur jashte atdheut nuk do te jete e mundur) gjendja do kapërcehej me dinjitet, por e kanë të vështirë krushqit e ngirë
Poezinë KOHA do ta shkruaja edhe sot në këtë pranverë të ngrirë te Shqiperise