Disa pyetje për të dashurën Linditë
nga Engjell Luci
Binin tamtamet e propagandës disa vjet më parë dhe pretendohej të rrëzohej sistemi i kalbur deri në rrënjë, ku një ndër shtyllat kryesore të saj ishte pikërisht arsimi. Të shumtë ishin ata që I besuan asaj propaganda çoroditëse për trutë e veshët. Lumi i kohës provoi të kundërtën, të vërtetën e mashtrimit.
Si çdo njeri i zhgënjyer dhe i revoltuar, më lind një pyetje: “Pse po tallen ?”. Si një student, që së pari kërkoj të vlerësohem me dinjitet, më lindin me miliona pyetje …
1. Më thoni, e dashur Linditë, pse mban pas vetes njerëz ryshfetxhinj dhe të paaftë ?
2. Më thoni, e dashur Linditë, pse pretendon për shkëlqimin e pseudo-reformës, kur vrau me mijëra ëndrra të lira dhe që iu kthen ju domosdoshmërisht në një kriminele? Vrasja e ëndrrave është vrasje e të ardhmes së shoqërisë.
3. Më thoni, e dashur Linditë, pse refuzuat të ulni kuotat e tarifës së së viteve të studimit, duke iu hequr kështu një barrë të rëndë financiare studentëve nga kurrizi ? Të paktën sa për sy e faqe. Ne nuk jemi bij ministrash që të studiojmë në Francë !
4. Më thoni, e dashur Linditë, pse akoma lini në vende pune drejtorë dhe mësues që përçojnë vetëm injorancë ? Kjo është një tjetër vrasje, madje akoma më e rëndë !
5. Më thoni, e dashur Linditë, pse drejtorët e tu kërkojnë së paku 5000 euro për të ushtruar profesionin fisnik të mësuesit ? Një tjetër hallkë e dhembshme në zinxhirin e vrasjeve !
Kam një varg pyetjesh për të të bërë, por nguroj sepse frikem nga ideja se kur të jesh duke menduar përgjigjet, nuk do të arrish të zbulosh vlerën reale të paafteësisë tënde vrastare. Uroj që një ditë, kur sapo të jesh zgjuar nga gjumi, të dalësh përpara pasqyrës e të thuash : “Po, tani e di se sa e paaftë jam!” Dhe ai mëngjes do të jetë çlirimi yt !