ARKIVË/ Kongresi përfundoi, çfarë do të hamë dhe kur do të fillojmë të punojmë
Ilir Sinanaj
Që të marrësh 1 milionë vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 e më pas të korrësh po një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe po në këtë vit të fillosh të merresh 5 muaj me propagandë (vazhduar në vitin 2016) për të rritur radhët e anëtarëve të forcës politike, duke mos ngurruar të “justifikohesh” pa reshtur kundrejt një opozite të tkurrur numerikisht, këtë mund ta bënte vetëm lidershipi i Partisë Socialiste! Por çfarë po ndodh realisht me Partinë Socialiste?
Reforma që duket nuk do kallauz
Këto 5 muajt e fundit forca politike që përbën pjesën më të rëndësishme të qeverisë është marrë me fushata anëtarësimesh, ku qytetarë të ndryshëm, në dalje publike të pasyquara drejtpërdrejtë nga media, kanë folur për historitë e tyre të suksesit, duke “u ngatërruar” e duke falënderuar “pa dashje” partinë dhe jo qeverinë, që mundësoi terrenin e suksesit të tyre. Rezultati i kësaj shfaqjeje, e ngjashme me “fushata tufëzimi apo mbarështimi” të ndërmarrë nga Partia Socialiste, jo vetëm nuk ia kanë përmirësuar imazhin kësaj force politike, por përkundrazi ato kanë lënduar tmerrësisht shpirtin e socialistëve të ndershëm, që kanë intelekt, që përballojnë me punë e vullnet të palodhur vështirësitë e jetës dhe që i kanë dhënë votën sa e sa herë... Nga ana tjetër lind pyetja, kur kryeministri Edi Rama deklaron sukseset e qeverisë të përqafuara nga shqiptarët, të cilët e kanë mbështetur me votë plebeshitare si në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ashtu edhe në ato vendore të vitit 2015, pse vallë i duhen anëtarë të rinj Partisë Socialiste, që t'i bashkohen kësaj force në mënyrë kaq të mediatizuar, duke folur për “sukseset” e qeverisë? Shqiptarët e kanë votëbesuar fuqishëm 2 herë rresht Partinë Socialiste dhe normalisht reformat që duken nuk duan kallauz. Por mos vallë, lindin hipotezat nga sa më lart, qeveria nuk është në pritshmëritë e duhura të votave të shqiptarëve dhe a mos vallë, për rrjedhojë, Partia Socialiste e ka nisur më herët fushatën zgjedhore për vitin 2017? Por mbi të gjitha, a është lidershipi i Partisë Socialiste kaq i sigurt se shqiptarët janë mjaftueshëm “idiotë” sa pas këtyre shfaqjeve, elektorati i tyre do të fuqizohet dhe intelektualët do të vazhdojnë ta mbështesin këtë forcë politike?
“Qëllimi” i Kongresit
Gjithçka ndodh për një arsyes. Nëse reformat e ndërmarrë nga qeveria do të ishin të frytshme dhe do të vënin në lëvizje kapitalin njerëzor shqiptar, atëherë nuk kishte fare pse Edi Rama të shpërndante tesëra partie anembanë Shqipërisë. Por unë mendoj se lidershipi socialist është i ndërgjegjshëm për pamundësinë për të bërë ndryshimin, për të cilin qytetarët votuan mazhorancë e majtë, dhe kështu krijohen gjithë këto shfaqje mediatike për të tërhequr vëmendjen dhe për të siguruar votat për zgjedhjet e ardhshme. Kulmi i këtyre shfaqjeve mediatike ishte “zhurmnaja rilindase” me siglën e Kongresit. Mediatizimi i romuzeve dhe përplasjeve ndër eksponentë të lartë të Partisë Socialiste, nuk ishte gjë tjetër vetëm heqja e vëmendjes nga pyetja e shumë shqiptarëve: Çfarë do të hamë dhe ku do të punojmë për të fituar para për të ngrënë? Nuk pamë në Kongresin e Partisë Socialiste parashtrim idesh konkrete për të rigjallëruar këtë forcë politike. Por e gjithë atmosfera para dhe pas Kongresit është një vërtetues i saktë se parashtrim idesh konkrete dhe progresiste nuk do të kishte.
Marrë nga një koment i botuar në droni.al, më date 21 mars 2016