Do të doja ta filloja këtë shkrim me një pyetje ndaj kujdo që po e lexon.
Çfarë simbolizon e kuqja për ju?
Me siguri, një mori ideshë po iu vijnë ndër mënd. Mirë, le të fokusohemi te kuptueshmëria e nuancës së kësaj ngjyre në lëmin politik. Tanimë gjithçka fillon e qartësohet. Çka është e kuqja për një shqipëtar si ti dhe unë.
E kuqe si gjaku i zharriotëve anonim për qeverinë por që si për çudi po kjo e fundit do ti pagëzojë me emrat respektiv në listat e zgjedhësve të qershorit.
E kuqe si hakëmarrje sepse ende në këtë vend mbizotëron vetëgjygjësia ndaj një gjygjësori që ka ikur në drejtim të paditur.
E kuqe si turp sepse tranzicioni në infinit na skuq para demokracisë që nga dita në ditë kthehet në utopi. Apo si turpi i një prindi që nuk ka kurajon të dalë para fëmijës për realitetin që i dhuron. Turpi si ai që nuk kapërdihet sepse as bukë nuk kemi.
E kuqe si e kuqja e Onufrit që nëse do të ishte gjallë nuk do mund të ishte “Politor” (mutacion gjenetik midis një piktori dhe një politikani).
E kuqe si STOP që në të përditshmen tonë e ndeshim kudo në “soap operat” politike që transmetohen në media, apo kur e drejta e fjalës së lirë duket si gjellë pa shije.
Ekuqe si shalli i Pionerëve, nuk e di ju por unë në Tiranë shoh ende të sfilojnë sheje të tillë që sdihet në janë shpluhurosur rishtas nga ndonjë sunduk apo thjesht një e shkuar aktuale që rrekemi më kot të mohojmë.
E kuqe si e pamoralshme, diku ne Europën e ëndërruar egziston një rrugë me emrin “Rr. e dritave të kuqe”. Falë grykësisë të pafund të atyre që na qeverisën e na qeverisin edhe ne tanimë mund të ndihemi “Europian” sepse kemi “Politikën e Dritave të Kuqe”.