Blog

Nuk dua ta nis këtë shkrim ashtu siç bën pjesa më e madhe e njerëzve në raste të tilla nëpër rrjete sociale. Asnjëherë nuk kam për ta përqafuar  dukurinë që shoqëron datën 8 Mars në vendin tonë.

Si fillim mendoj se duhet të ndalojme në dy momente kryesore: E para është historia se si lindi në të vertete në të gjithe botën, dita ndërkombëtare e grave/vajzave? Në 28 shkurt 1909 u përdor për herë të parë termi “Dita Kombëtare e Gruas”, të cilën Partia Socialiste e Amerikës e shpalli si ditë të tillë në sajë të protestës që rrobalarëset e Nju Jork-ut realizuan asokohe për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër, që u bëhej në punë. Më pas ishin të paktën 100 gra, përfaqësuese të një sërë vendesh europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagen të Danimarkës nën kryesinë e Klara Cetkinit, që vendosen që çdo vit 8 Marsi, të përkujtohej si Dita Ndërkombëtare e Grave. Që nga zanafilla e kësaj date e deri me ditët e sotme, data 8 mars kudo nëpër botë nuk festohet, por protestohet. Gratë dhe vajzat adresojnë dhe protestojnë për çështjet lidhur me barazinë gjinore, të drejtat e tyre, zhvillimin, punësimin etj. Mirëpo çfarë ndodh në Shqipëri? Një javë para datës 8 mars gratë dhe vajzat nxitojnë të prenotojnë parukieritë dhe lokalet. Tema e ditës i referohet ngjyres së flokëve, veshjes që do përdorin dhe vendit ku do festojnë. Dyqanet kanë xhirot e tyre ditore ndër më të lartat e vitit. Më pas vjen momenti i shumëpritur, fillon parada rrugreve, nre vendin e punës, takat e larta, parfumi që të çan hundën, veshjet me xixa e deri tek buzëkuqi blu i errët, portokalli. Nuk mungojnë as gumëzhimat që ngjasojnë më shumë me tufa bletësh, buzëqeshjet vesh me vesh (herë të ndiera e herë të shtirura), vallet që ja lënë vendin dollive dhe dhuratave të shumta, duke e përmbyllur ditën me qëndrime të cilat duket sikur thërrasin dëshpërimisht për vëmendje. Mbyllet e gjithë panorama e sipërcituar e një dite më përpara, tashmë zonjat dhe zonjushat janë të detyruara t’i rikthehen monotonisë së 364 ditëve të tjera të vitit. Për çfarë festojnë gratë dhe vajzat shqiptare: për papunësinë, varfërinë, dhunën, përbuzjen, abuzimin, nëpërkëmbjen, shfrytëzimin e ushtruar ndaj tyre?  Për simotrat e tyre jashtë Tirane, të cilat akoma dhe sot mbajnë turrën e drunjve në kurriz, për ato që nuk gëzojnë autoritetin që ju takon në familje, punë, shoqëri? Apo festojnë për ato zonja të cilat jetojnë akoma me kokën ulur dhe nuk mundën të kundërshtojnë asgjë nga pamundësia për të qenë të lira? Apo për një pjese të madhe që jetojnë në situatë mëshiruese? Jam unë ajo që ngre zërin dhe jam përkrahëse e fortë e potencialit gra&vajza, por më duhet ta pranoj që nuk kam ndonjë afeksion të vecantë për një datë të tillë. Fakti i të qenit femër nuk lidhet vetëm me një ditë në vit, as vetëm me vajzat & gratë e bllokut apo të kryeqytetit të Tiranës, por më thellë. Mendoj se ka ardhur koha që vajzat dhe gratë në shoqërinë tonë të ndërgjegjësohen, të kenë më tepër kurajo, ta ngrenë zërin për atë që ju takon dhe mbi të gjitha: të ruajnë figurën dinjitoze të tyren siç ju ka hije.