Blog

Nga Ardi Stefa

Personalisht, pavarësisht se shkruaj, ndiej e veproj si romantik i pandreqshëm, mendoj si realist. Dhe realistët, zakonisht janë cinikë.

Do të doja që moralin, sidomos në politikë ta ndaja në dy lloje.

Në moralin e bindjes (besimit) dhe moralin e përgjegjësisë. Bartësi i moralit të besimit udhëhiqet nga disa bindje e vlera, të cilat i ndjek besnikërisht dhe pa shmangie, pa u interesuar për pasojat e ndryshme. 

I dyti, bartësi i moralit të përgjegjësisë, është ai, i cili vepron duke përllogaritur pasojat e veprimeve të veta, duke njohur faktin se mban përgjegjësi për to, duke ditur faktin se mund të ftohet të japë llogari për ato ç’ka bëri.

Atëherë shtroj pyetjen: A ka moral politika? 

Padyshim që po. Ka moral, ka edhe etikë.

Kur i referohem moralit politik, etikës dhe urtësisë  së politikanëve tanë, nënkuptoj se si politikanët tanë kanë për detyrim të kenë disa aftësi të lindura, disa njohuri elementare, disa karakteristika të veçanta, të cilat gjenden të paktën në harmoni me karakterin, traditat dhe moralin e kombit. Morali dhe etika e politikanëve tanë duhet të jetë i tillë që sistemi politik të jetë i aftë të mbrojë veten, kombin dhe popullin nga rënia, zvetënimi e degradimi, nga mungesa e shpresës dhe vizionet e zymta të së ardhmes. 

Ne që besojmë te LIBRA dhe fryma që ajo do të sjellë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka ardhur koha të përzgjedhim moralin e përgjegjësisë. Se do të ftohemi për të dhënë llogari për çdo veprim apo përzgjedhje. Se do të ftohemi të njohim e pranojmë se  shqetësimi kryesor si figura publike e politike do të jetë shqetësimi për njerëzit, mbrojtja e interesit të përgjithshëm.

E ripërsëris: A ka moral politika?

E shtroj pyetjen dhe përpiqem të jap përgjigjen sepse në tre muaj jetë Libra përpiqet e do të përpiqet në muajt në vijim për të sjellë një moral të ri politik në Shqipëri. Natyrisht ka vështirësitë e veta. Përballë një sistemi të korruptuar politik e, shpesh herë social, ekonomik e kulturor, LIBRA ftohet të pozicionohet se çfarë do të përfaqësojë, e cilët do ta përfaqësojnë, jo vetëm në parlament, por edhe përpara qytetarëve.

Natyrisht që LIBRA ka vënë disa kritere, por a janë realiste e të mjaftueshme? Personalisht, besoj se në fazën dhe stadin në të cilin ndodhet LIBRA, ka nevojë që të jetë realiste dhe fitimtare, të paktën moralisht dhe nga ana etike.

Të jetë fitimtare politikisht me shtimin e deputetëve në parlament, por edhe moralisht me votat që do t’i shkojnë për përqafimin e programit nga ana e elektoratit, por edhe votat morale, ato të bindjes së elektoratit për kandidatët e përzgjedhur.

Më pëlqen hapja e partive, pasi nga “konfrontimi” i ideve, përzgjidhet më e mira, nga hapja për kandidimet mund të përzgjidhet më i miri. Por hapja e partive fsheh një kurth të madh. Diversionin e partive të vjetra, me njerëz të infiltruar (mos e merrni aspak si teori komplotiste këtë) dhe hyrjen e njerëzve me ambicie, të cilët i japin pak gjallëri partisë në fazën e parë, por që e asfiksojnë dhe e dëmtojnë në fazën e saj më vendimtare.

Njëri nga kriteret është që personat që kandidohen apo vetëkandidohen të deklarojnë se nuk janë dënuar asnjëherë.

Natyrisht që nuk mjafton të jenë të padënuar ndonjëherë. Duhet të jenë njerëz me integritet moral e qytetar. Të jenë intelektualë me reputacion,  jo vetëm në fushën e tyre, por edhe jetën sociale, të gëzojnë emër të mirë në qytetet ku jetojnë e punojnë. A ka njerëz të tillë?

Padyshim që ka. Çështja është se si duhen afruar, në mënyrë që LIBRA-s të mos i humbasë morali. As etika. 

Vetëpropozimi ka një të mirë, sepse fillimisht evidenton ambiciet e njerëzve dhe në fund shfaq arsyen e vërtetë përse këta afrohen, por kjo fsheh edhe rrezikun tjetër. Ruajtjen e status quosë aktuale politike të sistemit.

Zakonisht në partitë e reja afrohen e vetëpropozohen fillimisht të gjithë të larguarit apo të pakënaqurit nga “ndarja e tortës” në partitë e tjera të mëdha, të vjetra, siç na pëlqen t’i quajmë. Vetëpropozohen ata, të cilët, duke shfrytëzuar manierat e vjetra, me të cilat janë mësuar në partitë prej nga vijnë, përpiqen që, duke shfrytëzuar mundësitë e tyre ekonomike, fisnore, shoqërore, ose thjesht edhe megalomaninë e tyre të imponohen.

Fillimisht mund të shfrytëzojnë vetëfinancimin e partisë dhe mundësitë ekonomike të kandidatit për përballimin e fushatës. Por a duhet të jetë ekonomia, apo mundësia ekonomike e përballimit të një fushate kriteri kryesor?

Kam bindjen se jo. Në rastin e LIBRA-s do të ishte krejtësisht jashtë moralit të saj, që, duke qenë një parti e shtresës së mesme e të varfër, të përfaqësohet nga një biznesmen i paarsimuar apo me arsim të dyshimtë, pa integritet ose me integritet të dyshimtë, p.sh. në krye të listave për deputetë. Nuk kam asgjë me biznesmenët, përkundrazi. Një qëndrim i kundërt do të ishte utopi, ndoshta edhe marrëzi. Biznesmenët e mesëm dhe të vegjël duhet të jenë mbështetësit e kandidatëve. Aq më tepër që kjo kategori sociale e ekonomike është goditur shumë nga sistemi i padrejtë i taksave. Aq më tepër që kjo kategori ka punuar e punon ndershmërisht. Por në situatën aktuale, më tepër besoj se do të ishte humbje, sesa fitore mbështetja vetëm tek paratë e biznesit të dyshimtë, “biznesmenëve pa integritet moral e social” apo akrobatëve politikë. Do të humbisnim moralisht përballë atyre votuesve, të cilëve u kërkojmë votën apo u premtojmë ndershmëri, ndryshim e integritet. Do të ishte bjerrje kredibiliteti. Pa dashur të fyej e insinuoj ndaj asnjë kandidati duket sikur i themi elektoratit se përsëri po rikthejmë në parlament apo jetën politike ata persona me universitetet e autostradës Vorë- Tiranë, ata që kanë mbaruar universitetet më parë se të mesmen, të fortët, shokët e bastexhinjve, aventurierët dhe akrobatët politikë, vetëm e vetëm se kanë mundësi financiare të përballimit të fushatës. 

Do të risillnim përsëri në qendër të skenës politike vendimmarrëse, Doshin, Tahirin, Frrokun, Prengën & Co. 

Në këtë rast do t’i vendosim çmim lirisë tonë, zërit tonë. Që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, edhe brenda partisë, duhet të luftojmë më shumë varfërinë, armikun e përjetshëm të demokracisë. “Në demokraci është vota që llogaritet, në oligarki është llogaria (bankare) që voton”,-  shprehet politikani danez Mogens Jallberg.

Unë besoj, madje mund të vë edhe bast, se nëse një akrobat politik apo “biznesmen”, i cili afrohet e vetëkandidohet e ka ambicie për të qenë i pari, po qe se nuk merr “thelën” e madhe, të nesërmen nuk do të jetë në parti, madje do të punojë kundër saj...

A ekziston mundësia që të promovojmë atë shprehjen e famshme se: “Gruaja e Cezarit nuk duhet vetëm të jetë e pastër, duhet edhe të duket e tillë!”

Padyshim po. Ka dhjetëra intelektualë, të cilët nuk i kanë mundësitë ekonomike të përballimit të një fushate, por kanë vizionin, dëshirën për ndryshimin e vërtetë e real. Kanë idealin. Këta mund të bëjnë një fushatë të ndershme e me pak para. Shtëpi më shtëpi, takim pas takimi... Në rast se këta nuk afrohen, atëherë LIBRA humbet moralisht, politikisht dhe do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e status quosë aktuale politike, do të jetë një parti e vjetër, ende pa lindur mirë.