Kristina Murati
Duke lexuar artikuj gazetash, gjej njërin syresh që në mënyrë të veçantë më tërheq vëmendjen. Ndoshta sepse nuk iu besoja dot syve; ndoshta nga tmerri se mos ishte e vërtetë.
"Rritja e ndikimit të Rusisë në Shqipëri? Radikalizmi islamik?"; Sikur të mos mjaftonin gjithë sfidat me të cilat duhet të përballemi, në listë na shtohet risia e fundit, ndoshta shumë origjinale por pa dyshim për t’u peshuar.
Siç duket pra, surprizat e Kryeministrit Rama nuk kanë të sosur. Pas takimit me Kancelaren Angela Merkel, duke qenë se nuk arritëm të bënim ndonjë hap përpara me BE-në, praktikisht deklarojmë “ne na lusin” duke aluduar qartë për një afrimitet me Rusinë dhe një kah kundrejt radikalizmit islamik. Është e habitshme se sa shpejt e ndërrojmë pllakën, kërcejmë në këtë taktikë të dobët dhe për ç'arsye? Për të marrë më shumë vëmendje? Presion ndaj BE-së? Apo kjo është perspektiva, se Shqipëria nuk ngelet “thatë” ngaqë do t’i gjenden gjithmonë miq të mirë rreth e rrotull të gatshëm që ta mbështesin… por natyrshëm lind pyetja: “Të na mbështesin për çfarë?”
Nuk mund të mos bëj një paralelizëm me një fëmijë së cilës i është premtuar një "lodër" e re nëse sillet mirë, por mirë nuk është sjellë dhe rrjedhimisht "lodra" nuk është më kaq e prekshme. Meqë nuk arrijmë dot të shohim gabimet tek vetja, të jemi mendjehapur dhe të kthjellët duke kërkuar bashkëpunim konstruktiv, zgjedhim të jemi inatçinj impulsivë.
A e kemi ne luksin e një arrogance të tillë?
Vetëm kur kujtoj për Rilindjen... e fjala e parë që më vjen ndër mend për ta shoqëruar është, Rilindja, ajo e vërteta, ajo që filloi dy shekuj më parë; kujtoj idealin që themeloi boshtin lëvizës, qëllimin që e ushqente, puna e palodhur që e veshi dhe e mbrojti. Kujtoj kur lexoja ndër rreshta, dëshirën e pashuar për unitetin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje. Ndërmarrja e përpjekjeve të vazhdueshme për zhvillim, pasurim dhe forcim të pozitave të gjuhës shqipe në vend, eliminimi i shkronjave cirilike greke dhe "turkçe", kjo për zhdukjen e ndikimit dhe përçarjes që fshihej pas përdorimit të tyre. Shqipëria do krijohej si një shtet sovran dhe i pavarur me një orientim të dukshëm perëndimor, bashkë me vendet e tjera të zhvilluara të Europës.
Po sot ç'po bëjmë? Ironia e fatit, 104 vite pas shpalljes së pavarësisë, një frymë e vetë quajtur Rilindje, jo vetëm që po na zhyt në prapambetje por, me këto deklarata të pathelluara po na ekspozon më tepër ndaj disa rreziqeve të panevojshme. Kjo frymë po na risjell sërish ciriliket, kësaj rradhe ato ruse dhe shkronjat arabe, një simbolikë kjo sigurisht, por të bën të mendosh.
A jemi në gjendje të ruajmë sovranitetin tonë dhe politikat tona të jenë të pakushtëzuara? A jemi në gjendje të ruhemi nga konflikte të mundshme ndërballkanike? Cila është besueshmëria e palëve dhe qëllimet e vërteta? Mbi të gjitha, çfarë kredibiliteti do kemi ne me këtë lojë që po fillojmë por rregullat e së cilës as nuk jemi në gjendje t'i vendosim?
Si meriton të quhet kjo Rilindje?
Jam shumë kurioze të di, kur brezat e rinj në të adhme do mësojnë në lëndën e Historisë për Rilindjen ose më saktë Rilindjet, meqë kemi dy, si do etiketohet kjo e dyta? Pseudo? Anti? Gjithmonë e më tepër ndahen dhe jo vetëm për distancë kohore por, sepse, për çështje parimi qëndrojnë në fronte diametrialisht të kundërta.


