Miq të dashur e të nderuar,
Ju uroj mirëseardhjen në këtë ngjarje, në themelimin, në shpalljen e forcës sonë të përbashkët politike, Lista e Barabartë.
Lista e Barabartë e mori shkëndijën në muajt e parë të këtij viti, e mori shkëndijën nga ndjenja e rezistencës ndaj uzurpimit të demokracisë sonë delikate, të uzurpimit nga një klasë politike e degraduar.
Lista e Barabartë e mori shkëndijën nga ndjenja e rezistencës ndaj një politike pa respekt, pa mendim e pa ide, pa frymëmarrje, pa qarkullim, ndaj një politike që mohon zgjedhjet dhe konkurencën; e mori shkëndijën në rezistencën ndaj një parlamenti të inkriminuar dhe një qeverie të paaftë dhe abuzive; e mori shkëndijën në rezistencën ndaj rrëshqitjes e vendit në hone të rrezikshme.
Lista e Barabartë ishte fillimisht e vogël, pak emra, gjithmonë të barabartë, por që filluan të shtohen, sot një, nesër dy, ditë për ditë, njerëz që vinin, flisnin, shkëmbenin, gumëzhinin, angazhoheshin, iknin e vinin. Lista e Barabartë filloi si një histori njerëzish të lirë, që e ndjenë se pikërisht tek kjo gumëzhitje ishte liria. Se nga kaosi lind jeta.
Ishim pak në fillim, më pas u shtuam një e nga një, në Tiranë, në Berat, në Peshkopi, në Shkodër, në Lezhë, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Fier e Kukës, kudo në Shqipëri. Njerëz të zakonshëm, pa histori politike, njerëz që kërkonin diçka të re, të freskët, ndryshe, njerëz që besonin se e mira mund të lindë vetëm nga barazia e mundësive dhe nga liria. Dhe kjo do të ishte LIBRA.
Ca erdhën në fillim, disa më vonë, disa në fund, por të gjithë u ulëm njëlloj në tavolinën e diskutimit, sikur të njiheshim prej vitesh. Se ne donim të ishim të barabartë.
Të barabartë në stereotipin tonë, në stereotipin e njerëzve të zakonshëm, në stereotipin e njerëzve të punës.
Dhe ja ku jemi. Një listë prej qindrash e mijrash. Mësues e inxhinierë, të papunë e profesionistë, profesorë e studentë, biznes i mesëm a i vogël, gazetarë e ekonomistë, juristë e shkencëtarë, sipërmarrës e punëtorë. Një bërthamë që u rrit e u rrit duke prodhuar veten. Dhe kështu do të vazhdojë të rritet.
Unë besoj se kjo histori është më e veçanta në të gjithë historinë politike shqiptare. Një histori ku gëzimi dhe stresi, freskia dhe lodhja, vendosmëria dhe hezitimi, emocioni dhe arsyeja, çarja dhe bashkimi, loti dhe ngazëllimi, dobësia dhe trimëria, mendimi dhe veprimi, e ndryshmja dhe e ngjashmja, s’kanë qenë kurrë aq pranë.
Para pak ditësh, një vajzë shumë e zgjuar dhe e bukur, studente në shkencat politike, aktiviste e fortë sociale më tha: ne ju pëlqejmë shumë, por si mund të na siguroni se nuk do të na zhgënjeni? Si mund ta di që ju nuk do bini në gropën e klasës sonë politike?-më tha
Eja te LIBRA, iu përgjigja, eja dhe ti që të na mbash nën kontroll, Benin, mua, Sonilën, Endritin, Gentin, Silvën, Mihalin, Foton, Matildën, Tomin, Flogertën, Erjonin, Artën, Elvisin, Enisin, Amin e qindra të tjerë, të na mbash nën kontroll të gjithëve, edhe veten tënde.
Se ne prandaj po krijojmë një bashkim njerëzish me mekanizma demokracie që të na mbrojnë, mua, ty, ne, shokun tonë, të na mbrojnë nga vetja jonë. Demokraci direkte, mandate të kufizuara, mendim i përbashkët, respekt, për të mos e lejuar veten të rrëshqasim në autokraci, abuzim, arbitraritet. Por për këtë duhet të jemi të shumtë, të lirë e të barabartë. Që LIBRA të mbesë gjithmonë e tillë, të jetë gjithmonë LIBRA.
Që nga sot bashkimi ynë nis rrugën e vështirë politike. Uroj dhe besoj se kjo rrugë mund të jetë gjithshka, por jo tradhëti ndaj parimeve që ndodhen në themelin tonë. Suksesi ynë s’mund të jetë tentativa për të patur votë me çdo kusht. Suksesi ynë mund të jetë vetëm besimi i qytetarëve tanë. Të cilin mund ta fitojmë me thjeshtësi e modesti, me ndershmëri e sinqeritet, me përkushtim e aftësi.
Unë i besoj kësaj. Prandaj jam LIBRA. Se e dua Lirinë, Barazinë, Drejtësinë, Dijen, Ekuilibrin. I dua për veten. I dua për vendin tim.
Ne, në fund të takimit do të shpallim e miratojmë Manifestin tonë politik, me parimet kryesore të LIBRA-s, dokument i hartuar nga një grup i madh njerëzish, pas shumë konsultave dhe mbledhjes së pikëpamjeve në takime e biseda, në facebook e internet, në të gjithë Shqipërinë. I falenderoj të gjithë! Secili prej tyre, prej jush, mund të antarësohet që tani në faqen tonë online libra.al.
Ju faleminderit që keni ardhur!