Ngjarje

Javën e kaluar, ky parlament i dha një muaj shtesë mandat Komisionit të Reformës Zgjedhore. Një muaj të ri boshllëku, në zbrazëtirën njëvjeçare që ky komision la pas vetes që prej majit të vitit të kaluar. Një muaj më shumë në asgjënë katërvjeçare që qeveria ndërmori për t’i lënë zgjedhjet e ardhshme me të njejtat probleme si dy, katër apo shumë vite më parë.

Komisioni i Reformës Zgjedhore, pas një viti mandat, prodhoi një zero. Të dyja palët në komision, mazhoranca dhe opozita, me status të barabartë dhe me përgjegjësi të njejta, nuk patën asnjë vullnet për t’i bërë zgjedhjet e ardhshme më të besueshme e më të pranueshme. Asnjë angazhim, asnjë mirëkuptim. Dhe këtë përgjegjësi duhet ta ndajnë bashkë të trija partitë autore dhe aktore të Komisionit, Rilindja, PD, LSI, sepse u bënë palë në asgjënë e ngritur me koshiencë, për tu tallur me ata qytetarë që kërkojnë garanci për votën e tyre, me koshiencë për të ndjellë mjerimin në këmbim të votës e frikën e vendit të punës në këmbim të lirisë së qytetarit për të vendosur fatet politike të vendit të vet sovran. 

Para dy muajsh, bashkë me një grup deputetësh të tjerë, ne kërkuam publikisht dhe në Komisioni e Reformës Zgjedhore, disa ndryshime emergjente të kodit: përbërje jopartiake të komisioneve zgjedhore; numërim elektronik të votave; kontroll dhe tavan mbi shpenzimet e partive politike dhe audit ndërkombëtar; hapësirë të barabartë mediatike gjatë fushatës dhe disa ndryshime të tjera, të cilat sigurisht që nuk u përfillën, se s’kishte kush t’i përfillte. Një komision inekzistent, i cili prej 10 muajsh të vetmen që kërkon e jep është zgjatja e mandatit të tij. Nuk ka më asnjë shpresë që Komisioni i Reformës Zgjedhore të funksionojë, aq më tepër që PD ka dalë në rrugë pikërisht me argumentin e zgjedhjeve. Për këtë dështim historik, faji qoftë me ju!

As nuk e mendon njeri, sigurisht, që dikë këtu ta vrasë ndërgjegja për Kodin Zgjedhor e për zgjedhjet. S’ju ka vrarë për mijra maturantë që ua pretë fatin në moshën e ëndrrës, si do pyesni ju për disa nene ligji! S’ju ka vrarë ndërgjegja për mbitokën që e mbuluat me drogë e nëntokën që e gërryet nga vlera e pasuria.

Aq ju bëhet për qindra mijë të varfër në mes të mjerimit, e as për rininë që endet e papunë. Ç’mund të pritet nga ju për një kod zgjedhor? A do jepte llogari kjo qeveri që përpos konçesioneve, korrupsionit e kriminalizimit, na qenka treguar e gatshme për të dështuar numërimin elektronik? Nuk e pret njeri këtë ndjesë në mbretërinë e arrogancës, të paaftësisë dhe abuzimit.

Për këtë arsye, ne dy deputetët LIBRA, po përgatisim dhe do depozitojmë këto ditë një nisëm ligjore për ndryshime më emergjente në Kodin Zgjedhor.

Së pari kërkojmë tavan shpenzimesh në fushatën elektorale. Kemi parë sesi veprojnë vende europiane që e aplikojnë këtë tavan. Franca, Spanja, të cilat vendosin kufi shpenzimesh bazuar në një kosto të caktuar për banor. Që varion rreth gjysëm euro për banor, më shumë apo më pak në varësi të nivelit ekonomik dhe mentalitetit politik, që në rastin tonë, bazuar në raportin e produktit të brendshëm bruto për banor, do të ishte më pak se 10 lekë për banor. Kështu, shpenzimet për fushatë të asnjërës prej partive politike nuk ka pse të jenë mbi 30 milionë lekë të reja. Fushatat tona nuk mund të jenë më konkurse luksi e festa borgjeze në mesin e asaj varfërie, për të cilën kjo politikë është shkaktarja e parë. Në vendin që vetë e ka lënë në mjerim, politika duhet të ishte e fundit të kërkonte shpenzime të shfrenuara për veten e vet. Le t’i ndalojmë me ligj shenzimet e tepruara e të shkojmë modestisht për t’i kërkuar votën qytetarëve tanë.

Çfarë kërkojmë tjetër? Kërkojmë audit ndërkombëtar për shpenzimet e fushatës, i cili të monitorojë çdo parti gjatë fushatës, dhe jo siç ndodh aktualisht, disa muaj pas mbarimit të zgjedhjeve. Ne kërkojmë një kontroll që të ketë tagrin të kundërshtojë faturat e rreme dhe të kërkojë anulimin e aktiviteteve apo dhe përjashtimin nga gara, nëse preket tavani i shpenzimeve. 

Dhe sigurisht, kërkojmë numërimin elektronik të votave. Ashtu siç e ka kodi aktual. Duhet aplikuar me emergjencë. Megjithë zvarritjen e qëllimshme, ende ka kohë për ta bërë. Jo më militantë të njërës palë për të numëruar votat e kundërshtarit. Jo më me këtë sistem të padrejtë e të pabarabartë për konkurentët në proces. Le të relaksohet procesi. Jo më me këtë proces të lodhshëm nervash, që i ka kthyer zgjedhjet në torturë. Jo më me mijra njerëz, numërues e vëzhgues, jo më me rezultate që mbajnë pezull me ditë të tëra. Shqipëtarët duan ta shohin votën të numëruar korrektësisht, jo të masakruar, siç ndodh prej vitesh e dekadash. Numërimi elektronik është hap i domosdoshëm.

Sigurisht që këto ndryshime nuk stopojnë as blerjen, as shitjen, as presionin me vendin e punës. Por ato i japin më tepër siguri secilit prej qytetarëve tanë që ende ka besim se vota e tij mund të peshojë në ballancën e vullnetit popullor, e çdo qytetari që kërkon: vota të numërohet saktë. Eshtë një hap për garanci në zgjedhje më të mira. 

Sigurisht që këto ndryshime nuk do ta shërojnë kryetarin e KQZ, z. Biba, nga obsesioni për të penguar LIBRAn të në zgjedhje. Se javën e kaluar, pak ditë pasi kishim çuar në KQZ një vërtetim ligjor që mundëson pjesëmarrjen tonë në zgjedhje ashtu siç na takon, ky zotëri shpiku një akt normativ për ta zhvlerësuar këtë dokument. Përpjekja e tij ra poshtë në saje të një përpjekjeje të përbashkët tonës, faktorit ndërkombëtar dhe zërave të arsyeshëm në KQZ, por obsesioni i tij vazhdon, fshehurazi dhe haptazi. Ne po mbledhim me mijra firma, qytetarësh pafund që na janë drejtuar për të na mbështetur, dhe ne do futemi padyshim në zgjedhje. Por ja ku e keni faktin, zotërinj, të përpjekjes së kësaj mazhorance për të cënuar zgjedhjet e 18 qershorit.

Në kushtet e gropës që la komisoni juaj i reformës zgjedhore, miratimi i kësaj nisme ligjore që ne do depozitojmë, mund të pengohet vetëm nga mungesa e vullnetit politik dhe sigurisht nga arroganca, arroganca e pashembullt e kësaj qeverie. Ajo arrogancë që e përdorni për të fshehur mungesën e transparencës.

Që prej datës 27 Janar i kam kërkuar 3 ministrave të qeverisë informacion dhe transparencë për çfarë ka ndodhur e po ndodh me industrinë e përpunimit të naftës në vend. Çfarë ka ndodhur e po ndodh me Armo e nënkontraktorë, çfarë po ndodh me qytetarët tanë të punësuar pa kontrata e pa sigurime. Këtë informacion dua ta bëj publik, që shqiptarët të shohin se si grabitet pasuria e tyre natyrore dhe si trajtohen qytetarët tanë që punojnë në këtë industri. Nuk kam asnjë përgjigje prej tre ministrave, ndonëse ligji i detyron që ata të japin përgjigje.

Nëse nuk pranoni t’i përgjgjeni një deputeti, kush pret se ju do t’i përgjigjeni njerëzve të thjeshtë. Kush pret që ju të doni të përmirësoni sistemin zgjedhor. Kush mendon se pranoni t’i bëni zgjedhjet më të lira. Zgjedhjet e deformuara janë i vetmi mekanizëm për të përjetësuar abuzimin dhe arrogancën tuaj. Që sado t’i mbroni, do ju shemben para syve, nga grushti i një populli që mjaft e tallët. S’ka si të jetë ndryshe.