Ngjarje

Mimoza Hafizi Kjo fundjavë më bëri bashkë me shumë LIBRA të jugut, të rinj, gra e burra, shpërndarë gjithandej vendit, por afruar nga një ëndërr, ide e shpresë që endet në ajrin shqiptar prej javësh e muajsh. LIBRA ! Deri dje të gjithë ishin emra të lidhur virtualisht përmes rregjistrimit në faqen tonë, por tani e tutje janë miq, të bashkuar nga fjala, biseda, dhe vendimi për t’u gjendur cep më cep, në çdo fshat e qytet, pranë çdo kutie votimi. Memaliaj, Tepelenë, Delvinë, Konispol, Sarandë, njerëz të ndryshëm, por biseda e shqetësime të ngjashme. Kanabisi kriminalizoi vendin, shteti dhe trafikantët mashtruan fshatarin e varfër, thotë Taku i Memaliaj njëlloj si para pak ditësh dhe Deda i Niklës së Krujës. A ka humbur përfundimisht shpresa e votës së ndershme?-pyet si Juli i Tepelenës, edhe Dasho i Sarandës. A do na mbështesin shqiptarët? Po, përgjigjet Ralvi i Memaliajt, ashtu si Çelo i Delvinës. Ne as nuk shesim e as nuk blejmë vota, por do gjejmë mbështetje tek çdo shqiptar që beson se edhe vendi ynë mund të ketë një politikë normale. Një politikë që nuk rrjedh as nga abuzimet e as nga tjetërsimi i vullnetit politik. Do na mbështesin me qindra mijë shqiptarët që as e shesin, as e blejnë votën e as e këmbejnë për një vend pune të premtuar përmes mashtrimit. A do ndryshojë Kodi Zgjedhor, diskuton me shqetësim Bashkimi. Jemi ulur pranë oxhakut, në atë të shtunë të ftohtë Tepelene. Si do e mbrojmë votën? Do e mbrojmë, me patjetër, se LIBRA është krijuar nga besimi dhe shpresa, nga sakrifica dhe kurajo. A do bëjmë koalicione?-pyesin Ermaili i Tepelenës dhe Flori i Sarandës. E me kë mund të lidhemi?-hidhet Anila. Me cilën nga këto parti të vjetra të këtij sistemi të kalbur politik? A mund të zgjohet LIBRA në Delvinën e mpirë nga varfëria, droga dhe mungesa e ujit? Ka vite që Delvina lahet me bidona, thotë Aldo, këta po na venë buzëkuq! Po bëjnë qendrën e Delvinës, me qindra mijë euro, ndërsa për ujin si bie kërkujt ndërmend. Kemi shumë frymë e besim, sigurojnë edhe Gjini i Tepelenës, edhe Ferdi i Sarandës, dy burra të fortë e kurajozë. Do na mbështesin të djathtë e të majtë, mendon edhe Dori i Konispolit, edhe Ledio i Sarandës. Na bashkon vendi ynë i bukur. Dhe deti i Sarandës shkëlqen nën rrezet verbuese të diellore të kësaj fundjave të ngrirë. A do imponohemi në parlamentin e ardhshëm?-pyet Flori i Sarandës. Sigurisht! Ne duam ta hedhim poshtë këtë sistem të kalbur politik. Kur të shkosh në Shkodër, të lutem të vij me ty, më kërkon Çeleste e Memaliaj, studentja bukuroshe që na solli një copë qiell me vete, atë ditë të premte, kur retë kishin mbyllur qiellin e Memaliaj dhe flokët e borës po zbardhnin tokën. E dua shumë Shkodrën ! Patjetër, i thashë, do vish me mua. Se dua ta njoh me Medinën, studenten tonë në Shkodër, që i ngjan aq shumë, ndonëse jeton në skajin tjetër të Shqipërisë. Por LIBRA i lidhi të dyja, me atë frymë e shpresë e cila do jetojë e do rritet prej tyre. "Otellon" e Benit e kam lexuar që 14 vjeç, thotë Çeleste. Kurse me mua patjetër që e lidh venerimi ndaj qiellit dhe mistereve e tij. Ne LIBRAt kemi shumë për të ndarë bashkë. Objektivi ynë është që brenda Janarit të kemi bërthama në të gjitha 61 bashkitë e Shqipërisë. Vetëm këtë fundjavë u ngritën 5 bërthama të reja. Kronika e rritjes së LIBRAs vazhdon.