Ilir Sinanaj
Anëtarët e Listës së Barabartë (LIBRA) përfshirë dhe deputetin e kësaj lëvizjeje, Ben Blushi, biseduan me qytetarët e Zharrëzës në grevë urie për padrejtësive të kryera ndaj tyre nga veprimtaria e “Bankers Petrolium” në bashkëpunim me koalicionin ndër vite të kastës së vjetër politike, që nga koha e qeverisjes së Partisë Demokratike e deri tek ajo e tanishme “rilindje”-LSI. Këtë fakt e pohuan edhe qytetarët e Zharrëzës. Qytetarët në grevë e mirëpritën intelektualin Ben Blushi, i cili në emër të LIBRA-s e vlerësoi qëndresën e tyre dhe u siguroi atyre, që strukturat e LIBRA-s po punojnë në konkretizimin e një zgjidhjeje për qytetarët e Zharrëzës.
Ata u njohën me problematikat dhe me vendosmërinë për të vazhduar të kërkojnë të drejtat e tyre. Intelektuali Blushi u shprehu atyre mbështetje të plotë dhe u bëri thirrje për të sensibilizuar opinionin publik, pa dëmtuar veten e tyre.
“Një sensibilizim duhet. Për fat të keq jeni të braktisur nga shtypi dhe media në mënyrën më kriminale. Mediat e Shqipërisë kanë kohë të japin edhe lajme për Bangladeshin, por për jetë shqiptare dhe për ju që kërkoni një të drejtë nuk kanë kohë. Pa folur pastaj për qeverinë, që çdo rast ka mbajtuar anën e palës së të pasurve, atyre që kanë më shumë para. Është e qartë, që “Bankers”-i po mbrohet nga qeveria. Ne nuk mund të jemi kundër insvestimeve të huaja dhe kundër nxjerrjes së naftës. Por sigurisht ajo duhet të jetë në dobi të popullit. Nëse populli sakrifikon deri në këtë fazë, sa tronditet shtëpia apo ka rrezik jete; natyrisht ne na duhet jeta përpara naftës. Kjo është e qartë! Kjo është shumë e qartë! Ajo që mund të bëjmë ne është të bëjmë më shumë presion në Parlament, sepse mundësitë janë të kufizuara. Dhe kini parasysh edhe një gjë, që në këtë rast si qeveria, si Partia Demokratike janë njësoj. Edhe kur ishte PD-ja në pushtet, po kjo gjë ndodhte. Është e njëjta gjë. Këtu nuk ke kujt i beson! Janë të dyja palët që janë me “Bankers”-in. Pra partitë e vjetra, edhe PD-ja edhe LSI-ja edhe kjo “rilindja edhe mediat janë të gjitha me “Bankers”-in! Unë kam vendosur të jem me ju! Kjo është e qartë! Se çfarë mund të bëj, do të provoj! Për fat të keq nuk ka as Parlament, por shpresoj që tërë media ta pasqyrojnë gjendjen këtu dhe të sensibilizojmë opinionin për një situatë kritike këtu në Zharrëz! Është kritike! Ju duhet të sensibilizoni opinionin, sigurisht pa dëmtuar veten. Nuk duhet të dëmtoni vetën, sepse kjo është kryesorja. Nëse ju dëmton “Bankers”-i dhe ju dëmtoni veten tuaj, kjo kapërcen arsyen. Rezistenca duhet, është e domosdoshme! Por pa dyshim në mënyrë të arsyeshme. Nuk duhet të dëmtoni vetën”, theksoi intelektuali Blushi përpara qytetarëve të Zharrëzës.
LIBRA në të gjitha strukturat saj, në mbarë Shqipërinë, po punon me angazhim të plotë për të hetuar padrejtësinë, që po u shkatërron jetën qytetarëve të Zharrëzës. Mirëqenia e çdo qytetari në çdo skaj të Shqipërisë është një kauzë, për të cilën LIBRA është e gatshme të luftojë në të gjitha nivelet. LIBRA është mbrapa dhe mbështet çdo qytetari në nevojë.


