Ngjarje

Ilir Sinanaj

Çështjes problematike që po u rrezikon jetën qytetarëve të Zharrëzës, e cila po bojkotohet nga media-fason e financuar nga koalicioni “rilindje”-LSI-PD, po i kushtohet një vëmendje të veçantë jo vetëm nga organizata e lëvizjes LIBRA në Fier, por nga të gjitha degët e saj anembanë Shqipërisë.

Për vite me radhë qytetarët e Zharrës kanë parë dhe përjetuar t’u shkatërrohet jeta nga lëkundje të tokës dhe ndotje, që përkojnë me veprimtarinë e kompanisë “Bankers Petrolium” në këtë zonë. Së fundi, shumë prej tyre janë futur në një grevë urie prej disa ditësh, duke bërë që shëndeti i tyre të përkeqësohet nga dita në ditë. Kjo, për ta, është e vetmja mënyrë paqësore për të kërkuar të drejtat e tyre, të mohuara nga klasa politike “rilindje”-PD-LSI. 

Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi në Zharrëz 

Në një kohë kur përfaqësues vendorë si edhe politikanë të koalicionit “rilindje”-PD-LSI, që kanë shkuar në Zharrëz janë zbuar nga qytetarët, intelektuali Blushi u prit nga qindra e qindra qytetarë. Ai nuk ngurroi t’u fliste qytetarëve për të vërtetën e korrupsionit të shfrytëzimit të burimeve natyrore të kësaj zone të qarkut Fier, duke lënë të kuptohet, se të pasurit, si “monedhë” të përthithjes së pasurive të shqiptarëve përdorin gjakun e të varfërve.

“Duhet të tregoni që i gjithë populli i Zharrëzës është në një mendje. Mblidhuni këtu bëni një marshim lëni një orar! 3 mijë veta shkoni në këmbë në Fier! Ajo është gjëja që mund të bëni. Sepse e gjithë Shqipëria nuk e di (çfarë po ndodh në Zharrëz). Mediat nuk e japin, ju kanë bojkotuar. Media dhe qeveria janë me palët e “Bankers”, janë me të pasurit. Kjo është çështja dhe ju kanë bojkotuar! Ju nuk duhet të vdisni! Ju duhet të sensibilizoni Shqipërinë se jeta juaj është në rrezik! Dhe qeveria që ju përfaqëson nuk është me ju, nuk ju mbron, por është me palën që rrezikon jetën tuaj! Por përse është kështu? Për shkak të rryshfetit natyrisht! Një naftë e përzier me gjak ne nuk na duhet! Kjo është naftë me gjak! Makinat e Shqipërisë nuk mund të mbushen me naftë tuaj me gjakun tuaj! Se kështu është! Në vend që të blesh naftë blen gjak, nëse këtu ka njerëz, që u rrezikohet jeta!”, iu drejtua qytetarëve të Zharrëzës intelektuali Ben Blushi.