Ngjarje

Nga Bora Xhani

Ishte ditë e mërkurë fillim nëntori. Emocionet i kam ende të freskëta, pasi ishte takimi i parë në selinë e LIBRA-s me të rinj.

Ishim vetëm 50 të rinj që në atë moment na bashkonte vetëm ideali i trinisë: liri, ekulibër dhe dije. Mbledhjet pasuan njëra-tjetrën, dhe nëpërmjet diskutimeve dhe angazhimit në komunitet, por edhe falë mbështetjes së të gjithë LIBRA-ve të moshave të ndryshme, bënë që ne të shtoheshim çdo ditë e më shumë. 

Kishim një projekt në mendje. Donim të mblidhnim të gjithë ata të rinj që jo vetëm të besonin se LIBRA ishte rruga e drejtë për një të ardhme më të mirë, por edhe ta formësonin atë me idetë dhe vullnetin e tyre. Na dukej ndonjëherë e vështirë pasi ishte fillimi i lëvizjes. Por shpresuam. Shpresuam se do ishim shumë dhe se do ia dilnim.

Data 20 dhjetor, kur organizata e të rinjve LIBRA do të zyrtarizohej, po afronte dhe secili prej nesh kishte ide dhe donte t’i jetësonte ato. Secili prej nesh donte të shprehte me zë të lartë atë që kishte mbajtur për shumë kohë brenda vetes por që nuk e kishte pasur një vend se ku ta bënte të ditur atë. 

Këtë po ua mundësonte LIBRA.

U vendos që të bashkoheshim të gjithë për një kauzë, që prek çdo të ri: atë të tarifave të larta universitare. Jetësimi i kësaj kauze do të bëhej e mundur me anë të një peticioni që do të firmosej në hyrje të sallës ku do të zhvillohej takimi i madh.

E kështu ndodhi. Dita erdhi dhe të rinjtë e LIBRA-s ishin gati për hapin e parë e të madh, që do ti bashkonte ata në një. Salla u mbush plot dhe shkëlqimi në sytë e LIBRA-ve organizatorë ndihej kudo në këtë sallë.

Takimi filloi dhe 15 të rinj folën përpara LIBRA-ve të shumtë të pranishëm në sallë për një temë të caktuar. Dikush për sistemin e maturës shtetërore, dikush për migrimin jashtë të studentëve e dikush për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje. Por të gjithë këta bashkoheshin në një pikë: tek arsyeja pse vendosën të ishim LIBRA.

Kjo u kuptua dhe në momentin e shpalljes së manifestit, ku dy prej të rinjve LIBRA bënë të kumbonte salla e Godinës “Liria” në Qytetin Studenti, ndërsa e lexua me zë të fuqishëm dhe vendosmëri. Një manifest i tillë lirie, ekulibri dhe dije për të rinjtë është pikërisht ajo që i ka munguar rinisë shqiptare këto vite. 

Në fund të takimit kishte mbetur edhe një çështje e rëndësishme, që duhej vendosur me vullnet demokratik, ashtu siç i ka hije LIBRA-ve të të gjitha moshave: emri i organizatës rinore LIBRA. Kishim pasur shumë diskutime gjatë mbledhjeve mbi emrin e organizatës tonë rinore. Prandaj vendosëm që të hidhej në votim online. Në këtë mënyrë çdokush do kishte mundësi të jepte vendimin e tij për përzgjedhjen e emrit dhe vullneti i gjithsecilit do të përfaqësohej.

Votimi zgjati rreth një javë,dhe u mbyll po në çastin e fundit të takimit në sallën e Godinës “Liria”. 

 

Rezultatet ishin: 

Forumi Rinor Libra (FRL) 377 

Rinia e Barabartë (RIBRA) 348

iLibra 167

New Libra 61

RiLibra 48

Kështu, Forumi Rinor LIBRA (FRL) ishte emri fitues, zgjedhur nga vetë të rinjtë për organizatën e tyre. Ne jemi të bindur se si Forumi Rinor LIBRA do të ecim dita ditës dhe pashmangshmërisht do të bëhemi të shumtë në numër. Ne besojmë se bashkë dhe të bashkuar mund të realizojmë qëllimin tonë : Të ndryshojmë rolin tonë në shoqëri!

#NeJemiLIBRA!