Mbrëmë u miratua koncesioni i radhës nga Rilindja, ai i laboratorëve.
Pasi i dha një privati të vetëm 120 milion € e Check-Up, 100 milion € për sterilizimin, 86 milion € per dializën, Rilindja vulosi dje në Parlament 65 milion € për koncesionin e laboratorëve.
Si përkthehet kjo për popullin?
Laborator klinik jo më si një shërbim klinik për pacientin, por si një biznes për privatin! Një biznes që mund të dështojë, gabojë, mospërgjigjet e nevojave klinike në kohë dhe në cilësi….dhe askush s’ka tagër t’a kontrollojë!
Përkthehet në monopol!
Jemi i vetmi vend që aplikojmë koncesione monopoliste, duke vrarë konkurrencën, tregun e lire. Natyrisht që oligarku i ardhshëm, duke mos patur asnjë konkurrencë, s’ka asnjë arsye për të investuar në teknologji e zhvillim. Natyrisht që ai që do të vuajë pasojat do të jetë pacienti.
Përkthehet në hedhjen në rrugë të teknikëve të lartë laborantë me kaq e kaq vite eksperiencë, të mjekëve laborantë që janë një investim. Kush do ta kontrollojë privatin se kë do të punësojë dhe me çfarë CV?
Dhe e fundit për ne por e para për Rilindjen, përkthehet në para publike të shpenzuara pa kurrfarë transparence për popullin, pa kurrfarë studimi paraprak apo projekti pilot siç mund të zhvillohej në një vend normal, pas eksperiencave europiane që shpenzojnë jo më në shërbime mjekësore por vetëm në infrastruktura, spitale.
LIBRA dënon këtë koncesion, gjithë koncesionet e tjera me vlerë rreth 300 milion €, si dhe deklaratat arrogante të qeverisë rilindase se do të vazhdojë të japë koncesione në shëndetësi.
Për LIBRA-n, shëndetësia është një e drejtë kushtetuese dhe jo një pazar oligarkësh!