Mimoza Hafizi
PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9355 DATË 10.03.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”, I NDRYSHUAR.
Nisur nga polarizimi i madh social në vend, që po rëndohet përditë si dhe bazuar në eksperiencën europiane e të të gjitha vendeve të rajonit, është bërë i domosdoshëm përcaktimi i një treguesi shumë të rëndësishëm për matjen e nivelit të jetesës në vend, që është minimumi jetik.
Minimumi jetik përfaqëson madhësinë e të ardhurave në para që duhet të ketë çdo person për të siguruar kushte minimale për jetesë, pra për t’u ushqyer, ngrohur, strehuar, arsimuar, për transport e kujdes shëndetësor. Personat që sigurojnë më pak të ardhura se minimumi jetik konsiderohen të varfër.
Zëri më domethënës i minimumit jetik është e drejta për t’u ushqyer, si një e drejtë kushtetuese dhe themelore e jetës. Shoqëria e lirë dhe demokratike kujdeset që gjithësecili të jetë i çliruar nga ankthi i mbijetesës. Në kushtetutën tonë, ky kujdes shprehet në nenet mbi të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të individit, e në veçanti në nenin 52.
Edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, ratifikuar me Ligjin nr. 8137, dt. 31.07.1996, mbështetet në parimin se askush nuk mund të diskriminohet në dinjitetin e tij. Por, varfëria nën minimumin jetik është pikërisht cënim i dinjitetit të njeriut.
Shtetet europiane, Franca, Gjermania, Italia, etj. e njohin të gjitha minimumin jetik për qytetarët e vet. Edhe vendet rrotull nesh, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, etj., e njohin, e shpallin, e marrin në konsideratë.
Në legjislacionin shqiptar ka një serë ligjesh, të cilat janë të mangëta e të pazbatueshme në kushtet e mungesës së përcaktimit të minimumit jetik.
Kështu, në ligjin nr. 8116 datë 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 533 përcaktohet se sekuestroja e pagës së debitorit nuk mund të cënojë minimumin jetik. Tek ky nen gjejmë të sanksionuar termin “minimum jetik”, i cili, duke qenë i papërcaktuar, e bën ligjin të pazbatueshëm. Kjo ka detyruar Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore ta përcaktojë minimumin jetik si pagën minimale në vend, përmes Direktivës nr. 46, dt. 19.01.2015, përcaktim që sigurisht nuk është i saktë.
Kuptimi i minimumit jetik është dhënë i nënkuptuar edhe nga dispozita e Kodit Civil, neni 529, ku përcaktohet se çfarë nuk mund të sekuestrohet, për të mos prekur minimumin jetik dhe për të mos cënuat të drejtat personale, të vlerësueshme ose jo.
Ligji 7961/1995 “Për Kodin e Punës” përcaktonte qartë, në nenin 123, se shteti duhet të përcaktojë minimumin jetik. Me ndryshimet e bëra me anë të ligjit nr. 9125, dt. 29.07.2003, kjo dispozitë u ndryshua dhe koncepti i minimumit jetik ra, duke u zëvendësuar me pagën minimale. Ky ndryshim solli zëvendësimin e detyrës së shtetit për t’i siguruar çdo shtetasi minimumin e jetës, me një marrëdhënie kontraktore pune.
Në ligjin nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka qenë i përcaktuar koncepti i nivelit minimal të standardit të jetesës për invalidët. Edhe shprehja në nenin 643 të Kodit Civil ka afërsi me konceptin e minimumit jetik. Këtu është futur e drejta e ushqimit dhe e një jetese sociale, ku përfshihen disa komponentë, si energjia, edukimi, etj.
Në nenin 88, pika 1, të Ligjit nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është futur koncepti i standardit minimal të jetesës.
Ne propozojmë që në ligjin nr. 9355, datë 10.3.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET
SHOQËRORE” të ndryshuar, të bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:
1.Në nenin 4 të shtohet pika 32: Minimumi jetik është e ardhura e shprehur në vlerë
monetare që duhet të ketë çdo individ, për të siguruar kushte minimale për jetesë.
Minimumi jetik propozohet çdo vit i indeksuar nga Këshilli i Ministrave në periudhën
gjatë tremujorit të tretë të vitit dhe miratohet nga Kuvendi.
2.Neni 32 ndryshohet si në vijim: Shteti ofron shërbime të përkujdesit shoqëror dhe forma
të tjera të mbështetjes për personat në nevojë, bazuar në minimumin jetik.
Pra, ne kërkojmë që ligji nr. 9355, datë 10.3.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET
SHOQËRORE” i ndryshuar të detyrojë llogaritjen dhe njohjen nga shteti shqiptar, të minimumit jetik. Ky tregues i respektimit të dinjitetit njerëzor, ky kod i marrëdhënieve humane, nuk mund të jetë më i panjohur në vendin tonë. Ai duhet të jetë pasqyra ku shoqëria shqiptare dhe politika e shohin veten.
Ne kërkojmë gjithashtu që minimumi jetik të jetë kusht për politikat sociale. Njohja e tij do të sjellë rrjedhojë edhe kushte të reja për pagesat në sektorin publik dhe privat.
Nisma jonë ligjore pason disa përpjekje për llogaritjen e minimumit jetik në Shqipëri. Së fundmi, institucioni i Avokatit të Popullit ndërmori një studim lidhur me këtë çështje dhe gjeti vlerën 16,000 lekë si shumë monetare që përfaqëson nevojën për kushte minimale jetese. Ky studim bazohej në rekomandimet e Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) mbi kërkesën minimale ditore për 2288 kalori për çdo njeri, shpërndarë në proteina, yndyrna dhe karbohidrate. Ky studim merrte gjithashtu në konsideratë edhe shpenzimet e tjera të konsumit joushqimor, bazuar në studimet e INSTAT për raportet mes konsumit ushqimor dhe atij të përgjithshëm. Sipas këtij studimi, shpenzimet ushqimore zënë 44.3% ose 7,089 lekë dhe shpenzimet joushqimore 55.7% ose 8,911 lekë.
Ne kërkojmë që minimumi jetik të llogaritet nga Këshilli i Ministrave dhe të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes një debati të hapur përpara qytetarëve. Me ndryshimet që propozojmë, ne kërkojmë që shteti të ketë ambicien që asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë të mos marrë të ardhura më të pakta se minimumi jetik, pavarësisht nga gjendja, mosha, vendbanimi a mundësitë për punë. Zbatimi i minimumit jetik është domosdoshmëri. Asnjë vend normal nuk mund t’i trajtojë të varfërit si skllevër, nuk mund t’i poshtërojë për shkak të statusit social, nuk mund t’u shkaktojë mjerim për shkak të paaftësisë së vet për të mirëfunksionuar, që të gjitha shtresat shoqërore të jetojnë në ekuilibër dhe harmoni. Përmes minimumit jetik do të përfitojnë me qindra mijë shqiptarë që sot jetojnë në varfëri ekstreme, por që mund të dalin nga realiteti i hidhur e të integrohen njerëzisht në jetën e vendit të tyre. Do të përfitojnë mbi 400 mijë njerëz në ndihmë ekonomike, qindra mijë pensionistë, mijra të papunë, shqiptarë me aftësi të kufizuara.
Minimumi jetik, duke marrë atributet e së drejtës themelore të çdo shqiptari, do të jetë revolucioni human, që e kthen shtetin tonë me sy nga njerëzit e vet.
Grupi Propozues i Iniciativës Ligjvënëse:
Deputetët:
Mimoza Hafizi
Ben Blushi