Ngjarje

Ilirana Poci

“Ai që i bën më  të lehta gjërat e vështira, është vetëm mësuesi”,do të thoshte  Ralf Emerson, dhe kjo gjë të bën të  ndihesh krenar per profesionin më fisnik që ke zgjedhur, pikërisht profesionin e mësuesit.

Por a është e lehtë të jesh mësues sot?

A munden vallë mësuesit sot t’i shpëtojnë presionit politik të Rilindjes dhe të ushtrojnë të lirë profesionin e tyre?

Një nga premtimet e Rilindjes ishte reforma në sistemin e arsimor që do të ishte shumëplanëshe duke filluar nga spastrimi i mësuesve jashtë profilit dhe pa arsim përkatës që kishin mësyre në shkollat tona e deri tek reforma në arsimin e lartë. Në pamje të parë, cdo gjë dukej në  rregull, por a ndodhi kështu në të vërtetë?

Nuk ndodhi aspak kështu por nisi nje gjueti shtrigash. Si ishte e mundur që kjo e ashtuquajtur reformë preku shumë mësues të arsimuar mirë dhe sipas rregullave, dhe nuk preku disa të tjerë që kanë plot të meta dhe mangësi në formimin e tyre si mësues?

Nga mendja pjellore e Rilindjes u shpikën të famshmet konkurse që u zhvilluan mbi bazën e një udhëzimi të nxjerrë nga Ministria e Arsimit, udhëzimi nr.35 date 30.09.2014. Ky udhëzim  u shkel nga drejtorët e shkollave, nga përgjegjsat e ZA, u manipulua në mënyrë të turpshme për të hequr nga puna mësuesit e pabindur, profesionistë jomilitante partie, servilë të drejtorëve, duke favorizuar drejtuesit për korrupsion. Lëvizje paralele të emërimit dhe largimit, nuk do të thotë (sic u bë) pushim nga puna dhe hedhje në rrugë apo me keq akoma zëvendësim me një  tjetër person që nuk ka as formimin më minimal. 

Flaket diploma e rregullt, nuk merret parsysh viti i diplomimit kur ti ke fituar titullin” Mësues”, flaket masteri, gjuhët e huaja, të gjitha bëhen zero kur nuk aderon në Rilindje, kur nuk je e afërmja e drejtorit të shkollës, e përgjegjëses së ZA, kur nuk dorzon zarfa tek këta të fundit por kërkon t’i shërbesh vetëm Shqipërisë duke bërë misionarin dhe duke qëndruar besnik profesionit të mësuesit.

Shumë mësues kaluan përvoja të tilla dhe përfunduan në dyert e gjykatave, e fituan të drejtën e tyre për t’u rikthyer në vendin e punës, por në fakt, asnjë prej tyre  nuk u rikthye në pune sepse nuk ishte Rilindas.

Pa mbaruar gjithë këto, fillon lufta per Ligjin e Arsimit të Lartë.”U qan hallin” qeveria privatëve, i ndihmon, u krijon kushte që të majmen sa më shumë në kurriz të ketij popullit të vuajtur. Maturantët ngelen rrugëve me diplomat  me dhjeta sepse të  tillë e bëri Rilindja davanë… dhe ndodh nga dhimbja dhe dëshpërimi, fenomeni Mirela.

Le të kthehemi me këmbë në tokë dhe të mendojmë e ofrojmë zgjidhje.

Cdo gjë që ndodh sot në arsim, vjen nga mungesa e profesionalizmit të drejtuesve të DAR-ZA pra në nivelet drejtuese qendrore e lokale. Jane vendosur njerëz partiakë, që nuk kanë punuar në arsim,  që nuk kanë qenë mësues dhe nuk kanë ndjekur nga afër procesin mësimor dhe problematikat e shkollës. Si duhet ta zgjidhim këtë problem në të ardhmen, cfarë mundësie ofrojmë?

Konkursi rezultoi farsë pasi teknikisht, nuk është i shprehur në ligj apo në udhëzime të MAS.

Atëhere emërimi i drejtuesve, të mos varet nga politika lokale, por pse jo, të centralizohet. Nuk ka pse tingëllon e frikshme fjala centralizim. Le të krijohet një strukturë e vecante në MAS ,e cila të merret me përzgjedhjen e kandidaturave për  drejtues të DAR dhe të ZA. Drejtues të DAR dhe të ZA mund të përzgjidhen  me konkurim dhe votim nga gjithë mësuesit e shkollave; proces shumë i thjeshtë për t’u realizuar. Fillimisht, të gjithë mësuesit e interesuar për të qenë drejtues, depozitojnë dokumentacionin pranë strukturës që thamë më lart të ngritur në MAS ku këta të fundit, klasifikojnë ata mësues të mundshëm për konkurim. Konkurimi zhvillohet në institucionet e shkollave për të përcaktuar drejtuesin e saj.

Drejtuesit e DAR dhe ZA të kenë mandate të kufizuara; ata të DAR,ZA  4 vjet dhe drejtorët e shkollave deri në 3 vjet. Këta drejtues të kenë shkallën e dytë të kualifikimit, pra, të kenë fituar titullin “Specialist”, të kenë vijueshmeri pune dhjetëvjecare  si mësues dhe të jenë trajnuar apo të kenë mbaruar studimet master për menaxhim arsimi. E njëjta procedure duhet të ndiqet edhe për inspektoret e ZA sipas lëndëve përkatëse.

ZA të kenë vetëm rol koordinues dhe kontrollues të mbarëvajtjes së procesit mësimor. Në ZA të ekzistojnë inspektorët e arsimit sipas lëndeëe përkateëe të cilët duhet të kenë një kualifikim të nivelit të shkallës së tretë, me eksperiencë pune në arsim mbi 15 vjet, duke shmangur emërimin në këto detyra të militantëve apo mësuesve pa përvojën e duhur, thjesht se janë ushtarë të partisë. Këta inspektorë duhet të kontrollojnë përgatitjen shkencore të mësuesit dhe mendimi i tyre të jetë kryesor në performancë dhe jo t’i lihet drejtorit të shkollës që të veproje sic do vetë apo kukullave pa arsim.

Te gjitha këto struktura që do të funksionojnë si të pavarura do të shmangin korrupsionin.

Ne MAS duhet të ekzistojë një strukturë që të merret me ankimimet, të jetë e specializuar me juristë që të garantojnë zbatimin e  ligjit pasi kjo gjë do të shmangë dhe cështjet e cuara në gjykatë.

Ekziston kontigjenti i mësuesve që sot janë të diplomuar, por që kanë ushtruar profesionin e mësuesit me mbarimin e shkolles së mesme dhe njëkohësisht ndiqnin shkollen part-time. Për këtë arsye duhet të ketë përcaktim të saktë për llogaritjet e viteve të punës në arsim nëse do të merren për bazë ose jo vitet e punës që ka ushtruar ky kontigjent në arsim pa diploma, sepse sipas kësaj teorie, del që një person i arsimuar me part-time dhe që ka ushtruar profesionin edhe pse pa arsimin përkatës, rezulton më i kualifikuar në bazë te viteve të punës që ai ka.

Kjo është një nga shkeljet që është bërë në këto konkurse. Zgjidhja qe ofrohet është ose të njehsohen edhe për mësuesit e diplomuar 4 vite pune në arsim për kohën e shkollimit për efekt konkurimi ose t’u hiqet e drejta e përllogaritjes së viteve të punës mësuesve të diplomuar part-time gjatë kohës që kanë ushtruar profesionin pa diplomë. Pra mësues të bën diploma dhe për efekt të llogaritjes së viteve të punës në konkurim, të merret data e diplomimit.

 

Po mësuesit e rinj si do të përzgjidhen? Mendoj se në përzgjedhje duhen parë  rezultatet e shkollës së mesme. Fakultetet e mësuesisë duhet të pranojnë vetëm studentë që kanë notë mesatare mbi 8. Si mund të jesh një meëues i mirë, kur ke mangësi në formim e më pas, të mësosh të tjerë?

Që të realizojmë arsim të mesëm të detyrueshëm, para së gjithash duhet të zbutim varfërinë që prindi të mos cojë fëmijën për të punuar që në moshën 15- vjecare, te krijojmë kushte për frekuentimin e shkollës sic janë  konviktet apo transporti me mjet, si dhe dhënia e    librave falas për fëmijët që vijnë nga familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Për emërimin dhe shkarkimin e mësuesve sipas dispozitave të tanishme, merr vendime Bordi i shkollës që sot është për të ardhur keq sepse është realizuar si kontrollet punëtore të diktaturës, pa arsim, prandaj kushti kryesor për të qenë në këto borde duhet të jenë njerëz me arsim të lartë.

Arsimi ynë nuk funksionon vetëm nga mungesa e bashkërendimit të veprimeve midis strukturave por mbi të gjitha, një plagë vazhdon të jetë edhe teksti alternativ. Cdo vit mësimor tekstet ndryshojnë, eksperimentohet pa kriter, shpeshherë ata janë jashtëzakonsisht të vështirë dhe nuk përputhen fare me zhvillimin mendor të fëmijëve. Teksti fillimisht duhet të eksperimentohet, të vilet mendimi nga mësuesit nëse ishte produktiv dhe pastaj të hidhet për përdorim të gjerë. Duhet të bëhet njehsimi i teksteve dhe sidomos i Gjuhës Shqipe dhe Historisë së Shqipërisë.

Përgatitja shkencore e mësuesve, tekstet e zgjedhura mirë, metodat e përparuara në mësimdhënie dhe në përputhje me kohën, do të bëjnë që të kemi një arsim më të denjë.

Profesioni i mësuesit duhet të hyjë në profesionet e vështira ndryshe nga profesionet e tjera ,cka nënkupton uljen e moshës së pensionit. Një mësues në moshën 60-65 vjec nuk mund të jetë produktiv, pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, krahasuar me një të ri të sapodalë nga bankat e shkollës. Kjo gjë do  t’i hapte rrugë punësimit të të rinjve.