Ngjarje

Përfaqësuesit e Komunitetit shqiptar në Greqi si dhe shumë emigrantë që ishin përgatitur për të marrë pjesë individualisht në Samitin e Diasporës, organizuar nga qeveria shqiptare dhe që do të zhvillohet në Tiranë, më 19-20 nëntor, shprehin pakënaqësinë në lidhje me organizimin dhe përfaqësimin e tyre në këtë Samit. 

Emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi e shikojnë veten të papërfaqësuar në Samit dhe për këtë, një pjesë e tyre, kanë vendosur ta bojkotojnë atë. 

Kanë qenë anëtarët e lëvizjes më të re LIBRA në Athinë, që kanë shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën për mospërfaqësimin e emigrantëve në këtë Samit duke u anashkaluar nga qeveria. Ata shprehen se emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi prej çerekshekulli, kanë luajtur një rol të çmuar për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, dhe askush nuk mund ta mohojë kontributin që kanë dhënë ata në zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe vendit ku punojnë e jetojnë. Emigrantët kanë shërbyer si urë lidhëse midis vendeve ku jetojnë dhe shtetit mëmë. Por qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama, ka vendosur të mos ua njohë këto merita duke i anësuar në Samit, ku nuk do të ketë të drejtë asnjë përfaqësues i emigrantëve të thotë të paktën edhe dy fjalë për emigracionin. Po kush do të flasë për emigracionin?! Portierët e ministrive të Ramës, apo tarafet e Ministrave dhe të kryeministrit?! Mos vallë emigracionit i mungojnë intelektualët? Ndoshta edhe i mungojnë, se intelektualë si ata të Kuvendit të Shqipërisë është vështirë të gjesh këtu në radhët e emigracionit. Ndërsa akademikë, profesorë, doktorë shkencash po, gjen. Por këta të fundit nuk i interesojnë qeverisë.

Ora po afron dhe emigrantët do ta ndëshkojnë çdo dredhi dhe padrejtësi me votën e tyre së shpejti.

Gjithashtu edhe përfaqësia më e madhe e komunitetit shqiptar siç është Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe disa shoqata të tjera kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. Madje, 3 ditë para mbajtjes së Samitit, në mbrëmjen e 16 nëntorit janë mbledhur urgjentisht në një takim të përbashkët në selinë e Federatë. Aty u diskutua kryesisht për nënvlerësimin dhe mospërfaqësimin e emigrantëve shqiptarë në këtë Samit. Gjatë diskutimeve ku u rrahën mendime të ndryshme u hodh edhe ideja e bojkotit, por përfundimisht u vendos që mos të bojkotohet Samiti, por para fillimit dhe pas përfundimit të tij të dilet në një konferencë për shtyp në Tiranë, ku të shprehen dhe të informojnë opinionin publik për gjithçka.

Megjithëse Samiti po zhvillohet në një moment të papërshtatshëm,  përfaqësuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë sërish vendosën që të ishin pjesë e tij duke besuar të slogani i Samitit. Por, nga ana tjetër, shprehin zhgënjimin që Samit nuk u organizua në kohën e përshtatshme, në muajin gusht kur emigrantët janë me pushime? Përfaqësuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Greqi siç duket janë mënjanuar qëllimisht dhe nuk u është marrë asnjë mendim në lidhje me Samitin, Ata ftohen thjesht dhe vetëm për të dëgjuar se si diasporistët nga Shqipëria flasin në emër të tyre. 

Po të ishte vërtet serioz një Samit i tillë, paraprakisht duhej të ishte paraprirë nga një konferencë të organizuar në çdo shtet ku ka shqiptarë. Në këto konferenca do të ishte dashur të diskutohej mbi organizimin, idetë dhe pjesëmarrësit. Por, organizatorët u mjaftuan thjesht me një formular që mund ta plotësonte cilido emigrant, madje edhe shqiptarët me banim në Shqipëri. Këta të fundit, pa as më të voglën pengesë mund ta quanin veten emigrantë apo shqiptarë të diasporës dhe, me këtë lloj organizimi, ishte e pamundur ta evidencoje. Një shqetësim tjetër që, me të drejtë, shtrojnë përfaqësitë e emigrantëve është se organizatorët nga Tirana, kanë caktuar diskutantë nga emigracioni që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin shqiptare dhe pa marrë mendimin e përfaqësuesve të tyre. Sipas burimeve të sigurta, sipas përfaqësive më të larta të emigrantëve, diskutantët janë zgjedhur sipas tarafeve të qeverisë.

Pyetja që lind është: pse zhvillohet ky Samit, për t’i shërbyer Shqipërisë, Diasporës, emigracionit, integrimit? Apo zhvillohet, ashtu siç po mendojnë shumë prej nesh, për t’i shërbyer dikujt për fushatë elektorale?! Ne besojmë se i shërben pikërisht qëllimit të fundit dhe kjo është shumë e lehtë për t’u evidentuar! Ndryshe nuk ka mundësi të kuptohet një organizim i tillë ...

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi, pas përfundimit të takimit të tyre kanë dalë edhe me një komunikatë të përbashkët për shtyp, ku përshëndesin Samitit duke e vlerësuar si nismë  të domosdoshëm, madje shumë vonuar, por ku shprehin dhe indinjatën e tyre për mënyrën e organizimit dhe mospërfaqësimit të tyre. Më poshtë komunikata e plotë: 

 

Komunikatë për shtyp

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, në bashkëpunim me Unionin e Shoqatave Shqiptare, organizatën “Përkrahje – Arogji”, të gjitha shoqatat dhe pjesëmarrësit në Samitin e Parë të Diasporës, përshëndet punimet e Samitit të Parë të Diasporës, por njëkohësisht shpreh indinjatë të thellë për mungesë këshillimi, mos respektim të përfaqësisë së ligjshme të Komunitetit Shqiptar në Greqi (që përfaqësohet nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi ligjëruar nga Gjykata e Shkallës së parë Athinë me nr. vend: 476/2006), për përzgjedhje selektive “me mik” të personave që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Komunitetin Shqiptar në Greqi. 

Federata ka bërë përpjekje vigane në ruajtjen e gjuhës, traditave, zakoneve dhe të drejtave të Komunitetit duke qenë pjesë negociuese me palën greke. Federata ka përfaqësuar të paktën tri herë në Parlamentin e Greqisë komunitetin shqiptar dhe ka zhvilluar takime me titullarët e instancave më të lartë në Greqi dhe në BE.

Zëri i Komunitetit Shqiptar në Greqi nëpërmjet Federatës është dëgjuar në dhjetëra panele ndërkombëtare si në Greqi, BE edhe më gjerë. Është vërtet për të shprehur habi se si shteti shqiptar e “harroi” atë!

Ndërkohë, Shoqata e Përgjithshme e Punëtorëve, ka vendosur ta bojkotojë Samitin me motivacionin, se në një Samit ku nuk jemi të përfaqësuar, nuk kemi pse të marrim pjesë. Jemi qytetarë europian, jemi njerëz të lirë dhe nuk kemi pse bëhemi vegël e qeverisë dhe partive për interesat e tyre të ngushta politike. Nuk kemi asnjë ftesë zyrtare si organizëm i emigrantëve shqiptarë në Greqi thotë kryetari i Shoqatës më të madhe në Greqi të punëtorëve emigrantë z. Luan Miha.