Kristina Murati
Më bëri shumë përshtypje dhe me kënaqësi them, përshtypje për mirë, kur në murin e një shkolle 9-vjeçare, në qytetin e Korçës, lexova: “Fëmijët duhet të mësojnë si të mendojnë, jo çfarë të mendojnë.”
Në një realitet që shpesh herë i përngjason skenareve më absurde, duke tejkaluar kufijtë e fantazisë, për t’i bërë zili madje edhe Franc Kafkës, të ndeshesh me një frazë të tillë duket sikur ke gjetur një xhevahir diturie.
Nëse një brez i ri, rritet me të tillë mendësi, do të thotë që po vëmë themele të forta dhe solide drejt një shoqërie që kërkon informim, njohuri, dije dhe në mënyrë të pavarur do materializojë mendime, opinione, strategji të shëndosha duke dhënë prova të një shteti që është në gjendje të qëndrojë mbi këmbët e veta, që nuk pret kalorësit shpëtimtarë nga Europa, që nuk bëhet gazi i botës me përpjekje vetëshkatërruese apo vetësabotuese. Një brez që do pyesë “si” dhe “pse” pa u kufizuar në një “çfarë”, që përveç një përmbajtjeje të thatë, jo gjithmonë arrin të depërtojë në zemrën e çështjeve. Po, kjo do jetë një shoqëri që nëse ndodhet përpara së panjohurës, do jetë pajisur me metodikën e të menduarit dhe jo vetëm të mjaftohet me të besuarit. Një shoqëri që me guxim do pranojë paditurinë dhe do përpiqet ta luftojë atë. Kjo do jetë një shoqëri e cila nuk do lejojë propagandën dhe demagogjinë. Në këtë shoqëri nuk do ketë vend vetëm për atë që mësohet aktualisht, që është: si të bësh marketing, marketing dijesh të paqëna, aftësish të pazhvilluara, arritjesh imagjinare, strategjive që i merr era, politikave të dështuara, përparim me hapa prapa, rritje në negativ etj. Sigurisht është e lehtë të përfitosh nga padituria e masave, kjo e bën të lehtë manipulimin dhe t’i japësh formën që dëshiron mendjeve njerëzore. Ky është rezultati që pritet kur drejtimi i takon një grupimi që trumbeton se di çdo gjë dhe kaq mjafton. Fundja është shumë e lehtë të tregosh dhe të kërkosh “çfarë” sesa “si”, apo jo?
Nëse bëhet fjalë për dije, dija është “gogoli” i klasës “moderne” drejtuese. Pse? Sepse dija të bën të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të shijosh, të nuhasësh në mënyrë figurative dhe jo vetëm. Dija të çliron shqisat dhe të jep hapësirë të mendosh më gjerë dhe të mësosh më shumë, të bësh dallimin midis “çfarë” dhe “si”. Dija në mënyrë të pashmangshme të bën të lirë. Liria hap rrugën e ndërgjegjësimit, mundësisë së zgjedhjes por edhe përgjegjësisë për të kërkuar. Për të kërkuar çfarë? Barazinë. Për ta kërkuar si? Mënyrat? Ka shumë. Një ndër to është LIBRA siç edhe po e tregon dita ditës.


