Nga Zylfi Buci
Analizimi i kësaj çështje duhet të ndërtohet në dy dimensione: së pari, sa aktiv janë të rinjtë, sa e ngrenë zërin për problematikat që hasin cdo ditë?
Së dyti, sa hapësira i’u jepen të rinjve në shoqërinë tonë? A dëgjohet zëri i tyre?
Ekziston një marrëdhënie e ndërsjelltë ndërmjet sistemit se sa i bën pjesë të mekanizmit të tij të rinjtë dhe sa të gatshëm janë të rinjtë për ta përmirësuar këtë sistem. Duke parë shoqërinë shqiptare me problematikat e shumta që ka mund të themi se po përjetojmë një dekadencë shoqërore. Kjo jo në kuptimin se unë si individ e shoh realitetin me sy pesimist, por duke parë cdo ditë vlerat që përqafohen. Si e tillë mund të themi se edhe të rinjtë si pjesë e kësaj shoqerie janë në një krizë identiteti dhe përfaqësimi.
Mendoj se një ndër shkaqet e këtij problemi është shkolla, një institucion shumë i rëndësishëm që çon shoqërinë përpara. Ky element që ndikon drejtpërdrejt në formësimin e të rinjve nuk po e kryen si duhet funksionin e saj edukativ. Arsimi(në të gjitha nivelet e saj) jo veçse nuk po prodhon specialistë, por as qytetarë të mirë. Të jesh qytetar i mirë do të thotë të jesh aktiv dhe kritik. Dhe të jesh një qytetar aktiv dhe kritik duhet te njohim të drejtat dhe detyrat tona, të njohim ligjet dhe rregullat e shoqërisë sonë, të kultivojmë parimin e përgjegjësisë dhe kërkimit të llogarisë, parimin e transparencës, me pak fjalë duhet të jemi pajisur paraprakisht me arsyen për të kuptuar proceset shoqërore. Vetëm kështu mund të jemi pjesë integrale e shoqërisë. Ndryshe ose do të jemi tek grupi që shfrytezojmë shoqërinë ose tek grupi i përjashtuar nga shoqëria. Megjithatë po të shohim Raportin e Bankës Botërore në vitin 2013 rezulton se 57% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë. Dhe një brez i edukuar në mënyrë të tillë është lehtësisht i qeverisshëm dhe mjaftohet me lirinë veç për të mbijetuar. Ekziston një përceptim i përgjithshëm në shoqërinë tonë, këtij përceptimi nuk i shpëtojnë as të rinjtë, se mjaftohen me faktin për të njohur sistemin, mekanizmin dhe mënyrën se si funksionojnë gjërat sot dhe punojnë për tu bërë i suksesshëm brenda kësaj logjike funksionimi. Brezi i ri nuk duhet të edukohet në funksion të nivelit të tanishëm, por në funksion të gjëndjes eventualisht më të mirë të mundshme për shoqërinë. Qëllimi nuk është përshtatja më realitetin që të paraqitet, por përmirësimi progresiv i saj.
Duke u munduar të sjell në vëmendje elemente se si duhet të jetë shoqëria, më lind pyetja: Pse ka një mungesë të theksuar idealizmi tek të rinjtë sot në Shqipëri?
Nga njëra anë kemi një gadishmëri të japim jetën për "hiçgjë" kur është fjala për të futur në dorë një send që na shton pushtetin, por nuk jemi të gatshëm të vdesim për një ideal, apo për liri. Kundërpërgjigjja që do marr në këtë rast do jetë "Po ne jemi të lirë!" Po. Po, jemi të lirë. Formalisht jemi të lirë, në përmbajtje jo. Ne e mendojmë lirinë thjesht fizike, prandaj dhe mjaftohemi me kaq.
Prandaj sot "etja për pasurim të shpejt" na ka çuar drejt përfitimit të menjëhershëm dhe materializmit.
Kjo justifikon dhe sjelljen e të rinjve në forumet partiake, që kanë një qasje të bindurit ndaj liderit. Kështu mund të ngjisin më lehtë shkallët e karrierës. Në qarqe të ndryshme shoqërore mungon debati për ideologjitë politike(parimet) që më pas përkthehen në politika publike. Ky qartësim na përcakton rolin tonë në shoqëri dhe dimë çfarë të kërkojmë dhe mbrojmë. Kjo mungon dhe tek të rinjtë, të cilët janë larguar shumë nga parimet dhe janë kthyer në pragmatistë.
Sot ne i përshtatemi mekanizmit shoqëror. Sistemi na servir punsim jo nëpërmjet meritokracisë, por klientelizmit dhe nepotizmit. Ja ku në heshtje legjitimuam një të keqe që e kritikojmë cdo ditë. Të rinjtë e arsimuar jashtë vendit, me një frymë të re nuk i promovojmë. Nuk u japim forcën e shembullit.
Në mungesë të mekanizmave që garantojnë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën aktive shoqerore ka bërë që të rinjtë sot mos të përfaqsojnë një botëkuptim të ri, frymë të re dhe ide që sjellin ndryshim, por te rinj qe mbesin peng i politikës së vjetër. Me shpresën se vokacioni për politikën të shprehet qartë nga të rinjtë, për të krijuar një realitet të ri. Energjia e të rinjve të kanalizohet në dobi të shoqërisë për të vënë në levizje procese demokrarizuese.
Të rinjtë nuk janë thjesht numra. Janë në ballë të ndryshimeve shoqërore.


