Blog

Nelson Sinanaj

Pa dyshim janë shumë , por ato që po bëhen akoma edhe më shumë shqetësuese nga dita në ditë janë arsimi dhe punësimi.

Përsa i përket arsimit ka dy prizme të ndryshme mjaft alarmante prej shumë kohësh por fatkeqësisht pa asnjë progres të dukshëm apo të ndjeshëm nga vetë ne, të rinjtë. Fatkeqësia e parë qëndron në faktin se jo çdo i ri ka ‘luksin’ të arsimohet, pavarësisht dëshirës, vullnetit, përpjekjeve, inteligjencës, rezultateve dhe ëndrrave që ata mund të kenë. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të varfërisë materiale por edhe atë morale që po i shkaktohet çdo të riu që nuk ka mundësinë financiare të përballojë studimet universitare duke i vrarë shpesh të vetmen rrugë për t’u shëruar nga virusi shpresëvrasës qe po infekton rëndom shoqërinë shqiptare, MJERIMI. Pra jo vetëm duhen përkrahur, por duhen ngritur në piedestal të gjithë ata të rinj që pavarësisht problemeve të panumërta, të pashmangshme dhe të trashëguara prej brezash kanë në fokus kryesor të tyre edukimin, arsimimin , dëshirën dhe shpresën për ndryshim. Por si mund të bëhet kjo? Nje hap i rëndësishëm përpara rreth kësaj çështje është BURSA SOCIALE.

Nuk e kam fjalën për bursat sociale që ju shpërndahen sot si lëmoshë vetëm një pjesë shumë të vogël studentësh, në mënyrë selektive dhe jo të drejtë. Kjo gjë duhet PATJETËR të ndryshojë në mënyrë esenciale. Fillimisht duke u vënë në dispozicion kësaj pjese kuptimplotë të shoqërisë një sasi relativisht të mjaftueshme të ardhurash , sepse askush nuk mund të bëjë shkencë me barkun bosh, sigurisht me një monitorim strikt në procesin e selektimit në mënyrë që të garantohet drejtësi, barazi dhe meritokraci . Dështimi i dytë qëndron në kalbjen dhe vjetërimin e kurrikulave mësimore duke i shtuar procesin letargjik të transmetimit të këtyre palo njohurive duke filluar nga fazat më të hershme të arsimimit.

Libra apo materiale të përkthyera keq dhe të riprodhuara në mënyrë horizontale nga shumica prej tyre që duhet të ishin shembujt apo udhëheqësit e një rrugëtimi sa të gjatë e të mundimshëm aq të bukur e plot dritë. Për të ndryshuar këtë duhet një punë galopante dhe fortësisht intensive duke filluar nga auditimi dhe kontrolli në mënyrë të detajuar e çdo gërmë në tekstet apo materialet shkollore deri tek ndërveprimi dhe ndërgjegjësimi i çdo misionari të përcjelljes së dijeve.