Blog

Alajd Alla  

Kur e shihja LIBRA-n nga jashtë shumë gjëra më dukeshin misterioze. Brenda vetes më lindnin pyetje që nuk i jepja dot përgjigje dhe nga mospërgjigjia, pasiguria më rritej. Veten e gjeja tek objektivat e LIBRA-s dhe më pëlqente të kontribuoja, por përsëri më dukej vetja larg saj. Nuk kisha marrë pjesë asnjëherë më parë tek organizimet politike dhe kisha frikë se mosbesimi më thyhej. Dëshira ime ishte e madhe për të qenë aktiv për një Shqipëri më të mirë dhe më te drejtë. Kjo ishte arsyeja kryesore që më në fund të bëhesha LIBRA. 

Sot unë jam pjesë e të rinjve LIBRA dhe shoh që asgjë nuk është më misterioze. Të gjithë jemi të informuar për gjithçka çfarë ndodh aty sepse midish nesh ekziston barazia. Unë aty shoh të rinj me shumë besim, që vullnetarisht kontribuojnë me ide të ndryshme, por të gjithë kanë një qëllim. Qëllimi është tjetërsimi i realitetit. Një tjetërsim më të mirë, njësoj si ai i bashkëmoshatarëve europianë. 

Tek të rinjtë LIBRA unë shoh forcë sepse kundërshtojmë të padrejtën; shoh energji sepse punojmë mbi të mirën; shoh sinqeritet sepse mendimet janë të ndryshme dhe jo të detyruara nga dikush; shoh guxim sepse po ndërtojmë diçka shumë ndryshe, por nga fillimi; shoh bashkëpunim dhe aktivitetet e ndryshme që kemi organizuar e tregojnë këtë më së miri; shoh thjeshtësi, sepse ne jemi realisht të tillë. Por mbi të gjitha shoh krenari, sepse njerëzit e drejtë na mbështesin.

Ashtu siç na mblodhi e padrejta përsëri të gjithë bashkë do ta luftojmë. Për momentin jemi qindra, por unë e di se ka shumë persona, njësoj si unë në fillim që na ndjekin por nuk aktivizohen. Shumë shpejt do të jemi mijëra. Do të jemi më të fortë dhe gjithëpërfshirës. Do të jemi më të drejtpërdrejtë dhe të afërt me të gjithë. 

Të rinjtë nuk do të zhgënjehen më, por do të ndihen të përfaqësuar dhe do të zënë vendin e tyre në shoqëri. Besimi ynë për një Shqipëri më të mirë nesër do të përcillet si shpresë edhe tek të rinjtë e tjerë. Vizioni ynë është real dhe në progress. Kjo rini do ta bëjë të ardhmen më të thjeshtë dhe më të drejtë për cilindo.