Kush e financon politikën në Shqipëri? Përgjigja e kësaj pyetjeje dihet. Por gjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje është shndërruar tashmë në një emergjencë kombëtare. Tashmë të gjithë janë të bindur, ne këtu dhe ndërkombëtarët, se tek mënyra e financimit të partive buron korrupsioni dhe krimi financiar.
Ne mund të bëjmë sot shumë pyetje të tilla si:
1. Ku i gjejnë paratë partitë për të financuar tubimet madhështore elektorale që ua kalojnë edhe koncerteve të Beyonce-s?
2. Ku i gjejnë paratë për të paguar reklamat e kushtueshme në media?
3. Ku i gjejnë paratë për të paguar lobuesit në Uashington që u sigurojnë udhëheqësve të partive fotografi në korridoret e Kongesit, për t’i tundur këtu si mbështetje amerikane?
4. Ku i gjejnë paratë për të ushqyer makinerinë vrastare të demokracisë, blerjen e votës, një fenomen që po zgjerohet nga njëri proces zgjedhor në tjetrin?
Politika jonë financohet në mënyrë informale nga bizneset, dhe madje me para që vijnë edhe nga bota e krimit. Kjo është forma më flagrante dhe brutale e korrupsionit, pasi këto para nuk janë asgjë tjetër veçse parapagim i korrupsionit. Sipërmarrësit që financojnë fushatat elektorale dhe politikën në përgjithësi, i marrin mbrapsht paratë, të shumëfishuara, përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive. Opozita e sotme tregon me gisht donatorët ilegalë të qeverisë, që sipas saj po përfitojnë dhjetra miliona euro nga koncesione të dyshimta. Ndërsa qeveria e sotme, para tre vitesh, tregonte me gisht donatorët e qeverisë së djeshme, që bënin të njëjtën gjë.
Nevoja e politikës për para, ka bërë që nga njëra legjislaturë në tjetrën, në parlament të ulen gjithnjë e më shumë tregtarë e ndërtues, dhe gjithnjë e më pak politikanë profesionistë. Ata tërhiqen në politikë pasi i financojnë vetë fushatat e tyre dhe votat më shumë se me ide i sigurojnë duke i blerë. Duke mos patur asnjë filtër në përthithjen e njerëzve të pasur që sigurojnë vota përmes parasë, në legjilaturën aktuale, në karriget e ligjvënësve u ulën edhe njerëz që i përkasin zyrtarisht botës së krimit. Reforma në drejtësi mund të ndreqë cilësinë e sistemit duke e pastruar atë nga njerëzit e korruptuar, por kalbëzimi i shtetit buron edhe më lart. Për sa kohë partitë nuk bëjnë publike donatorët, korrupsioni nuk do të mund të luftohet, përkundrazi do të thellohet.
Shqipëria ndodhet në një situatë të paprecedentë, pasi klasa e saj politike është sot zyrtarisht e inkriminuar vetëm si pasojë e parasë informale që e ushqen atë. Nëse ka një emergjencë në këtë vend, ajo është transparenca financiare e politikës. Transparencë të donatorëve të partive, transparence të fondeve nga kandidatët-biznesmenë. Nëse nuk garantohet pikërisht kjo, asnjë reformë zgjedhore e asnjë reformë në drejtësi nuk do të garantojë dot luftë ndaj korrupsionit dhe dekriminalizimin e politikës.
Alarmi po mbahet gjallë nga OSBE e cila në mënyrë të rregullt këto javët e fundit ka kërkuar ndryshime në ligjin zgjedhor, duke përfshirë edhe çështjen e financimit.“Partitë politike duhet t’i raportojnë rregullisht KQZ - së të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet për qëllime fushate”- tha përfaqësuesja e OSBE në një tryezë, dedikuar kësaj çështjeje pak ditë më parë. Por problemi janë gjithmonë partitë, sepse ato mashtrojnë me raportimet financiare, ndaj Dhoma Zgjedhore, një grup OJF-shë, i propozuan kominsionit parlamentar të reformës zgjedhore krijimin e një strukture monitoruese, nën varësinë e KQZ, për koston e fushatës së partive. Ndrësa opozita propozon ndalimin e fondeve private dhe financimin e partive nga buxheti i shtetit, me kosto të arsyeshme. Asnjë zgjidhje, për momentin, nuk duket përfundimtare për të mbyllur rubinetin e parave informale që ushqejne politikën. Por edhe shqetësimi duket sikur më i madh është nga organizatat ndërkombëtare sesa vetë faktori i brendshëm.


