Kush e vrau Arditin?
Kush po i vret qindra fëmijë që enden nëpër landfillet e vendit, si e vetmja shpresë për të jetuar?
Kush po e vret shpresën e të rinjve për t’u shkolluar?
Kush po e “burgos” endrrën e shumë shqiptarëve?
Kush i detyron fëmijët e vegjel të sillen rrugëve duke shitur paketa, fiq, apo duke u kthyer ne “lypës profesionistë”?
Mund të vazhdoj pa fund me “psetë e mjerimit”, por kjo nuk do t’i mbaronte kurrë hallet e popullit tim.
Të ndodhur mes bekimit të natyrës, pasurive të pafundme ujore, minerale, klimaterike, të vendodhjes strategjike si rrugë kalimi apo lidhëse me Evropën, përsëri ne jemi të varfër.
Ne jemi të varfër, e për më tepër akoma nuk e dimë se sa kushton varfëria jonë.
Nuk e dimë se sa na nevojitet për t’u ushqyer dhe mbijetuar, për të mos u gjendur të vdekur nga uria, apo “të djegur” nga i ftohti.
Shumë fëmijë nuk po gjejnë mundësinë të ëndërrojnë për t’u bërë dikush në jetë, pasi varfëria është ulur këmbëkryq mbi shtëpitë e shqiptarëve. Pamundësi ushqimi, shkollimim i lënë përgjysëm, largime masive nga vendi, përulje dhe humbje dinjiteti, janë e vetmja ofertë politike tashmë.
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi …
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis…
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë, …
Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,…
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!..
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n'ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
Të gjitha këto vargje tregojnë, duke mbështjellur me madhështinë e tyre, realitetin e familjeve shqiptare, të cilave pashallarët e fluturimeve me çarter, s’u japin dot as minimumin për t’u ushqyer.
E pra, kush e vrau Arditin dje dhe do të vrasë shumë fëmijë të tjerë nesër?
Kjo pyetje në fund do të ketë vetëm një përgjigje. Mjerimi.
Mjerim që nuk gjen shpresë në sarajet e pushtetarëve tanë.
Ndoshta e vramë të gjithë me indiferentizmin tonë, nga frika se mos viktimat e radhës do të ishim vetë ne.
Kjo duhet të na zgjojë sot të protestojmë, për të gjitha padrejtësitë që u janë bërë shumë e shumë shqiptarëve, duhet të protestojmë duke u udhëhequr nga parimet e LIBRA -s.
Të protestojmë si LIBRA, pasi vetëm kështu mund t’i ofrojmë shqiptarëve të paktën një minimum jetik për t’u ushqyer, një minimum për t’u shkolluar, një minimum për t’i parë të buzëqeshur, një minimum jetik që u ka munguar prej 26 vjetësh. Për plot çerek shekulli.


