Për mendimin tim libri është diçka multifunksionale. Shërben për aq shumë gjëra, sa tani që po marr guximin t’i përmend frikësohem mos
harroj ndonjë nga ato. Ai shërben për vetveten dhe për të tjerët. Libri shërben si busull kur ke nevojë të orientohesh në labirintin e leksikut për të gjetur fjalët e duhura. Ai shërben si një çelës i cili të hap një botë të re, ku ti gjendesh dhe frikësohesh se mos në përfundim të librit do të dalësh jashtë saj. Libri shërben si një tërësi dhuratash për të tjerët, pasi nuk i dhuron vetëm një libër, por i jep mundësinë që edhe personi tjetër të shkojë në një tjetër vend. E nëse librin e ke lexuar më herët, ndoshta edhe mund të takohesh me të në ate vend. Dhe për mendimin tim kjo është mundësia më e bukur që libri të dhuron. Të imagjinosh veten në një vend tjetër.
“Kurrë mos i dhuro dikujt një libër të cilin nuk e ke lexuar vetë.” ka thënë George Bernard Shaw. Dhe ne, anëtarët e LIBRA-s nuk ju paraqesim ju një ide të cilën nuk e kemi punuar e lexuar më herët. Dhe të nisur nga ajo çfarë ne dijmë për LIBRA-n që ju ju paraqesim ju them me bindje të plotë se mes LIBRA-s dhe librave ka një ngjashmëri të disaaspektshme. Ashtu si ju ndihmon libri të gjeni fjalën në labirintin e leksikut, Libra ju ndihmon të gjeni mundësinë më të mirë për Shqipërinë në labirintin e mundësive të vyshkura. Ndryshe nga Barbara për të cilën Kafka thotë se vdes me një tufë lupinësh të thatë, LIBRA na ofron mundësinë që në fushën ku ka shumë lupinë të vyshkur të gjejmë ato lupinë të freskët dhe sipas modelit të tyre të ndërtojmë një vend të ri, me një politikë të re e të freskët.
Libri na jep mundësinë që të imagjinojmë veten në një vend tjetër, ndërsa LIBRA na jep mundëinë që të veprojmë për këtë gjë.
Dhe për këto arsye po ju kërkojm ju që t’i bëjmë Shqipërisë një dhuratë të madhe, LIBRA-n.
Andreas Dushi