Gruaja përballë dhunës së mbyllur, të fshehur
Dhuna e mbyllu është ajo që nuk deklarohet dhe që çdo ditë është e pranishme pothuajse në çdo shtëpi, e sidomos në zonat rurale dhe në fshat. Shumë femra që nuk e deklarojnë dhunën, jo vetëm janë nën presionin e familjes, së bashkëshortit, por edhe "mentalitetit" që sundon në shoqërinë provinciale. Mosbesimi tek ligji, i bën shumë femra të heshtin duke fshehur këtë fenomen përditësor, ndaj tyre.
Duke qenë, të pambështetura dhe orientuara, (ka femra që nuk kanë as një celular, jo më internet), për informacionin e duhur lidhur me sistemin e denoncimit dhe mekanizmat e mbrojtjes, mund të themi se shumë gra "dhunojnë" vetveten nga mosdenoncimi.
Një tjetër fenomen i fshehjes janë edhe "pengesat" nga brenda llojit, (kunata/t, vjehrra, familja e të dhunuarës etj.), duke bërë që kjo dhunë të "mbulohet" me thënien:
“Se burri të do dhe të rreh!”
Sipas statistikave, numri i femrave të dhunuara fizikish në zonat rurale, është shumë më i madh, (papunësia, alkolizmi, xhelozia, emigracioni), shumë gra jetojnë me kunatat, prindërit e bashkëshortit, që edhe ata i dhunojnë.
Shumë gra janë të detyruara t’ i binden dhunës në emër të familjes dhe fëmijëve, kjo e shtyrë edhe nga niveli i ulët arsimor, pamundësia e strehimit dhe pasja e një pune, mjete të cilat do t’i bënin ato më të pavarurar nga dhunuesi.
Një tjetër arsye madhore, është kërcënimi me jetë i grave të dhunuara, dhe presioni se do t'ua marrin fëmijët, që të jenë të "bindura" dhe totalisht "masha" të dhunuesve, që të mos denoncojnë burrat në polici.
Ndaj, duhen jo vetëm ligje të forta, por të gjitha femrat të denoncojnë dhunën e çdo lloji dhe në çdo vend, për t'u çliruar jo vetëm nga frika (se shteti dhe ligji nuk na mbron), por edhe nga mendësia e fshehjes nga turpi.
Duke fshehur dhe mosdenoncuar dhunën, kanë ndodhur tragjedi familjare, jo vetëm vrasje të grave, por pasoja zinxhir në familjet e tyre, sidomos nga fëmijët që rriten nën "presionin" e dhunës me prindër të vdekur dhe të burgosur. Një realitet që përditëson, shoqërinë dhe familjen kaotike shqiptare, ku femra është jo vetëm objekti i dhunës, por edhe më e pambrojtura nga ligjet aktuale.