Shteti, gjobëvënësi më i madh i Shqiptarëve
Shqipëria është një vend i varfër me një klasë politike të kamur. Interesa biznesi miliona dollarëshe vlojnë në koridoret e pushtetit. Hallet e njerëzve nuk janë as në axhendën e shoferëve të politikanëve, të cilët për një arsye apo një tjetër mund të gjenden më afër njerëzve të thjeshtë.
Nëse qëndron pak dhe reflekton për çfarë dëgjohet në korridoret e pushtetit, do të habiteshe me faktin se si ka mundësi që në një vend kaq të varfër shumë drejtorë kanë një fitim prej mbi 50 mijë euro në ditë.
Doganat, Policia Bashkiake, Policia Tatimore, Antikondrabanda, AKU, Policia e çdo institucion tjetër që ka lidhje me problemet e njerëzve të thjeshtë, prej 30 vitesh kanë bërë vetëm gjobvënësin për shqiptarët, jeta e të cilëve sa vjen dhe vështirësohet.
Radhë pa fund, sharje, ofendime dhe shumë e shumë peripeci për “hallexhiun popull”. Për njeriun, që nëse nuk paguan do të mbetet i pabegenisur edhe nga roja e spitalit apo derës, që duhet të kalojë për të hyrë në një institucion “gjobvënës”.
Dikur tregoheshin histori se si një kryeministri drejtori i doganave i çonte në shtëpi përditë nga 3 steka malboro me lekë, plot e përplot. E diku flitej se si një politikane mbante për lekë xhepi 10 mijë euro, se nuk i dihej se sa mund të ishin shpenzimet e ditës.
Shpenzime marramendëse në kazinotë e jahtet e vendeve fqinje nga deputetë me pak pushtet apo drejtorë të afërt me qeverinë, janë sot histori që i di i gjithë populli, popull që për hir të kushëririt të tretë, që mund ta heqin nga puna, nuk flet dhe s’pranon vjedhjen që duket sikur nuk do të rreshtë kurrë.
Këto janë histori që edhe lordët e mbretërive më mizore do t'i kishin zili.
Po përse ndodh kjo?
Përse nuk flet njeri?
Përse njerëzit ulin kokën dhe largohen, sa herë që bie fjala për këto hajdutësi?
Përse njeriu që paguan për të marrë një shërbim ikën i lumtur që mbaroi punë për momentin? Perse?
E pra, kjo ka vetëm një përgjigje.
Shteti është vetë gjobëvënësi dhe për këtë arsye ky fenomen nuk po njeh ndalim.
Pa diskutim që edhe përgjigjia mund të ketë vetëm një zgjidhje.
Ndryshimi rrënjësor i klasës politike, që për 30 vjet ka gjobitur hallexhiun shqiptar.
Ne duhet të bëjmë një betim. Një betim të thjeshtë dhe të vërtetë. Të betohemi se nuk do të rreshtim së luftuari kundër këtyre njerëzve, e nëse vota popullore do të na besojë një ditë drejtimin e vendit, do të çojmë përpara drejtësisë çdo njeri që ka vjedhur apo grabitur qoftë dhe 1 qindarkë nga xhepi i qytetarëve.
Të shpresojmë që dita e ndëshkimit do të vijë shpejt. Të shpresojmë që një ditë qytetari i pashpresë do të mposhtë lëmoshën e politikanëve dhe do t’i ndëshkojë me votë e më pas drejtësia do bëjë punën e saj.
Shqipëria meriton të jetë një vend i begatë ashtu siç dhe vetë perëndia e ka lënë, e për të cilën kanë shkruar shumë njerëz të shquar.