Editoriale
Më 29 Nëntor 1944, shqiptarë të të gjithë brezave mposhtën përfundimisht forcat pushtuese fashiste, duke e çliruan tërësisht Shqipërinë nga forcat pushtuese më çnjerëzore dhe më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Ky ishte rezultati i përpjekjes mbarëkombëtare të shqiptarëve të bashkuar nëpërmjet Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Luftën e Dytë Botërore. Një fakt i pamohueshëm.
Fashizmi është njolla më e zezë e historisë së njerëzimit. Fashizmi ishte një lajthitje e madhe që popujt e botës e paguan me një numër tmerrësisht të madh viktimash. Fashizmi ishte mishërimi i shkatërrimit të fuqive prodhuese dhe krijuese të njerëzve, deri në shfarosje popujsh. Qëllimi i fashizmit ishte nënshtrimi i popujve nëpërmjet gjenocidit (shfarosjes në masë) dhe asgjësimit të mendimit të lirë, që nuk përputhej me ideologjinë çnjerëzore fashiste. Me pak fjalë fashizmi ishte çmenduria, që do të shkatërronte njeriun.
29 Nëntori apo Dita e Çlirimit të Shqipërisë ka një domethënie shumë të madhe për popullin shqiptar.
E para, vajza e djem të rinj por edhe gra e burra të guximshëm, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe terrorit të makinerisë fashiste, u organizuan nëpërmjet Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar për t’iu kundërvënë fashizmit dhe për të qenë zot të vendit të tyre.
E dyta, vajza e djem të rinj por edhe gra e burra të guximshëm, treguan virtytet më të larta njerëzore duke luftuar deri në vetëflijim kundër makinerinë çnjerëzore fashiste, dhe duke u rreshtuar në anën e triumfit të vlerave njerëzore, pra në anën e Aleatëve (koalicioni antifashist që rezultoi fitues).
Së treti, organizimi nëpërmjet Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar tregoi se i bashkuar populli shqiptar mund të arrinte fitore të jashtëzakonshme edhe ndaj një makinerie çnjerëzore ekonomikisht dhe ushtarakisht jashtëzakonisht të fuqishme siç ishte fashizmi, dhe mbi të gjitha tregoi se mund të fitonte ndaj kësaj makinerie çnjerëzore.
29 Nëntori ka edhe një vlerë shumë të madhe historike, pasi Shqipëria edhe pse një vend i vogël, ishte nga të paktat vende që u çlirua nga pushtuesit fashist më forcat e veta.
E pra, kjo datë na frymëzon të kujtojmë potencialin e madh njerëzor të paraardhësve tanë, pavarësisht disavantazhit tejet të madh teknologjik dhe ekonomik që kishin, për të ngadhënjyer mbi një armik të tmerrshëm çnjerëzor, gjakatar dhe shfarosës siç ishte pushtuesi fashist.
Një tjetër ngjarje shumë të rëndësishme që na kujton 29 Nëntori, mendoj se është fakti që shqiptarët mbrojtën edhe shumë familje hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky fakt duhet të bëjë që ne si shqiptarë të jemi shumë krenarë, pasi kemi treguar vlerat më të madha të mundshme të një shoqërie të qytetëruar: mbrojtjen e jetëve njerëzore. Ndërsa në shumë vende të botës gjatë pushtimit fashist, hebrejtë u persekutuan dhe u shfarosën, në Shqipëri njerëz të guximshëm sakrifikuan deri edhe në ekzistencën e tyre për të mbrojtur hebrenjtë.
Të gjitha sa u thanë më lartë, në ditët e sotme duhet të kujtohen dhe të na vlejnë si mësim, i cili na tregon se potenciali i shqiptarëve është i jashtëzakonshëm dhe nuk ka asnjë pengesë, sado e madhe të jetë ajo, që të mos mund të tejkalohet kur ka bashkim dhe organizim. Le të jetë 29 Nëntori 1944 apo Fitorja e shqiptarëve në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare një udhërrëfyes i përhershëm që na kujton se me punë dhe përkushtim arrihet gjithçka.