Vëndi im po zbrazet
Shqipëria po kalon momentet më të vështira në të gjithë historinë e ekzistencës së saj. Njërëz që shesin gjithçka dhe ikin duke lënë nga pas veç dëshpërim. Shpopullimi që po ndodh sot është më i madhi i të gjitha kohrave. Më i madh se ai kur erdhi turku. Më i madh se ai kur erdhi italiani apo gjermani. Më i madh edhe se vetë imagjinata e çdo studiuesi e historiani.
Vendi im po zbrazet.
100 000 fëmijë më pak në bankat e shkollës. Çdo ditë femijë të tjerë që ikin prej saj.
LIBRA foli për këtë situatë që në 2016 me anë të themeluesit të saj: “Shqipëria po zvogëlohet, Shqipëria po zbrazet. Kur takoj njerëz kaq pesimistë nga veriu në jug, kuptoj se Shqipëria është kthyer në një kafaz, në një burg për të varfërit që i mban këtu brenda dhe ata nuk dalin dot”.
Sot rezultati është akoma më i frikshëm. Shqiptarët janë “dyndur” rrugëve të Evropës pasi nuk shohin më asnjë mundësi, asnjë shpresë, asnjë rreze drite ku të mendojnë se do të gjejnw shpëtim nga ky mjerim në të cilin ndodhet vendi.
Vendi im, i yti, i të gjithëve ne, po zbrazet.
Mësues, inxhinierë, ekonimistë, doktorë e çdo person i ditur po ikën. Po ikën nga sytë këmbët. Po ikën që fëmijët e tyre tw mos vuajnë për bukë megjithëse mund të kënë një shkollim ekselent. Po ikin pasi këtu trinomi 30 vjeçar politik është kthyer në një organizatë kriminale, e cila nëse nuk arrin të ta blejë nderin të merr jetën.
E pra, ti miku, vëllai, shoku im, përse nuk i thua jo politikës, por kërkon të ikësh?
Ne nuk jemi në luftë, por duhet të luftojmë me të keqen. Me këtë të keqe qe e ka zanafillën që 30 vjet më parë, kur shtetin e morën suzarët, grabitësit, antishqiptarët dhe vazhdojnw sot e kësaj dite me shkatërrime, koncesione e PPP-ra, e ku i varfri nuk mund të punojë tokën e as të ushqejë fëmijët e tij, pasi askush nuk mendon për të.
“O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qite me krye n'hi?
Ti ke pas qene nje zoje e rande,
Burrat e dheut te thirrshin nane.”
Janë vargje sa domethënëse aq edhe prekëse për këtë situatë në të cilën ndodhemi. Janë vargje që sot nuk i dëgjon më të shkruhen apo dhe mendohen nga shkrimtarët tanë, pasi mjerimi e ka vrarë edhe artin, e ka shpërfytyruar edhe artistin.
E pra ky është vendi im. Një vend që nëse populli nuk ngrihet për të rrëzuar të keqen, do të zbrazet, ashtu siç janë boshatisur shumë fshatra që kanë nxjerrë njerëz të ndritur e atdhetarë të shquar, por që sot rrezikojnë të mbeten vetëm një kujtim në librat e historisë.
LIBRA ju bën thirrje që të bëjmë dhe një sforco dhe ta godasim fuqishëm trinomin e politikës grabitqare.
LIBRA është shpresa jonë e vetme që kjo situatë të marrë fund.