Analizë/Ilir Sinanaj:Liria në programin e LIBRA-s

Më pyesin shpesh çfarë është “LIBRA” dhe çfarë mendimi kam për të. Në lidhje me këtë do të jap këndvështrimin tim sesi e shoh këtë forcë politike. Fillimisht LIBRA është një lëvizje politike. LIBRA nuk është diçka ezoterike, jashtëtokësore apo hyjnore, por është diçka shumë njerëzore, pasi është e përbërë nga njerëz të zakonshëm të të gjitha kategorive dhe të të gjitha mendësive që mund të gjesh në Shqipëri. Por në të kundërt të forcave të tjera ekzistuese në Shqipëri, LIBRA nuk është një forcë politike që i formëson njerëzit, por janë vetë njerëzit e angazhuar që i japin formë asaj, me idetë e tyre. LIBRA është rezultati i dëshirave, veprimtarisë dhe ideve të anëtarëve të saj, të cilët ekzistencën e tyre në tregun e egër kapitalist (sidomos në Shqipëri ku ka një mendësi klanore) e kanë ngritur mbi forcat vetjake dhe pa krijuar varësi tek premtime politike për ekzistencë. Dhe kështu ata janë të lirë të ngrenë pikëpyetje mbi sistemin e kastës politike aktuale si edhe ta godasin atë me forcë madhore të arsyes, kur bie ndesh me zhvillimin. Kjo liri, që ka në thelbin e saj LIBRA, e bën këtë forcë shumë “të rrezikshme” për rendin a kastës aktuale të partive tradicionale “rilindje”, PD e Vjetër dhe LSI. Pra nëse “rilindje”, PD e Vjetër dhe LSI përpiqen të ruajnë ekzistencën e tyre politike duke “shantazhuar” anëtarët me vende pune dhe sipërmarrësit me heqje mundësie për të bërë biznes, LIBRA zmadhohet duke qenë se pjesë integrale të përbërjes së saj ka lirinë, të bazuar mbi faktin se çdo njeri është vetë zot i fuqive krijuese dhe prodhuese të veta dhe është i lirë t’i investojë ato për mirëqenien e vet, pa pasur “detyrim” politik.Është pikërisht kjo gjë që ka bërë që LIBRA të rritet me ritme shumë të shpejta në mbarë Shqipërinë si edhe që përfaqësuesit e saj në Parlament, deputetët Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi, të kenë mbështetjen e nevojshme për të ndërmarrë një opozitë të rëndësishme përballë partive të vjetra “rilindje”, PD e Vjetër dhe LSI. Dhe një nga pikat e forta të LIBRA-s është lufta ndaj varfërisë, që për herë të parë pas dy dekadash, ka marrë një formësim konkret nëpërmjet konceptit të minimumit jetik.

Minimumi jetik

LIBRA ka propozuar në programin e saj “përcaktimin e minimumit jetik si prag të detyrueshëm që i duhet çdo njeriu për të mbijetuar. Asnjë qytetar nuk do të paguhet nën 16.900 lek, shifër që është kufiri i minimumit jetik”. Fillimisht le të përcaktojmë minimumin jetik. Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social-kulturore, sipas organizatave ndërkombëtare të specializuara në fushën e mirëqenies sociale dhe punësimit.Me fjalë të tjera qytetarët në nevojë do të ushqehen. Duke u ushqyer do të mendojnë. E ku ka armë më të fuqishme se mendimi i arsyeshëm i njeriut për të mposhtur çdo vështirësi e për të shkallmuar vargonjtë e pamundësi që të ketë lirinë e veprimit prodhues dhe krijues. Pikërisht kjo gjë tremb rendin e partive të vjetra “rilindje”, PD e Vjetër, LSI. Të ushqyer qytetarët do keni lirinë e të zgjedhurit, dhe nuk do të varen më nga “lëmoshat” parazgjedhore dhe paszgjedhore të “rilindje”, PD e Vjetër, LSI. Është pikërisht kjo pse përmendja e minimumit jetik jo vetëm do të çlirojë qytetarët nga varfëria, por do të mundësojë “vetting”-un më spektakolar të politikës shqiptare këto 26 vite e fundit. Me marrjen përsipër të kauzës së minimumit jetik, për të cilin nuk flitet pothuajse fare në media (për arsyet e lartpërmendura), LIBRA është në pararojë të përfaqësimit të ndryshimeve që po sjell koha. Mbetet vetëm që në radhët e LIBRA-s të ngrihen intelektualë dhe profesionistë të guximshëm në çdo lagje qyteti apo fshat, që ta argumentojnë risinë e minimumit jetik si dhe pse duhet të përfshihet në legjislacion. Minimumi jetik duhet të jetë kryefjala e LIBRA-s dhe të jeni të sigurt, që gjatë fushatës elektorale “rilindje”, PD e Vjetër, LSI as nuk do të kenë guximin ta përmendin qoftë edhe njëherë. Minimumi jetik është “ekskluzivitet” i LIBRA-s, pasi nga mënyra sesi paraqitet të jetë konceptuar kjo forcë politike, vetëm ajo mund të përhapë atë dhe të bindë qytetarët për zbatueshmërinë dhe përfitimet që do të ketë në mirëqenie.

Sa e besueshme është LIBRA

 

Dy nga figurat qendrore të LIBRA-s janë Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi. Në ndryshim të plotë me kolegët e tyre në Parlament, të dy deputetët e LIBRA-s janë figura intelektuale dhe të formuar si akademikisht ashtu edhe profesionalisht. Beni Blushi është shkrimtar, gazetar dhe një aktor shumë i fortë politik. Mimoza Hafizi është një shkencëtare dhe një përfaqësuese e vërtete e gruas së suksesshme dhe intelektuale në Shqipëri. Shto këtu edhe mijëra të qytetarë të tjerë, të suksesshëm në veprimtaritë e tyre jetësore, që i janë bashkuar LIBRA-s. Pra LIBRA, që është themeluar nga këta persona, nuk mund të jetë kurrsesi një “aksident”, por një nevojë që e ka sjellë koha për të zhbllokuar fuqitë prodhuese dhe krijuese të qytetarëve shqiptarë. Jo më kot ka pasur edhe mbështetje shumë të madhe në një kohë të shkurtër, siç u tha edhe më lartë. Nga ana tjetër edhe komuniteti ndërkombëtarë në Shqipëri ka kryer takime të rëndësishme me përfaqësuesit e LIBRA-s, çka është një tjetër tregues për seriozitetin që ka kjo forcë politike. Ky është këndvështrimi im për LIBRA-n.