Ngjarje

Edhe rreth 1 vit kohë që republika e kalbur të bjerë - nga Ben Blushi

Kryetar i Kuvendit! Mesa duket kjo është seanca e fundit e këtij parlamenti. Dhe meqë askush nuk ka për të dalë këtu sot, për të bërë një bilanc se çfarë ka ndodhur në 4 vjet, jam i detyruar të them disa gjëra. Edhe respekt shumë miqve të mi, që pavarësisht kundërshtive që kemi pasur në këto 4 vjet, seancën e ardhshme, kurdoqoftë ajo, në shtator ndoshta, nuk do të jenë këtu.

Por sigurisht të gjithë ata që nuk do të jenë, sepse nuk janë në listë dhe nuk u futën në listë për arsye që i dinë vetë, besoj se sot kanë arsye t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre dhe të pyesin veten nëse e kanë mbrojtur apo jo interesin publik në 4 vitet e fundit, nëse kanë votuar gjëra që nuk do të duhej t’i kishin votuar, por i votuan me shpresë se një ditë kjo do t’u njihej si shpërblim dhe do të futeshin në listë.

 

Ja pra që për gati 30 prej jush apo 40% të grupit parlamentar të kësaj shumice, kjo nuk ndodhi. Votime totalisht të padrejta, në kundërshtim me interesin publik, që kanë varfëruar Shqipërinë, që kanë rritur papunësinë, e kanë rritur korrupsionin, e kanë rritur polarizimin, e kanë cenuar shkollën edhe shëndetësinë publike! E prapë i keni votuar! Asnjë shpërblim nuk ju dha për këtë shkak. Mua më vjen keq sidoqoftë dhe uroj që secilin prej jush rrugë të mbarë.

 

E nisa këtë bilanc z. Kryetar, duke thënë çfarë ndodhi seancën e fundit. Seancën e fundit ju u zgjodhët President i Republikës nga kjo shumicë. Unë jam një nga dy njerëzit, që nuk ju votova. Nuk ju votova si President Republike me një Parlament, në të cilin janë 86 veta që votuan edhe me shpresën se sot do të ishin deputetë. Edhe nja 50 deputetë të tjerë që ishin në çadër, por kam përshtypjen që edhe ata kishin konsensus, për zgjedhjen tuaj.

 

Unë në fakt nuk kam votuar 3 presidentët e fundit edhe koha më dha të drejtë se kam bërë mirë që s’i kam votuar. Sigurisht mund ta votoja Bamir Topin në vitin 2007. Një president që erdhi dhe e kthehu parlamentin në një dyqan, bleu 6 veta këtu dhe u zgjodh president për 5 vjet. E çfarë la mbrapa? Asnjë baluke! Pastaj erdhi Bujari, në vitin 2012. U zgjodh si u zgjodh me ndihmën tënde edhe ai nuk la gjë mbrapa. Do të mbahet mend se u fut me mustaqe e doli pa mustaqe. Ditën që na duhej si president, këto dy javët e fundit, nuk funksionoi.

 

Herën e tretë, të premten e kaluar, votova prapë kundër Presidentit të ri të Shqipërisë. Për çfarë? E para besoj që presidenti në këtë rast, dhe kam 10 vjet që e them, do të duhej t’i lihej popullit. Duhet të ishte populli ai që të kishte mundësi të zgjidhte se kush të drejtonte për 5 vjet. Refuzuat në mënyrën më barbare. Ia hoqët popullit këtë të drejtë se keni frikë se po e mori ai s’e keni ju! E dyta mendoj se ishte kohë krize. Ishte kohë krize. Dhe njeriu që pretendoi që do të bënte më shumë se kushdo për të zgjidhur këtë krizë, në fakt nuk bëri asgjë; mori të vetmin vend pune të lirë edhe bosh, që kjo republikë kishte në kohë krize, ai i presidentit. Unë besoj që kjo ishte e padrejtë.

 

Ishte e padrejtë. Dhe ky president pale, se u bëre president pale, ky nuk jep asnjë garanci që në 5 vitet e ardhshme do të ketë balancë, do të ketë ekuilibër politik, do të ketë mungesë konflikti dhe do të ketë zgjidhje, duke filluar nga këto parazgjedhje!

 

Këto parazgjedhje po bllokohen. U bëre President i Republikës! Në cilën republikë?! Republikë që nuk bën dot zgjedhje? Republikë që ka bllokuar reformën në drejtësi? Republikë që demotivon; 200 mijë shqiptarë në vit u thotë ikni nga Shqipëria? Në cilën republikë? Në republikën e korrupsionit? Republikë ku askush nuk ndëshkohet? Je President i kësaj republike dhe kjo është arsyeja pse të votova kundër! Dhe do të votoj kundër gjithë ditën. Ky sistem po bie! Nuk bën dot zgjedhje. Nuk jep dot drejtësi. Nuk ndëshkon dot askënd.

 

Do të pyes sot juve që votuat e keni votuar për 4 vjet. E dini çfarë peshe i keni dhanë Shqipërisë në këto 4 vjet? Të jashtëzakonshme! Është Shqipëria më mirë së në vitin 2013, kur hymë në këtë sallë, pao është më keq? Është më keq! Nuk ka zgjedhje! Nuk ka drejtësi. Ka më shumë të varfër. Ka më pak vende pune. Ka më pak fëmijë që shkojnë në shkolla. Integrimi është bllokuar. Nevoja për të ikur është rritur. Të gjitha këto janë tregues të këtij parlamenti që nuk ka funksionuar. Nuk ka funksionuar asnjë ditë dhe do të mbahet mend si Parlamenti me më shumë kriminel dhe më shumë njerëz të papërshtatshëm. Erdha sot në fakt edhe për një arsye se është edhe seanca e fundit. Ju kam parë të flisni shumë për të rinjtë. Në fakt besoj se kjo që po ndodh i demotivon të gjithë të rinjtë e Shqipërisë: i thotë ikni se ky vend nuk bëhet!

 

Dikush prej tyre më dha një bluzë, e dua ta nxjerr këtu në Parlament. Më dha një bluzë e dua t’ua tregoj të gjithëve juve. Çfarë është kjo bluza? Më tha çoje në Parlament me këtë mesazh, sepse kjo është republika për fat të keq. Kjo është bluza.

 

(Tregon në foltoren e Parlamentit bluzën me mbishkrimin “Don’t like republic”)

 

Nuk na pëlqen kjo republikë. Në fakt ka dy kuptime kjo bluza. Ka dy kuptime. Jo vetëm kjo republikë nuk na pëlqen, por kjo është republika e Likes. Kështu më tha ai djali që ma dha bluzën, këtë po them edhe unë. E çfarë është republika e Likes? Republika e Likes është një republikë ku ligji mund të shkelet dhe ku mundësia për të shkelur ligjin ekziston përditë. Kjo është republika që kemi dhe kjo republikë nuk na pëlqen. Dhe kjo nuk është se nuk më pëlqen vetëm mua. Kjo nuk u pëlqen shumicës, shumicës së shqiptarëve. Shumica e atyre që ikin, edhe që deportohen, nga varfëria, nga fakti se nuk punohet dhe nuk paguhen sa duhet, edhe vidhen përditë nga republika e tyre dhe askush nuk ndëshkohet.

 

E keni pyetur veten këto katër vjet çfarë keni bërë? Po marr shumë pak. Reforma zgjedhore dështoi në këtë Parlament, nuk funksionoi. Prandaj nuk po shkojmë dot në zgjedhje dhe nuk ka garanci se vota mund të mbrohet. Reforma në drejtësi është e bllokuar, pothuajse e dështuar. Reforma territoriale, e kam votuar edhe vetë me shumë kënaqësi e me shumë qejf, por në çfarë përfundoi? E ndau Shqipërinë në 60 feude!

 

Kush i mori këto? Gjushi? Qazimi? Elviz Rroshi i Kavajës? 60 feude që marrin para publike dhe i shpërndajnë dhe i vjedhin dhe pastaj me ato blejnë vota. Pati efekt reforma territoriale? Jo! Tre çereku i fshatrave të Shqipërisë janë të paqeverisshme. Nuk ka administratë! Në vend që ta decentralizonim pushtetin e centralizuam më keq. Ia dhamë 60 burrave nga të cilët tre çereku prej tyre janë horra në kuptimin e vërtetë të fjalës! Dhe këtë e bëri ky Parlamet. Kaloi vetëm një ligj për ta centralizuar pushtetin dhe nuk kaloi asnjë ligj për ta decentralizuar.

 

Është më keq sesa ishte pushteti lokal. Fshatrat janë më të varfër edhe periferitë e Shqipërisë më të varfra. Nuk asistohet, nuk ka punë, nuk ka rrugë, nuk ka ndriçim, nuk ka shpresë, nuk ka shkolla. Investohet vetëm në qendra qytetesh. Për çfarë? Që Gjushët edhe Qazot edhe Elvis Rroshët, të marrin përfitimet e fundit para kësaj fushate.

 

Çfarë bëtë tjetër? Keni votuar ju! Dua t’jua kujtoj sot. Keni votuar, me shpresë se do të bëheshit deputetë, ligjin e mbetjeve. Votuat ligjin e mbetjeve. Nuk ka rëndësi hyri në fuqi apo nuk hyri në fuqi për shkak të një procedure abstrakte parlamentare apo kushtetuese. Ju e votuat ligjin e mbetjeve. Dhe jam i bindur që shumica prej jush do të shkoni kokulur në shtëpi në fund të këtij 4-vjeçari. Si mund ta votoni ligjin e mbetjeve? Për çfarë? Këtë e bëri ky Parlament. Të jeni të bindur që ajo shumicë e trukuar që do të vijë këtu mbas dy muajsh apo tre muajsh, ligjin e parë që do të kalojë do të jetë ligji i mbetjeve, për shak se ka një faturë të papaguar kjo qeveri dhe duhet t’i dëmshpërblejë, ata që i kanë kërkuar ta kalojnë këtë ligj.

 

Ky Parlament, duke kaluar ligjin e arsimit, nuk i kam votuar asnjë ditë as ligjin e mbetjeve as ligjin e arsimit, ka lënë të paktën tre mijë fëmijë pa çuar në shkollë të lartë, për shkak të deformimit që pati ligji i arsimit. A mund të thotë ndonjëri prej jush këtu se ka bërë mirë që ka votuar? Jam i bindur që të paktën në ata tre vjet që ikën, ata e dinë në ndërgjegjen e tyre, që ky ligj ishte i pavotueshëm. Sepse ka qenë diskriminues dhe ka lënë mijëra fëmijë jashtë shkolle.

 

Çfarë bëtë tjetër ju? Votuat që kazinotë duhet të rinovohen. Kishit premtuar pra që kazinotë nuk duhet të ekzistojnë në qendra qytetesh. I kthyet kazinotë mbrapsht! Edhe ky ishte ligj fature sepse shërbyet ndonjë dyqan parlamentar. Sepse ky Parlament në këto 4 vjet u kthye në një dyqan, ku çdo lob kazinosh apo mbetjesh apo koncesionesh apo mineralesh mund të vinte këtu për të blerë të drejta. Siç i bleu! Ky ishte ligji i kazinove. E shtytë edhe atë! Çfarë bëtë tjetër? Na e rritët shëndetësinë me 46%! 46% janë rritur kostot e shëndetësisë në 4 vjet, për shkak se 300 milionë euro, para taksash, iu dhanë 5 vetave!

 

Meqë ra fjala, se unë sa herë që vij këtu ju tregoj një histori juve, po ju tregoj një histori që ndodhi dje. Duke ecur nëpër Tiranë, në një qendër shëndetësore tek njësia 4, më dalin dy mjeke, të veshura dhe më thanë se prisnin rrogën ën datë 4 mars. Premtuat rritje rrogash!

 

Nuk di ku është ministri i Financave… nuk është! Premtuat rritje rrogash në datën 1 mars, për arsimtarët, për pedagogët. Më gjeni një njeri, një njeri që në datën 1 mars ose në datë 1 prill ka marrë rritje rroge. Asnjë! A ka shtet në botë që premton rritje rroge dhe nuk e jep?! Kjo është e vërtetë shkoni pyesni. Asnjë arsimtar, asnjë pedagog, apo jo Ervin se ti merresh me buxhetin, nuk ka marrë rritje rroge! Kë keni gënjyer ju? Kë keni gënjyer? Me paratë e kujt? Çfarë është kjo firmë private? Se edhe në firmë private nëse e vonon rrogën dy muaj, ke sanksion, ke penalitet. I mashtron shteti 100 mijë njerëz apo më shumë se kaq se ka edhe pensionistët

 

Nuk kanë marrë asnjë lek më tepër nga 1 marsi e sot. Për çfarë është kjo? Është falimenti total i administratës dhe shtetit. Këtë bëri ky parlament në 4 vjet. Pa e zgjatur dua t’ju them që deficiti dhe borxhi që i keni kësaj republike në 4 vjet, nuk do të lahet dot edhe me të gjithë veprimtarinë tuaj politike edhe për 20 vitet e ardhshme. Sepse nuk mundet dot një parlament ta lërë vendin kaq keq në krahasim me çfarë e gjeti kaq keq. Borxhin e keni rritur! Më shumë mbetje ka! Rroga më të ulëta! Varfëri më të lartë! Më pak vende pune! Më shumë koncesion! Më shumë pak të pasur edhe shumë më shumë të varfër! Ky është bilanci 4-vjeçar i këtij Parlamenti.

Në fakt nuk fola sot për asnjë nga ata që do të vazhdojë. Fola për të gjithë ata që do të ikin. Unë kam përshtypjen duhet të keni një raport sot me ndërgjegjen tuaj. Shiheni veten në pasqyrë dhe thoni: “Ore pse i bëmë këto për të marrë një vend pune!” Nuk duhet t’i kishit bërë pra. Nuk vlen ai vend pune në krahasim me dëmin që keni shkaktuar. Edhe dy fjalë dua t’jua them z. Kryetar për zgjedhjet. Po dështojnë edhe mundësitë e fundit për të shkuar në zgjedhje normalisht. Nuk u morët dot vesh me çadrën. Janë dy anë të një republike që po bie. Nëse çadra bie, siç ka për të rënë, për gjashtë muaj apo për një vit, nuk ka rëndësi, e gjithë republika do të bjerë, sepse janë dy këmbë që e mbajnë. Kjo këmba këtej dhe kjo këmba këtej.

A mund të rri një karrige me një këmbë?  Është e pamundur, ka për të rënë e gjitha. Mua më bëhet qejfi që do të ndodhë kështu. Por kosto për Shqipërinë do të jetë shumë e lartë. E kam thënë ditën e parë të krizës. Askush nuk e besonte që do të shkonte kaq gjatë. Kjo krizë ka vetëm një mundësi të zgjidhet. Duke mos u zgjidhur! Dhe në fakt nuk po zgjidhet! Do ta marrë të gjithë sistemin përpara! Do ta kalbi këtë sistem! Presidencë, gjykata, prokurori, polici janë të gjitha të kalbura! Jetojmë në një republikë të kalbur. Nuk e di nëse është e re apo e vjetër, por është e kalbur! Është e kalbur dhe do të bjerë e gjitha! Si një karrige e kalbur që po i iku njëra këmbë, padyshim do t’i ikë edhe këmba tjetër. E cila është kjo republikë, që more përsipër të drejtosh, në kohën më të keqe, në kohën e krizës?

Kjo pra është republika që fëmijët e Shqipërisë nuk e pranojnë! Kjo është republika e Likes! Refuzojeni këtë republikë. Jo ju se ju e pranoni, por ata që do të votojnë në 18 qershor. Ata duhet ta refuzojnë me votë se kjo republikë nuk mund të ekzistojë për shkak se po e fundos Shqipërinë dhe po e zhyt në mjerim, në pabarazi edhe në emigracion. Ju faleminderit dhe fushatë të mbarë, për të gjithë ata që do të bëjnë fushatë edhe suksese në jetë të gjithë atyre që nuk do te bëjnë fushatë.

 

Përgatiti: Ilir Sinanaj

 

Marrë nga fjalimi i kreut të LIBRA-s deputeti Ben Blushi në seancën parlamentare të datës 4 maj 2017