Blog

Kueslingët e Mjerimit/ Pse kryeministri Rama ka ndërsyer skllevër-ministrat e tij kundër Blushit

Ilir Sinanaj

 

Mbrapa reformave të kryeministrit Edi Rama, me mbështetjen e kryeparlamentarit Ilir Meta plot me qetësi dhe me shumë dashuri, si edhe me shpërfilljen e plotë të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në vitin 2015 janë shpërdoruar 940 milionë euro nga buxhetit i shtetit. E thënë ndryshe, shqiptarëve u janë grabitur 940 milionë euro. Kjo është e faktuar në Progresi-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë viti 2016.

 

E megjithatë në median tonë shumë pak është folur për këtë fakt. Lajmi për këtë shpërdorim astronomik fondesh publike, jo vetëm është “anashkaluar” nga mediat, por nuk zihet në gojë nga politikanët e partive të vjetra. Si ka mundësi që në një vend si Shqipëria, drejtuesit e saj kanë luksin të dhunojnë në këtë mënyrë buxhetin e shtetit; pra të grabisin 940 milionë euro dhe të mos flitet fare?

 

Kasta aktuale politike po bën çmos për të ruajtur këtë status-quo ku mund të grabisë e qetë fonde. Kjo është arritur në bashkëpunim me çadrën e PD-së, e cila i mban të “lidhur” deputetët për të penguar punën e Kuvendit, dhe për t’i dhënë mundësi kryeministrit Rama të ndërsejë skllevër-minitsrat e tij për të bërë “llogje pazari” që nuk kanë lidhje me prodhimin dhe zhvillimin.

 

Të vetmit që po u kujtojnë politikanëve të koalicionit “rilindje”-PD e Vjetër-LSI se vendi po shkon drejt rrënimit janë Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi. Këta dy deputetë të LIBRA-s janë të vetmit, që në parlament, flasin për çështje ekonomike që prekin përditshmërinë e shqiptarëve. Po cili është reagimi i “rilindjes”? Mimërat, Ditmirërat, Linditërat, Arbenërat, Ermonerlërat, Eduardërat etj me urdhër të kryeministrit Rama, për të shmangur debatin për gjëra të qenësishme, e përdorin foltoren e Paralamentit për të hapur debat kafenesh ndaj intelektualit Ben Blushi. Dhe sigurisht sa më shumë përpiqen të sulmojnë intelektualin Blushi me debate të padobishme, aq më shumë ata mbështesin rrënimin dhe keqqeverisjen e vendit në emër të kryeministrit Rama.

 

Pse asnjëri prej skllevër-ministrave nuk flet për 940 milionë eurot e grabitura në vitin 2015? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Këta skllevër-ministra jo vetëm tregojnë paaftësinë e tyre në vendimmarrje, por janë gjithashtu edhe “kuislingë të mjerimit”. Me injorancën e tyre për çështje shtetërore dhe me mungesë të plotë përgjegjësie për mënyrën sesi është qeverisur vendi, ata janë agjentë bashkëpunëtorë të gjendjes sesi po shkon vendi. Ashtu si qeveritë kueslinge bashkëpuan me pushtuesit fashistë për të shtypur popujt për interesa personale, kështu edhe këta ministra të kabinetit Rama, me paaftësinë e tyre, bashkëpunojnë në mbajtjen e bllokuar të fuqive prodhuese dhe krijuese, duke mundësuar grabitjen e 940 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Pjesë e punës së tyre është edhe të sulmojnë me “llogje pazari” intelektualin Ben Blushi, pasi ky i fundit po mban anën e progresit dhe zhvillimit, duke parashtruar problemet reale ekonomike që ka vendi. Por qytetarë kanë sy për të parë e veshë për të dëgjuar...