Blog

Ilir Sinanaj

Në 2009 (pasi u thye tabuja e politikës bipolare) lindi një lloj njeri-votues i ri (ose më saktë u shumua), si rezultat, mendoj, i kapitalizmit shqiptar të deformuar në një sistem hibrid midis merkantilizmit dhe autoritetit pa rend shtetëror (rend klanor): “mercenari”.

Mendoj se pavarësisht rezultateve zgjedhore, dinamika e realitetit social-ekonomik, bën që “mercenari” të jetë një “pasuri zgjedhore” (është fatkeqësi por është realitet), e cila është e arritshme në çdo kohë nga çdo parti, pavarësisht se ku mund të ketë qenë i përqendruar ndër vite. Për të kuptuar më mirë mercenarin, mendoj se pjesa e mëposhtme (*) nga libri “Princi” i Nikolo Makiavelit për mercenarët e shpjegon më së miri ‘njeriun-votues mercenar’, që në Shqipëri mund të kapi edhe numrin e disa qindra mijërave (në mendimin tim). Për rrjedhojë (sipas përkufizimit të Makiavelit, në librin e tij të shkruar në kohën e merkantilizmit), Partia Politike e suksesshme (pra që ekziston) është të bazohet sa më pak në substancën “njeri-votues mercenar”. Ne të gjithë e dimë se kush ndërmjet PS, PD apo LSI ka bazën më të madhe të njeri-votuesit mercenar. Dhe po t’i përmbahemi Makiavelit, partia politike në fjalë nuk e ka të gjatë po u bazua vetëm tek këta: sepse prodhimi nuk po kënaq më nevojat jetike të njerëzve. Pra lind pyetja sa mund të zgjasë pragmatizmi me njeri-votuesin mercenar për të siguruar mbijetesën partiake të forcës politike dhe mbi të gjitha për të siguruar ekzistencën politike të kreut të forcës politike në fjalë?...

(*)Pjesë nga libri “Princi” i Nikolo Makiavelit pë mercenarët: “Trupat me të cilat një princ e mbron shtetin e tij është janë ose të vetat, ose janë mercenarë, pjesë të ushtrive ndihmëse (të dikujt tjetër), ose të përziera. Mercenarët dhe ushtritë ndihmëse janë të padobishëm dhe të rrezikshëm. Nëse një princ e ndërton shtetin mbi mercenarët (apo ushtritë ndihmëse), ai nuk mund të jetë as i qëndrueshëm dhe ai i sigurt, sepse (mercenarët) janë ambicioz, të pabashkuar, pa disiplinë, të pabesë, trima përpara miqve dhe frikacakë përpara armiqve (kundërshtarëve). Ata nuk kanë as frikë nga Zoti, as nuk kanë besnikëri ndaj njerëzve. Shkatërrimi i shkaktuar nga ata mund të ndalohet për aq kohë sa zgjat sulmi (fushata). Në paqe të vjedhin ata (mercenarët) ndërsa në luftë armiku (kundërshtari). Fakti është se ata (mercenarë) nuk kanë nxitje apo arsye për të qëndruar në betejë përveç se sasinë e pagesës, e cila nuk është e mjaftueshme për t’i bërë që të vdesin (sakrifikojnë) për ty. Ata janë shumë të gatshëm të jenë ushtarët e tu për aq kohë sa nuk je në luftë, por nëse vjen lufta, ata zhduken ose ia mbathin përpara armikut (kundërshtarit)”.   

Titulli origjinal: Analizë/ PS, PD dhe LSI përballë “njeri-votuesit mercenar”

 Botuar fillimisht në media më gusht 2016