Bledar Barçi
Në çdo kohë, vit, madje edhe shekull në psikozën kolektive shqiptare gjen refrene shumëngjyrësh si për shembull:
“Ata na kanë halë në sy, ne i kemi në thep të pushkës
“Qentë le të lehin karvani shkon përpara”
“Vdekje fashizmit, liri popullit”“Shqipëri e shqiptarëve, Vdekje tradhtarëve”…
Pse?
Cila është arsyeja që një popull, i cili në mijëra vjet është përshkruar si individualist i thekur, kryengritës ndaj çdo pushteti, luftëtar i paepur edhe në buzë të greminës, ka nevojë të identifikohet me refrene kolektive, tipike të kopeve që drejtohen me një fërshëllimë?
Pse ky denatyrim i një kombi?
Për faktin që mbroj bindje të djathta besoj, më vjen në majë të gjuhës të them që fajin kryesor e ka komunizmi. Megjithëse miqtë e mi të majtë do sillnin dhjetra fakte kundër kësaj ideje. Për më tepër, logjika e fajit, që mbetet gjithmonë jetim, do na çonte në akuza të ndërsjellta të artikuluara me etikë intelektuale dhe të fshehura nën kapacitetin gjuhësor, paçka se nga pas mund të jenë si thika e Brutit.
E megjithatë pyetja mbetet.
Në këtë hulli del në skenë refreni i fundit në modë që unë si shumë miq të mij e kemi kaq qejf.
“Ky vend nuk bëhet”
Një frazë e lëshuar rëndom në bisedat mes miqsh intelektualë, që jetën e kanë ngritur me studime pa fund e sakrifica personale që asgjë nuk mund ti kenë zili një italiani apo gjermani. Një frazë e sintetizuar për të zhbërë atë që është bërë deri më sot dhe për të çmontuar çdo gjë që përpiqet të bëhet, me një kadence gjuhësore perfekte që do ti këpuste krahët edhe optimistëve më kronikë. Një frazë e dhunshme dhe ofenduese më shumë se tallja që Berisha më parë dhe Rama tani, i bëjnë intelektit të çdo shqiptari të lëçitur sado pak, me gënjeshtrat e pacipa e me më pak moral se sa ai i një prostitute (të më falë kategoria se meritojnë më shumë respekt). Një refren i përhapur si njollë vaji në rezidentë dhe emigrantë që e shohin Shqipërinë si një varkë që mbytet nga e cila duhet ikur sa pa të marrë përfund.
Këtu duhet të ndalem.
Do të ndalem.
Gjithmonë e më shumë bindem se nuk mund të fajësojmë askënd që nuk është vetja. Pjesën intelektuale të këtij kombi. Nuk mund të fajësojmë asnjë sistem ekzistues apo të kaluar sepse ne ose prindërit tanë, jemi apo kemi qenë pjesë e tyre. Edhe kur të ndenjurat tona i kemi zhytur në kolltukun e shtëpisë apo në heshtjen e mëndafshtë të librave që lexojmë, ne kemi bërë pjesën tonë.
Ndershmërisht apo ndyrësisht, në hije apo nën dritat e reflektorëve, nga ana e të burgosurit apo nga ana e xhelatit, nga fjala apo nga heshtja, nga e vërteta apo nga gënjeshtra, nga besimi apo nga mosbesimi.
Dhe kur them ne, them unë i pari dhe ti e dyta ose i dyti.
Ky komb, ky popull, në një mënyrë apo një tjetër ka investuar për elitat e tij. Ka investuar jo ndoshta drejtpërdrejt si prindërit tanë, por ka investuar indirekt me hallet që ka bartur, me taksat apo taksiratet që ka hequr atëherë kur ne apo ca si ne kanë vendosur se një gotë verë franceze apo italiane me një muzikë moderne në sfond është shpërblimi për zotësinë tonë dhe vetëm atë.
Nuk është ashtu.
Nuk duhet të jetë ashtu.
Tani më shumë se ne vitet ’90, ky popull ka nevojë për elitat që ka ushqyer e ka pjellë. Ka nevojë për një dorë, një ndihmë një mendje.
Ka nevojë për guximin dhe dijen e më të mirëve që nuk duhet të tuten para halabakëve që tundin dëshmitë e penalitetit të falsifikuara.
Ka nevojë për elitat që nuk mund ti shmangen përgjegjësisë morale, patriotike dhe njerëzore pas një debati elitar ne Facebook apo pas një debati aristokratik rreth një shisheje verë.
Ka nevojë që ta lëmë për pak kohë varur në dollap egon tonë dhe të dëgjojmë me vëmendje edhe atë që është kundër nesh, madje atë edhe më shumë se ai që na rreh krahët.
Kanë nevojë edhe fëmijët tanë për të cilët po bëhemi copash vetëm e vetëm që ti largojmë që këtu.
Kanë nevojë prindërit tanë të cilëve ju dridhet dora për çdo gjë nëse ne nuk i ndihmojmë dot edhe pasi kane bërë 40 e kusur vite rropatje në punë.
Kanë nevojë dhe unë kam më shumë dëshirë të bëj gjënë e duhur se sa frikë apo ego dhe dua të gjej një refren tjetër se këta që dëgjoj më kanë lodhur.


