Orea Mullaymeri,
E di, ndoshta kjo pyetje te shumëkush mund të tingëllojë cuditshëm por çuditë në këtë vend janë kthyer në përditshmëri. Diku, lexova diçka e cila më mbeti në mendje për një kohë të gjatë. A e dini pse një zog i vogël largohet sapo i afrojmë një grusht me thërrime?! Sepse për të...Liria është më e rëndësishme se Uria. E lexoja dhe rilexoja të njëjtën frazë dhe gjithnjë e më shumë ndjeja keqardhje kur mendoja se ç’vlerë ka liria sot në vendin tim.
Liria po shitet...!! Po po...liria po shitet për një thes me miell, liria po shitet për disa qindarka, liria po shitet për një vend pune të premtuar i cili nuk vjen kurrë, liria po i shitet këtij sistemi politik i cili po skllavëron çdo ditë e më shumë çdo ideal human, sepse “të shesësh lirinë do të thotë të skllavërohesh” do thoshte i madhi Ghëte.
Por sot ky vend ka uri, ka uri për dije, por jo një dije e cila shitet me çmim tregu nëpër bankat e Universiteteve të cilat na servir ky sistem arsimor. Një dije e tillë nuk të ngop mendjen por injorancen.
Ky vend ka uri, ka uri për një strehë pune, por jo për punë te cilat jetojnë vetëm në premtime false nëpër dyer zyrtarësh. Punë të tilla të ngopin shpresën ë momentit por jo të nesërmen e cila mbetet me dorë zgjatur.
Ky vend ka uri, ka uri për ndryshim, por jo një ndryshim i shkruar mbi fjalime politikanësh, i pikturuar mbi fasada luksi që brenda fshehin shëmtinë e ketij sistemi. Një ndryshim i tille të ngop me gënjeshtra ndërkohë që realiteti vazhdon të mbetet i hidhur dhe i uritur.
Por përpos gjithçkaje ky vend ka nevojë për Liri. Për atë liri që sot ti po shet në tezga elektorale, për atë liri që tregton nëpër premtime njerëzish si mall shumice. Për atë liri që ti ja gris nga trupi çdo fukarai duke i ushyqer urinë e mjerueshme për të mbijetuar. Për atë liri që shteti e blen fare lirë...dhe mbi të gjitha pa kupon tatimor.
Prandaj miku im, nëse ti nuk ke nevojë për dije, nuk ke nevojë për shpresë, nuk ke nevoje për të zgjedhur vetë të ardhmen e këtij vendi, me thuaj sa kushton 1 kg liri?


