Para pak ditësh, transmetimi në media i një telefonate midis Ministrit të Shëndetsisë dhe një drejtori të shëndetsisë në Tropojë, më pas të pushuar nga puna, pati jehonë të madhe si në shtypin e shkruar, ashtu edhe në rrjetet sociale e në mbarë opinionin publik. Një jehonë e tillë dhe frutet e saj u pagëzuan me nxitim nga vetë ministri, apo “el ministro” sic etiketohet me satirë të mprehtë nga drejtuesit e një transmetimi televiziv, në rrjetin e tij facebook me metaforën “u mbars mali e polli një mi”, si për të thënë: u bë kaq zhurmë, po nuk u zbulua asnjë shkelje.
Apo mos vallë donte të thoshte: s’na thatë asgjë të re, kështu është vepruar e veprohet në këtë vend dhe askush deri më sot nuk ka paguar politikisht dhe sigurisht, nuk do të jem unë i pari? Personalisht mendoj se, duke parë situatën e emërimeve dhe të shkarkimeve nga puna në administratën publike në Shqipëri që nga fillimet e viteve 90, ky interpretim i dytë do të ishte ai më i përshtatshmi dhe realisti. Fatkeqësisht, dihet që në këtë vend një veprim i gabuar është një gabim, shumë gabime të njëpasnjëshme janë normalitet.
Për të kuptuar këtë lloj normaliteti na vijnë në ndihmë edhe komentet e ndryshme që iu bënë në media rastit të drejtorit nga Tropoja. Përvec faktit që u duk qartë se jehona e bërë shtyhej më tepër nga fakti që në regjistrim dëgjohej një ministër tek fliste në mënyrë arrogante e kërcënuese për cështje partiake me një vartës, sesa nga ndergjegja civile për fenomenin në tërësi, dëgjova analistë e gazetarë nga më të njohurit të komentonin: e mir, partia hoqi padrejtësisht atë që ishte përpara tij dhe emëroi atë, për t’a hequr tani e për të emëruar një tjetër. Kjo si për të thënë,- heqja nga puna se nuk u paraqit në mbledhjen e partisë është gabim, por meqë ky gabim u parapri nga emërimi i tij i gabuar dhe nga shkarkimi, po i gabuar, i paraardhësit, atëherë të mbyllë gojën e bashkë me të edhe kush gjen skandal në gjestin e ministrit.
Por duhet vërtet të mbyllim sytë përpara një praktike të tillë që ka efekte kaq negative për të gjithe ne e për fatet e vendit edhe pse ndoshta më pak të dukshme se dukuri të tjera për të cilat flitet më shpesh? Paradoksi është që për këtë cështje dëgjohet të flitet vetëm menjëherë pas zgjedhjeve, kur partia që ka humbur pushtetin kërkon të mbrojë të emëruarit prej saj, si dhe nga individë të ndryshëm kur u preket interesi vetjak, por asnjëherë si një sëmundje që pak nga pak po kalbëzon shoqërinë shqiptare.
Për të krijuar një ide sa më të saktë mbi kostot e një praktike të tillë është e nevojshme të njihemi më nga afër me fenomenin dhe me anët e tij të errëta për të cilat jo te gjithë janë në dijeni.
Fenomeni i emërimeve dhe shkarkimeve partiake i ka fillimet e tij pak pas kalimit nga sistemi diktatorial komunist në atë pluralist dhe ka njohur deri me tani vetëm një trend rritës konstant. Në cdo moment ndërrimi pushtetesh, me përjashtime të vogla, pushohen nga puna ata që ishin punësuar nga paraardhësi dhe emërohen ata që kanë kontribuuar në fushatën elektorale apo që janë pranë “elitarëve” të rinj nga ana farefisnore apo shoqërore (këta janë ata të brezit të dytë e më tej, se ata të brezit të parë nxitojnë të bëhen pronarë apo administratorë shoqërish të cilat përgatiten të ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e prokurimit publik). Ekziston edhe një kategori tjetër punonjësish të administratës publike, ku futen të gjithë ata që, pavarsisht nga kush është partia në pushtet, kanë gjithnjë poste kyce për sa i përket korrupsionit. Pjesëtarëve të kësaj kategorie, aq të shkathët në cështjet e parasë dhe ndarjes së saj, në momentin që fillojnë t’a shtojnë “zullumin” apo kur kanë shkelur në kallo të gabuar, u ofrohet për firmë letra e dorëheqjes të cilën ata kanë “zgjuarsinë” t’a firmosin menjëherë duke bërë në këtë mënyrë që të mos rezultojnë asnjëherë të pushuar nga puna e rrjedhimisht, duke lënë të hapur derën për postin e rradhës pas pak javësh.
Por natyrisht, gjërat nuk janë kaq të thjeshta për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz me një minimum dinjiteti dhe të papërlyer, ose të paktën jo në nivele të larta, me marmallatën e korrupsionit.
Në fakt, për kategorinë e parë, atë të ndihmësve të fushatës elektorale dhe të miqve të largët, emërimi nuk mjafton për të siguruar një rrogë për katër vitet në vijim. Pjesëtarët e kësaj kategorie duhet të sillen, të punojnë, të reagojnë ose jo, të bëjnë “like” ose jo, madje edhe të mendojnë ose jo, në linjë me mendimet, veprimet dhe vendimet e liderëve të partisë në pushtet. Jo rrallëherë, dhe kjo vlen për ata që kanë poste pak më të larta, lihen e pse jo, edhe shtyhen të provojnë pak embëlsinë e korrupsionit, fakt ky që i bën ata më të kapshëm, të shantazhueshëm e të kërcënueshëm në cdo moment. Nëse nuk ndjekin këtë linjë apo nëse devijojnë nga udha (është tamam rasti të thuhet “e partisë”), likujdohen përpara se të vijë ndërrimi i pushteteve dhe e kanë të pamundur të punësohen sërish në administratën publike. Për hir të së vërtetës, ka raste qe edhe këtyre u ofrohet mundësia e firmës së dorëheqjes por, nëse në rastin e parë të përshkruar me sipër ajo i ngjan më tepër një varke shpëtimi, në këtë rast ky është momenti i fillimit të shantazhit. Kjo sepse në shumicen e rasteve, që përkojnë më së shumti me më të dobëtit e të pambrojturit pjesëtare të kësaj kategorie, do për cështje dinjiteti, do për cështje ekonomiko familjare që ushqejnë shpresën për t’u reintegruar në punë apo tek e keqja, për të marrë paratë e gjyqit, do për një kombinim të të dyjave, firma e dorëheqjes refuzohet.
Por ky është vetëm fillimi, ndërkohë që ata që pushohen në momentin e ndërrimit të pushteteve janë në shumicën e rasteve të ndërgjegjshëm për sa i pret dhe, pasi kanë levizur pa sukses të gjitha gurët e mundshëm për qëndrimin në punë, gëzojnë gati gati një keqardhje gjenerale si për të thënë,- c’ti bësh, kështu e ka kjo punë,- këta të tjerët, përpara pushimit nga puna kalojnë një periudhë shantazhesh dhe denigrimi, fyerjesh dhe perbuzje, akuzash për korrupsion e paaftësi të vërteta apo të sajuara e, në disa raste edhe kërcënimesh saqë, për ata që kanë një minimum respekti për veten, në rastin më të mirë, është e pamundur t’i shmangen një periudhe depresioni të thellë dhe fyerje të personalitetit.
Më pas, për të gjithë të “deklasuarit” nga puna vjen gjyqi dhe dëmshpërblimi i cili, sidomos në periudhën post zgjedhore, është minimal për shkak të presioneve të qeverisë mbi gjyqtarët. Ky presion shtohet në këtë periudhe si pasojë e numrit të lartë të cështjeve dhe ndikimit të kostos totale në buxhetin e shtetit. Por, në kushte normale, në ndryshim nga një manaxher privat, eprorit nuk i bëhet vonë fare për kostot monetare të dëmshpërblimit pasi ai paguhet nga buxheti i shtetit, pra me taksat e paguara nga vetë i pushuari, nga familjarët e tij, e cka është më e keqja, nga i gjithë populli shqiptar.
Në vitin 2013, gjatë fushatës elektorale, “rilindarët” premtonin ndryshimin e kësaj politike dhe zhvillimin e konkurseve për fitimin e vëndeve të punës vakante në të gjithë administratën publike, duke ngjallur tek disa njerëz atë minimum shprese që mund të ketë njeriu në Shqipëri pas 23 vitesh zhgënjimi. Filloi gara për të dërguar CV sa më parë pranë DAP-it të “reformuar” me njerëz të rinj të punësuar gjithmonë me konkurs, e për të marrë pjesë në shumë konkurse njëherësh. Nëpër ministri shihje grupe njerëzish që shihnin me dyshim njëri tjetrin duke menduar: kush do jetë fituesi i paracaktuar këtu? Sepse ndodh kështu, kur je në shtëpi para televizorit duke parë lajmet e kryeministrin e ri që fton të rinjtë të paraqesin kandidaturat e tyre për vëndet vakante, mendon se ndoshta këtë radhë gjërat po bëhen sic duhet e ia vlen të tentosh, por kur arrin atje, e ndërkohë ke dëgjuar edhe disa këmbana të tjera nëpër miq e shokë, e sheh përbërjen e reagimet e komisioneve të vlerësimit, fillon të kërkosh “spiunin”.
Ngjarja e dy ditëve më parë na jep një pasqyrë ezauruese të asaj cfarë ka ndodhur me këtë proces “rilindas” talljeje me brezin e ri, që edhe në vetvete i ka shkaktuar shqipëtarëve një costo të konsiderueshme financiare.
Por cilat janë pasojat e një sistemi të tillë që është instaururar në administratën tonë publike e jo vetëm? Ato më të dukshmet dhe të prekshmet janë kostot financiarete të cilat u prekën dhe më sipër e që fillojnë që nga pagesat e një institucioni si Dap-i i cili në keto kushte është vërtetë i panevojshëm (përse ministrat apo drejtorët duhet t’i drejtohen një institucioni për të organizuar një konkurs me fitues të paracaktuar gjithmonë nga ata vetë?), deri tek dëmshpërblimet e vendosura nga gjykata për punonjësit e pushuar nga puna.
Por, për mendimin tim, kostot financiare sado të majme, nuk mund të krahasohen për nga rëndësia me dy grupimet e mëposhtme.
Në radhë të parë instaurimi i një sistemi të tillë ka bërë që administrata jonë publike të mos zotërojë asnjëherë një personel të kualifikuar e të specializuar në fusha të caktuara, ose thënë ndryshe, administratës tonë i mungojnë specialistët aq të vyer në të gjitha aparatet shtetërore të botës perëndimore. Shumëkush që po lexon me të drejtë mund të shtrojë pyetjen,- po c’na duhen njerëzit e specializuar kur kemi ata që hapin librezën e punës me postin e ministrit? Pikërisht do thosha, në kushtet kur posti i ministrit e jo vetem, ka si funksion te vetem pjesëmarrjen ne dreka, darka, evente e inaugurime, përcaktimin e fituesve të tenderave dhe pushimin apo emërimin në punë të administratës, do të ishte më e udhës që pjesa tjetër e administrates të zotëronte një personel të kualifikuar dhe të specializuar që njeh mirë problematikat dhe historikun e tyre.
Por le të vijmë tek ajo që më dhëmb më tepër e që “ndot” më shume se cdo problem i shtruar më sipër, të ardhmen e fëmijëve tanë. Për të ilustruar më së miri këtë pikë, do doja të ndaja me lexuesin një episod që më ndodhi dy ditë më parë. Ndërsa kisha takuar një të afërmen time 19-vjecare, po flisnim për gjëndjen politike në vend, për të ardhmen e rinisë e për lëvizjen e re LIBRA. Në një moment e reja më thotë: -Mami më shtyn të shkoj tek LSI-ja se ata më ndihmojnë për provimet e maturës. Me sa kuptova më pas, ideja ishte që partia, nëpërmjet ndërhyrjes tek mësuesit të ndihmonte të arrije rezultate sa më të larta në provimet e maturës në mënyrë që pastaj t’a kishe më të lehtë regjistrimin në shkollën e lartë. Nuk e dhashe veten, por ishte për të ulëritur e për të shkulur flokët, që për më tepër i kam me kursim… Mendova: deri ketu kemi arritur?
Me pak fjalë situata është e mëposhtmja:
· për provimet e maturës të ndihmon partia;
· për të fituar shkollën e lartë të ndihmon partia;
· për të mbaruar shkollën e lartë të ndihmon partia;
· për të gjetur punë, të fut partia në administratën publike;
· ndërkohë gjithmonë parita të ndihmon edhe të bësh një mastër e një doktoraturë sic ka dalë edhe moda;
· në këtë pikë pse jo, fillon edhe një punë tjetër si pedagog në një nga universitetet pranë partisë në mënyrë që të indoktinosh të rinjtë e të kesh pasardhës.
Përgjatë gjithë kësaj kohe, dmth gjatë gjithë jetës, natyrisht duhet të sillesh sic kam përshkruar më sipër për të punësuarit në administratën publike, skllav që nuk ka të drejtë të jetojë jetën e tij e të mendoje me mëndjen e tij.
Është e kotë të them që nuk do doja kurrë një ndihmë të tillë për fëmijën tim, por problemi është se ndonëse janë të pakët ata që pranojnë të kundërtën, radhët e atyre që zgjedhin këtë drejtim shtohen gjithmonë e më tepër. Realiteti shqiptar bën që këta prindër të mos kenë alternativë pasi një sistem i tillë ka pushtuar gjimnazet, universitetet publike o private qofshin, e madje deri diku, edhe punësimet në sektorin privat i cili varet në të shumtën e rasteve nga fondet shtetërore. Pra, nëse vazhdojmë në këtë rrugë, pas pak kohësh, e vetmja mundësi shpëtimi nga një situatë e tillë do të jetë dërgimi i fëmijës për shkollim jashtë shtetit, por edhe kjo zgjedhje, sic e dinë mirë shumica e shqiptarëve, ka kostot e saj si financiare, ashtu edhe afektive.
Pra, në mbyllje mund të pohojmë me siguri se ky sistem, të cilin ne e paguajmë, e votojmë, pra e ushqejmë cdo ditë, po na shkatërron të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. E gjithë kjo me sjell në mëndje proverbën italiane të qenit që ushqehet me bishtin e tij….